Lajme nga Bota

Trump vendos tarifa ndaj Kanadasë, Meksikës dhe Kinës

Trump vendos tarifa ndaj Kanadasë, Meksikës dhe Kinës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nënshkroi të shtunën një urdhër ekzekutiv për vendosjen e tarifave të reja prej 25 për qind për mallrat që importohen nga Meksika dhe Kanadaja dhe një tarifë shtesë prej 10 për qind për importet nga Kina, duke nisur nga dita e martë, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

“Si Kanadaja dhe Meksika kanë lejuar hyrjen e pashembullt në SHBA të emigrantëve të paligjshëm si edhe të fentanilit (lloj droge) që po u merr jetën amerikanëve”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt gjatë një konference për shtypin, të premten.

Presidenti Trump, i cili po qëndron gjatë fundjavës në rezidencën e tij në Mar-a Lago të Floridës, nuk pritet të flasë për gazetarët.

Ndërsa tarifa për mallrat që do të vijnë nga Kanadaja do të jetë 25 për qind, Presidenti Trump tha se tarifa për naftën e papërpunuar të importuar nga ky vend do të jetë 10%.

Specifikisht për Kanadanë, zoti Trump anuloi përjashtimin ndaj detyrimeve tatimore për dërgesat me vlerë më pak se 800 dollarë.

Tarifa prej 10 për qind ndaj Kinës, do t’i shtohet një sërë tarifash ekzistuese për importet që vijnë nga ai vend.

Sipas urdhrit të ri ekzekutiv, nuk parashikohen mekanizma për të kërkuar përjashtime për tarifat, por ka përcaktime për përshkallëzim të normave tarifore në rast se vendet e prekura hakmerren.

Meksika dhe Kanadaja reaguan të shtunën vonë, ndërsa Kina dënoi veprimin e zotit Trump të dielën, por la të hapur mundësinë për bisedime për të shmangur përshkallëzimin e situatës.

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, urdhëroi vendosjen e tarifave si kundërpërgjigje ndaj masës së administratës amerikane, duke shkruar në rrjetin X se qeveria e saj do të kishte parapëlqyer dialogun, por ishte e detyruar të reagonte.