Lajme nga Bota

Suedia dhe Finlanda një hap larg NATO-s

Suedia dhe Finlanda një hap larg NATO-s

Suedia dhe Finlanda janë një hap larg NATO-s pasi përfaqësuesit e 30 vendeve anëtare nënshkruan protokollet e pranimit për të dy shtetet nordike, për t'u bashkuar me aleancën.

“Ky është me të vërtetë një moment historik. Për Finlandën, për Suedinë, për NATO-n dhe për sigurinë tonë të përbashkët”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, për zgjerimin më të rëndësishëm të aleancës në dekada.

Suedia dhe Finlanda një hap larg NATO-s

Kanadaja ishte vendi i parë që ratifikoi protokollet e pranimit, me kryeministrin Justin Trudeau që u bëri thirrje aleatëve të lëvizin me shpejtësi për të përfunduar proceset e tyre të ratifikimit për të kufizuar mundësitë për ndërhyrje nga kundërshtarët.

Suedia dhe Finlanda aplikuan për anëtarësim në maj, por kërkesa e tyre hasi në një pengesë kur presidenti turk Erdogan kërkoi që vendet të ekstradonin anëtarët e një grupi rebel kurd që Turqia i konsideron terroristë.

Të tre vendet arritën në një marrëveshje të përbashkët javën e kaluar, të cilën Suedia dhe Finlanda premtuan ta respektojnë.

“Ne do ta respektojmë plotësisht memorandumin. Natyrisht, nuk ka lista apo diçka të tillë në memorandum, por ajo që ne do të bëjmë është të kemi bashkëpunim më të mirë kur bëhet fjalë për terroristët”, tha Ministrja e Jashtme suedeze Ann Linde në një konferencë shtypi.

Pushtimi rus i Ukrainës në shkurt nxiti Suedinë dhe Finlandën historikisht neutrale të aplikonin për anëtarësim në NATO. Nëse aplikimi i tyre miratohet dhe anëtarësohen, kufiri i Rusisë me vendet e NATO-s do të dyfishohej.