Lajme nga Bota

Taksat e Trumpit tani mund të kontrollohen

Taksat e Trumpit tani mund të kontrollohen

Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara vendosi që të dhënat financiare të presidentit Donald Trump të mund të kontrollohen nga prokurorët në Nju Jork. Por sipas vendimit të Gjykatës këto informacione nuk duhet të ndahen me Kongresin amerikan.

Trump është presidenti i parë amerikan që nuk i ka bërë publike deklarimet e taksave, që nga Richard Nixon në vitet 1970.

REL ka publikuar artikulin ku shkruan se sipas avokatëve të presidentit, Trump gëzon imunitet të plotë gjatë kohës që është në zyrë dhe se Kongresi nuk ka asnjë arsyetim për t’i kërkuar të dhënat.

Këto të dhëna mund të zbulojnë detaje mbi gjithçka, nga veprimet e 'mundshme të gabuara' e deri tek natyra e pasurisë së vërtetë të presidentit. Po ashtu mund të zbulojnë mënyrën se si Trump shpenzon dhe sa para jep për bamirësi.

Dy komitete të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, që kontrollohet nga demokratët, dhe prokurori i Qarkut të Nju Jorkut, Cyrus Vance, po ashtu demokrat, kanë kërkuar të dinë për taksat e Trumpit që të përcaktojnë nëse ligjet aktuale të konfliktit të interesit për një president amerikan, janë mjaftueshëm të ashpra.

Trump mohon shkeljet, ndërsa hetimet në çështjet e taksave të tij i cilëson si "gjueti shtrigash".

"Gjykata Supreme e dërgon çështjen përsëri në Gjykatën e Ulët, argumentet do të vazhdojnë. E gjitha është një përndjekje politike", shkroi ai në Twitter pas vendimeve të Gjykatës Supreme.

Vendimet u morën me shtatë vota për dhe dy kundër nga nëntë gjyqtarët e Gjykatës Supreme. Ato janë shkruar nga kryetari i gjykatës, John Roberts.