Lajme nga Bota

Synimi i KE: Të vaksinohen 70% e të rriturve deri në Verë

Synimi i KE: Të vaksinohen 70% e të rriturve deri në Verë

“Shtetet e Bashkimit Europian duhet të vaksinojnë të paktën 70% të popullsisë së tyre të rritur kundër COVID-19 deri në verë”, kështu rekomandoi sot Komisioni Europian.

Sipas KE-së kjo do të mundësojë një frenim të përhapjes së COVID dhe do lehtësohen masat shtrënguese.

Më 27 Dhjetor nisi vaksinimi kundër Covid në të gjitha vendet anëtare të BE, por duket se nuk po ecën me ritme të shpejta siç ishte parashikuar. KE u ka bërë thirrje vendeve që të shtojnë ritmin për të vaksinuar grupet prioritare.

Qëllimi prej 70% e njerëzve mund të nënkuptojë vaksinimin e mbi 200 milion njerëzve. BE deri tani ka dhënë dozën e parë për rreth 5 milion njerëz që pas shpërndarjes së vaksinës në dhjetor.

Për të përmbushur qëllimin e tij ambicioz, ekzekutivi i BE tha se do të punojë për të rritur kapacitetin e prodhimit të vaksinave me masa që mund të përfshijnë investime në impiante dhe procedura më të shpejta rregullatore për t'i autorizuar vaksinat.

Parashikohet që deri në Mars të paktën 80% e njerëzve mbi moshën 80 vjeç dhe 80% e punonjësve të kujdesit shëndetësor të jenë të vaksinuar.

Çelësi për të arritur këto synime është disponueshmëria e sasive të mëdha të vaksinave. BE ka rezervuar gati 2.3 miliardë doza, por kompanitë prodhuese të vaksinave nuk mund të mbulojnë dot një sasi të tillë në një kohë të shkurtër.

Artikulli i marrë nga Reuters, përkthyer dhe përshtatur në shqip nga Tiranapost.al.