Lajme nga Bota

Thatësira zbulon në Irak një qytet 3400 vjeçar

Thatësira zbulon në Irak një qytet 3400 vjeçar

Një qytet antik është zbuluar në Irak. Ai besohet të jetë Zakhiku, një vendbanim në Perandorinë Mittani që mbretëroi nga 1550 deri në 1350 para Krishtit. Qyteti kishte qenë nën ujë dhe thatësira e nxori në pah.

Arkeologët vrapuan për të gërmuar vendin përpara se rritja e nivelit të ujit ta mbulonte përsëri qytetin. Studiuesit i mbuluan fort rrënojat për të parandaluar erozionin prej ujit. Pllakat kuneiforme që u gjendën ende nuk janë studiuar, por studiuesit shpresojnë se ato dëshmojnë fatin e qytetit, pas një tërmeti shkatërrues. Arkeologëve iu desh të punonin në kushtet e motit ekstrem, me stuhi dhe temperatura shumë të ulëta, për të gërmuar vendbanimin përpara se të zhdukej nën ujë. Është praktikisht një mrekulli që enët me pllaka balte të papjekura mbijetuan për dekada nën ujë, sipas studiuesve.

Arkeologët kurdë dhe gjermanë gërmuan vendbanimin në rezervuarin e Mosulit, përgjatë lumit Tigër në rajonin Kurdistan të Irakut verior, gjatë muajve janar dhe shkurt. Projekti ishte në partneritet me Drejtorinë e Antikiteteve dhe Trashëgimisë në Duhok për të ruajtur trashëgiminë kulturore të zonës për brezat e ardhshëm.

Qyteti antik tani është rizhytur në ujë, por studiuesit ishin në gjendje të katalogonin pjesën më të madhe të vendit.