Lajme nga Bota

Strategjitë "autogol" kundër koronavirusit

Strategjitë "autogol" kundër koronavirusit

Tani, pasi disa vende e kanë zgjedhur atë si një strategji parandaluese, apo e kanë vuajtur mbi shpinë për shkak të mungesës së një sistemi shëndetësor të organizuar dhe kapilar, ne mund të nxjerrim disa përfundime, megjithëse të pjesshme, në lidhje me imunitetin e tufës, që mund të arrihet pa ndihmën e një vaksine.

Me termin “imunitet i tufës”, nënkuptojmë mbrojtjen nga patogjenët, kur një pjesë e popullatës ka fituar imunitet, pasi është vaksinuar ose sepse kanë rënë natyrshëm në kontakt me virusin: në të dy rastet, imuniteti i fituar bllokon shumimin e virusit dhe transmetimi i tij në popullatë.

Për të arritur imunitetin e tufës ndaj SARS-CoV-2 pa kaluar nga vaksina, do të na duhej që të qarkullonim virusin në një mënyrë të lirë dhe të pakontrolluar për të infektuar të paktën 67 për qind të popullsisë.

Rasti i Suedisë, vendi që ka vendosur ta lejojë virusin të qarkullojë, është një model për t’u analizuar. Në marsin e këtij viti, vendi skandinav vendosi të mos vendosë kufizime të veçanta për popullsinë (përveç mbylljes së shkollave të mesme), dhe t’i besojë zbatimin e masave të rekomanduara parandaluese përgjegjësisë së vetë qytetarëve.

Për pasojë, Suedia regjistroi 40 për qind më shumë vdekje në 3 muajt e parë të epidemisë, krahasuar me Shtetet e Bashkuara, dhe ende niveli i vdekjeve është më i larti midis vendeve fqinje. Në Itali, të dhënat më të fundit serologjike të botuara (nga një studim i kryer nga 25 maji deri më 15 korrik), tregojnë se përqindja e popullsisë që ka rënë në kontakt me SARS-CoV- 2 ishte vetëm 2.5 për qind. Një përqindje që i kushtoi Italisë 35.000 të vdekur dhe mijëra njerëz të shtruar në spital.

Nëse tendenca e vdekshmërisë do të ishte proporcionale me atë që kemi parë deri më tani, duke e lënë virusin të qarkullojë lirshëm për të synuar infektimin e 67 për qind të popullsisë, do të kishim mbi 70.000 vdekje në Itali dhe mbi 30 milionë në të gjithë botën, pa marrë parasysh numrin e atyre që do të kishin nevojë për shtrim në spitale dhe kujdes intensiv.

Por ka edhe më shumë. Për momentin ne ende nuk e dimë saktësisht se sa zgjat imuniteti pas një infektimit. Dhe ne nuk e dimë se cila mund të jetë shkalla e ri-infektimit, dhe as se si transmetimi dhe infeksionet mund të mbahen nën kontroll me dinamikën aktuale.

Tek e fundit, të dhënat që kemi deri më tani sugjerojnë se imuniteti i tufës i pashoqëruar me vaksinën, por duke e lënë virusin të qarkullojë pa masa të veçanta paraprake, është një rrugë shumë e rrezikshme për popullatën kudo, si për reagimin individual ndaj sëmundjes, ashtu edhe për burimet ekonomike dhe mundësitë e sistemit shëndetësor. / Focus 

*Marrë nga Bota.al