Lajme nga Bota

Virusi po përhapet nga emigrantët! Mediat gjermane akuzojnë shqiptarët

Virusi po përhapet nga emigrantët! Mediat gjermane akuzojnë

Sipas mediave gjermane shkaktar të rritjes së numrit të të infektuarve në vend janë udhëtimet, ndërsa në qendër të vëmendjes janë shqiptarët nga Kosova. Kjo e fundit ka tërhequr vëmendjen e mediave, pas publikimeve të Institutit Robert Koch, që e rendit atë si vendin me numrin më të madh të infektimeve të reja "nga jashtë". Mediat gjermane përmendin si arsye kryesore ritualin e përvitshëm të udhëtimeve në vendlindje në pushimet e verës, ku jo pak vetë kthehen të infektuar.

Gazeta "Stuttgarter Nachrichten" shkruan të mërkurën: "Së fundmi është rritur së tepërmi numri i të infektuarve nga Kosova", shkruan gazeta, duke iu referuar, RKI që vëzhgon periudha katërjavore. Sipas të dhënave nga 6 korriku deri në 4 gusht numri i udhëtarëve të infektuar nga Kosova krahasuar me javët e mëparshme është dyfishuar në 608 vetë.

Shqetësim për të kthyerit nga Kosova në Gjermani ka edhe në qarkun Hochsauerland. Sipas gazetës "Ëestfalen Post", që i referohet autoriteteve të shëndetësisë, 8 persona të rinj të infektuar me virusin në këtë qark janë persona që janë kthyer së fundmi nga Kosova.

Kurse gazeta lokale e Tyringjisë Jugore, "Südthüringen" duke iu referuar Zyrës së Shëndetësisë të qarkut, shkroi të mërkurën, se edhe në qarkun Ilm janë shfaqur raste të reja me Corona. "Një motër e vëlla pas kthimit nga Kosova janë testuar pozitivisht", shkruan gazeta. Të dy personat janë testuar në aeroport pozitivisht, ndodhen në gjendje të mirë dhe nuk kanë pasur kontakte të tjera.

Megjithëse Kosova është ndër vendet me shifrat më të larta të infektimeve në Europe, ka shkruar së fundmi gazeta gjermane "Die Welt", "disa kosovarë nuk tremben nga vizita në vendlindje". E kush viziton vendlindjen, viziton me dëshirë edhe miq e të njohur, me rrezikun përkatës të infektimit. "Familjet kosovare janë familje tipike të mëdha, ku mbahet kontakt i ngushtë me njëri-tjetrin", shkruan gazeta gjermane./ Burimi DW