Lajme nga Bota

Teoritë konspirative për virusin që po dalin me emrin e Bill Gates           

Teoritë konspirative për virusin që po dalin me emrin e Bill

Bill Gates është kthyer në targetin e preferuar të rrjeteve për të shpërndarë lajme të rreme për koronavirusin por edhe të akuzave. Këtë kanë zbuluar të dhënat e Zignal Labs të publikuara nga New York Times.

Teoritë konspirative nën emrin e Bill Gates për koronavirusin janë përmendur 1.2 milion herë në TV dhe media sociale nga muaji shkurt në prill, 33% më shumë se teoria e konspiracionit të rrjetit 5G për Covid-19.

Lajmet fake janë nga më të ndryshmet: Një prej tyre thotë se Bill Gates është anëtar i një grupi që ka krijuar koronavirusin për të ulur numrin e njerëzve në botë, duke bërë selektime.  Një tjetër teori është se virusin e krijoi Gates me të tjerë që të mund të përfitojnë nga vaksina që do të shitet globalisht. Ndërsa ka nga teoritë që kanë shkuar më larg duke thënë se e gjithë kjo pandemi u shkaktua nga një sistem përgjimi global i krijuar nga miliarderi Gates.

Një fjalim i Bill Gates në vitin 2015, ku ai paralajmëron se kërcënimi më i madh për njerëzimin është sëmundja infektive dhe jo lufta bërthamore, ka marrë 25 milionë klikime në vetëm  pak javë. Dhe nën këtë fjalim janë publikuar lajme të rreme duke futur në gojën e miliarderit fjalë që nuk janë thënë nga ai.

Sipas New York Times, anëtarët e grupit të njohur që nxjerrin teori konspirative me emrin Qanon, pretendojnë se Bill Gates ka shkaktuar pandeminë për përfitimet e tij personale.

Megjithëse Gates nuk pranoi të komentojë, shefi ekzekutiv i Fondacionit tha se është shqetësuese që njerëzit përhapin kështu informacionesh të rreme në vend që të kërkohen mënyra bashkëpunimi për të shpëtuar jetë.