Art dhe Kulturë

Të të tregoj një legjendë?

Të të tregoj një legjendë?

T'iu prezantosh Shqipërinë të huajve, nuk është dhe aq e vështirë. Ka plot materiale, foto e video ku ata mund të shohin vendin e vogël me imazhe, herë për mirë e herë për keq, por që të surprizon dhe në këtë pikë jemi të gjithë dakord, ne dhe ata. Ama, nëse Shqipërinë e sotshme mund ta njohësh virtualisht dhe jo vetëm, nuk është e thjeshtë kur vjen puna te Shqipëria e shkuar, ajo e rrënjëve, e vjetra, e dikurshmja, e tabanit, e legjendave, gojëdhënave, historisë, personazheve, miteve, këngëve, eposit... Duhet rrëmuar thellë. Por një mënyrë të thjeshtë, fare bashkëkohore dhe kaq utilitare, e kanë gjetur dhe janë investuar për ta realizuar, një grup shqiptarësh që jetojnë prej shumë vitesh në Belgjikë. Kanë hedhur rrënjë të forta aty, kanë profesione e poste, por kanë edhe shumë dashuri, mall e detyrim ndaj rrënjëve të tjera, atyre të vjetrave, që i thërrasin nga toka që kanë lënë pas, Shqipëria.

Safet Kryemadhi, këshilltar pranë kryebashkiakut të Brukselit, studiues dhe personalitet i njohur në Belgjikë e diasporë, sapo ka sjellë vëllimin e dytë të "Përralla dhe legjenda nga vendi i shqiponjave". I pari është botuar në 2015-ën. Janë histori e përralla të lashta që ai i ka zbuluar në udhëtimet e tij të përhershme në Shqipëri. I mblodhi me shumë kujdes dhe i solli në frëngjisht, si një dhuratë për gjithë atë armatë shqiptarësh që jetojnë në Belgjikë dhe jo vetëm, edhe për jo shqiptarët që mbase kanë interes të dinë më shumë për ne. Shumë shpejt projekti në letër mori një tjetër formë, nga ideja e Zenel Laçit, një emër tjetër i njohur në komunitetin shqiptar të Belgjikës, me një histori shumë interesante dhe autor i një pjese teatrale shumë të suksesshme vitin e shkuar. Tanimë "Contes e légendes d'Albanie" është krijuar edhe në variantin video dhe mund të gjendet lehtësisht në you tube. Legjendat interpretohen nga aktorja Anila Dervishi me një frëngjishte rruazë, gjithë sharm e forcë, që e çon emocionin në një tjetër nivel dhe të dërgon me imagjinatë në çdo cep Shqipërie, në çdo kishë, betejë, dasmë e mort qindra vite shkuar.

Nuk mungon asnjë element për ta bërë tregimin të plotë dhe videon tejet profesionale: Muzikë, imazhe e ilustrime nga Fran Kukaj, madje edhe përkthim me titra në anglisht përkthyer nga Kate Holman për këdo që nuk e kupton frëngjishten. Videoja e parë e realizuar nga Angélique Ricci dhe me të drejta artistike të mbrojtura nga avokatja Sonila Tuci sapo ka dalë, "Manisa", një legjendë gjithë forcë, me bazë muzikore krejt origjinale nga Albrapsodie Trio, nën përshtatjen muzikore të Afrim Jahjas. Çdo javë nga një legjendë do të vijë në kanalin Vox Aquilae Bruxelles. Nuk duhen humbur legjenda të tilla, janë thesari ynë më i çmuar.

*Shkruar nga Klaudeta Skënderasi

Ndalohet ribotimi i artikullit pa burimin Tiranapost.al