Lajme nga Bota

Varianti delta/ Miliona njerëz në Kinë rikthehen në “lockdown” të plotë

Varianti delta/ Miliona njerëz në Kinë rikthehen në

Miliona njerëz në Kinë janë rikthyer në “lockdown” të plotë, duke u mbyllur në banesat e tyre po ashtu si në fillim të pandemisë në muajt e parë të vitit 2020. Mbyllja është rivendosur pas u raportuan 55 raste të reja të COVID me variantin “delta” i cili është përhapur në 20 qytete dhe mbi 12 provinca, duke rrezikuar edhe qytetarët të cilët kanë marrë të dy dozat e vaksinës Sinovac.

Bashkitë në të gjithë vendin, përfshirë dhe në Pekin kanë rinisur testimin e miliona qytetarëve dhe çdo rast pozitiv izolohet së bashku me rrethin e familjarëve dhe njerëzit që ka pasur kontakt të afërt. Në Pekin i gjithë transporti publik është pezulluar, ndërkohë që hotelet kanë mbyllur dyert për vizitorët, ndonëse ndodhemi në pikun e sezonit të verës.

Qyteti i Kinës qendrore, Zhuzhou në provincën e Hunan-it, ka mbyllur që të 1.2 milion banorët e saj në banesat e tyre dhe ka krijuar pika vaksinimi në të gjithë qytetin për të përshpejtuar procesin e imunizimit.

Kujtojmë se Kina, vendi i origjinës së koronavirusit, ishte një nga shtetet e para që me kontrollin totalitar mbi popullsinë dhe krijimin e vaksinës “Sinovac” arriti të rikthehej në normalitet më shpejt se shtetet e perëndimit. Por, me përhapjen e variantit “delta” në të gjithë botën, rreziku për një valë të re është rikthyer, ndërkohë që edhe personat e vaksinuar janë të ekspozuar përkundrejt rrezikut.

Udhëtimet ndërkombëtare drejt Kinës janë anuluar, me përjashtim të atyre “esenciale”.

Tiranapost.al