Lajme nga Bota

Zvicra ofron 105 milionë franga për Shqipërinë

Zvicra ofron 105 milionë franga për Shqipërinë

Zvicra do t’i ofrojë Shqipërisë 105 milionë franga për përmirësimin e klimës së biznesit dhe reformat për shtetin ligjor.

Fondacioni mundësohet përmes Programit të Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri për periudhën 2022-2025.

Programi u bë publik në një aktivitet, ku merrnin pjesë Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj; Ambasadori i Zvicrës në Tiranë, Adrian Maitre; Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Zvicerane, Patricia Danzi; Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ministra të qeverisë dhe përfaqësues të institucioneve të tjera shtetërore

Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe falënderoi qeverinë zvicerane për mbështetjen që ka dhënë në vite dhe vazhdon të japë për Shqipërinë.

“Mbështetja e partnerëve ndërkombëtare është e rëndësishme për të konsoliduar një kuadër të besueshëm makroekonomik, një mjedis të përmirësuar biznesi, miqësor me inovacionin, konkurrues e produktiv, si dhe që inkurajon punësimin e të rinjve. Të gjithë këto elementë do të shërbejnë që ekonomia në vijim të rritet në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, falë edhe bashkëpunimit publik privat”, u shpreh Ibrahimaj.

Gjatë periudhës 2022-2025, Shqipëria dhe Zvicra do të punojnë për orientimin e reformave dhe arritjen e rezultateve në katër fusha: qeverisje demokratike; zhvillim ekonomik i qëndrueshëm dhe punësim; shërbime infrastrukturore dhe ndryshimet klimaterike; dhe shëndetësi.