Lajme nga Bota

Vjosa Osmanit tentohet t'i merret telefoni në Aeroportin e Shkupit. Nga akuzat te reagimet, gjithçka që duhet të dini rreth incidentit

Vjosa Osmanit tentohet t'i merret telefoni në Aeroportin e Shkupit.

Një incident, ku përfshihet presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndodhur në Aeroportin e Shkupit.

Presidenca kosovare njoftoi se Osmanit ishte tentuar t’i merrej telefoni personal nga një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit, në kundërshtim, të praktikave ndërkombëtare dhe Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike.

Përmes një reagimi të gjatë, Presidenca e Kosovës tha më 2 gusht se në vend se të kërkojë falje, MPB-ja maqedonase “ka arsyetuar në tërësi kërkesën e sigurimit të aeroportit për ta marrë dhe për ta vendosur në skaner telefonin personal të presidentes së Kosovës, i cili përdoret nga kreu i shtetit edhe për komunikime zyrtare për çështje të sigurisë kombëtare.

Nga ana tjetër Ministria e Punëve të Brendshme maqedonase ka deklaruar se më 1 gusht, Osmani teksa po kalonte kontrollin kufitar, kur i është kërkuar që ta lë telefonin dhe të kalojë përmes skanerit, “një person nga sigurimi i saj e ka tërhequr të punësuarin në TAV-it, me qëllim që ajo të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore”.

Presidenca ka bërë dinamikën e situatës së krijuar dhe shton se autoritetet e Shkupit duhet ta trajtojnë këtë ngjarje me seriozitet dhe të marrë masa ndaj personave përgjegjës.

“Në fakt sot edhe Aeroporti i Shkupit, por edhe vet MPB-ja e Maqedonisë pranuan se urdhri ishte dhënë nga MPB e Maqedonisë së Veriut për një kontroll të tillë, i cili bie ndesh në tërësi me rregullat e trajtimit të krerëve të shtetit sipas praktikave diplomatike”, u tha në reagimin e Presidencës kosovare.

Konventa e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike veç tjerash, mbron statusin diplomatik, privilegjet dhe imunitetin e krerëve të shteteve dhe anëtarëve të stafit të tyre në territorin e shteteve të tjera. Në këtë konventë, kur flitet për udhëtimet, thuhet se personave që kanë status diplomatik, dhe stafit të tyre, duhet t'u lejohet lëvizje e lirë.

Presidenca tha se është "skandaloze" të pretendohet se Osmani kishte pasur "diçka të dyshimtë në çantë e saj".

"Jo vetëm se është një e pavërtetë e madhe, por kjo njëkohësisht është akuza më e rëndë dhe propaganda më e rëndë e bërë ndonjëherë nga media në Maqedoni të Veriut në drejtim të Republikës së Kosovës. Edhe më skandaloze është deklarata e sotme e MPB-së, se ministri i brendshëm i Maqedonisë së Veriut paska pasur disa informata, të cilat kanë shpjerë te kërkesa për kontroll të çantës personale dhe telefonit të presidentes", u tha në reagim.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha se i ka paraqitur një notë proteste autoriteteve maqedonase, duke kërkuar sqarim të plotë të kësaj ngjarjeje.

Gjithashtu kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, mbrëmjen e 1 gushtit, e ka thirrur në bisedë sqaruese ambasadoren maqedonase në Kosovë.

Pala maqedonase një ditë më parë tha se ka nisur hetimin e këtij rasti. Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut deklaroi se pasi Osmani kaloi kontrollin kufitar, "erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, [polic] me dy persona të tjerë [policë] dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e Aeroportit dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentes”.

Presidenca kosovare më 1 gusht tha se e kishte informuar kryeparlamentarin Afrim Gashi për incidentin, duke e falënderuar për ndihmën

Gashi, më 2 gusht, sqaroi se ai ka ndërhyrë vetëm për të “shmangur një incident diplomatik”.

Megjithatë, ai shtoi se nëse kushdo ka tejkaluar autorizimet, duhet të mbajë përgjegjësi.

Nga kompania TAV, thanë se departamenti i sigurisë, në kuadër të përgjegjësive, ka kryer kontroll standard të sigurisë.

Por, Presidenca kosovare tha se praktikat ndërkombëtare për krerët e shteteve duhet të respektohen edhe nga kompanitë private që menaxhojnë aeroportet, ashtu siç tha, ndodh edhe në Aeroportin e Prishtinës.

Për incidentin e 1 gushtit kanë reaguar edhe përfaqësues të partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët kanë dënuar rastin.

Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë raporte diplomatike dhe deri më tani nuk kanë pasur incident të kësaj natyre.