Lajme nga Bota

Zbulohet rasti i parë në Gjermani: Një i infektuar me mutacionin e virusit nga Afrika

Zbulohet rasti i parë në Gjermani: Një i infektuar me mutacionin

Sot në Gjermani është konfirmuar rasti i parë më variantin e koronavirusit nga Afrika e Jugut. Bëhet fjalë për një anëtar të një familje i cili ishte kthyer në muajin dhjetor nga Afrika.

Të gjithë anëtarët e familjes u karantinuan në fund të dhjetorit, dhe pas testimit pas pesë ditësh ata rezultuan negativë. Por javën më pas ata përjetuan simptoma të lehta të sëmundjes. Nga analizat e kryera në laboratorë, sot ekspertët arritën të zbulonin mutacionin e identifikuar fillimisht në Afrikën e Jugut, i njohur si varianti 501Y.V2 tek njëri prej pjesëtarëve të familjes.

Zëdhënësi i ministrisë së shëndetësisë ka njoftuar se janë marrë të gjithë tamponët e personave me të cilët ai ka pasur kontakt.

Varianti i ri i koronavirusit i zbuluar nga shkencëtarët e Afrikës së Jugut në muajin dhjetor po nxit një rritje të infeksioneve në të gjithë vendin, duke rritur edhe shqetësimin global.

Varianti i Afrikës së Jugut është zbuluar gjithashtu në Britani, Finlandë, Francë dhe Izrael. Zvicra, Danimarka dhe Britania kanë ndaluar udhëtarët që vijnë nga Afrika e Jugut.

OBSH-ja ka thënë se varianti i Afrikës së Jugut dallon nga varianti britanik. Thuhet të jetë më agresiv në përhapje, por nuk ka të dhëna që çon në sëmundshmëri më të rëndë.

Por ndërsa më shumë njerëz infektohen nga një virus më i transmetueshëm, më shumë rrezikojnë të sëmuren rëndë.

*MedicalExpress/ Tiranapost.al.