Lajme nga Bota

Trump një hap larg arrestimit. Ngrihet padia për të, e para në histori ndaj një ish presidenti amerikan

Trump një hap larg arrestimit. Ngrihet padia për të, e para

E paralajmêroi vetë rreth dy javë më parë kur tha "Të martën do arrestohem".

Duket se fjalët e Trump nuk ishin të pabaza. Ndaj tij është ngritur një padi nga juria e Manhattan. Çështja nuk ka të bëjë me dokumentet e klasifikuara që u gjetën në zyrën e tij, por me pagesat e bëra gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016 për të blerë heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë lidhur me pretendimet për marrëdhënie jashtëmartesore.

Kjo është hera e parë që një ish president amerikan paditet.

Trump po kandidon për të rimarrë Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e vitit 2024 ndaj këtë e sheh si një sulm për të minuar fitoren e tij.

“Ky është një persekutim politik dhe ndërhyrje në zgjedhje në nivelin më të lartë në histori.

Demokratët kanë gënjyer dhe mashtruar në përpjekjet e tyre për të shtënë në dorë Trump-in. Por tani kanë bërë të paimagjinueshmen, duke ngritur padi ndaj një personi plotësisht të pafajshëm, në një akt flagrant të ndërhyrjes në zgjedhje”, shkruhet në deklaratën e Trump në rrjetin e tij social Truth Social.