Lajme nga Bota

Trupi i gjetur në park është i të fejuarit të Gabby Petitos dhe misteri shtohet

Trupi i gjetur në park është i të fejuarit të Gabby

Pas një kërkimi 1 mujor, Brian Laundrie deklarohet i vdekur. Trupi i gjetur në park i përket të fejuarit të blogeres Gabby Petito.

“Një krahasim i të dhënave dentare konfirmoi se mbetjet njerëzore të gjetura në Rezervatin Memorial T. Mabry Carlton, Jr. dhe Parkun Mjedisor Myakkahatchee Creek janë ato të Brian Laundrie”, shkruajnë autoritetet e FBI.

Më 20 tetor, sendet personale që i përkisnin Laundrie u gjetën pranë një shtegu që ai frekuentonte në parkun mjedisor Myakkahatchee Creek në North Port, Fla., duke nxitur një hetim të plotë të asaj zone.

Brian ishte i vetmi që mund të sqaronte se çfarë kishte ndodhur me të dashurën e tij Gabby, por ai nuk foli kurrë me Policinë.

Si nisi historia?

Më 1 shtator, përpara se të zhdukej, Brian Laundrie u kthye vetëm në shtëpi nga një udhëtim që ai dhe Petito kishin bërë. Çifti i ndante udhëtimet në kanalin e YouTube me ndjekësit. Prindërit e Petitos e raportuan zhdukjen e saj më 11 shtator dhe vetëm disa ditë më vonë. Brian nuk e denoncoi kurrë humbjen e të dashurës së tij. Policia u nis ta merrte në pyetje, por ai nuk pranoi. U tha të flisnin me avokatin. Më pas, kur Petito u gjet e pajetë, policia trokiti sërish në derën e prindërve të Brian, por familja e tij tha se nuk e kishte parë atë që nga 14 shtatori.

Mënyra e vdekjes së Petitos u përcaktua si vrasje.

Rreth një muaj më vonë, më 12 tetor, Zyra e Kërkimit të Qarkut Teton njoftoi se shkaku i vdekjes ishte mbytja. Koha e vdekjes së saj u vlerësua të ishte tre deri në katër javë përpara se të gjendej trupi.

Si vazhdoi historia?

Pas hetimeve, një urdhër federal arresti u lëshua për Brian Laundrie më 22 shtator, në lidhje me aktivitetet e tij (të supozuara) pas vdekjes së Petito. Akuzohej për përdorimin e një karte debiti të paautorizuar dhe një llogari bankare ndërmjet 30 gushtit dhe 1 shtatorit. Kjo ishte e vetmja arsye për ta arrestuar, pasi për vdekjen e Petitos nuk kishte prova ndaj tij.

Tani që të dy nuk janë historia mbetet edhe më shumë mister. Mbase do të zgjidhet vetëm pasi të identifikohet mënyra e vdekjes së Brian, vrasje apo vetëvrasje?