25 Rreshtat e Mirës

Letër lexuesve të Tiranapost

Letër lexuesve të Tiranapost

Të dashur lexues! Nesër në 1 janar 2020 do të jemi 10 vjet më shumë. Nesër nis një dekadë fringo.

Para 50 vjetësh jeta nuk ndryshonte shumë nga viti në vit, madje as dekadat nuk sillnin ndonjë hata të re. Tani ndryshon edhe brenda natës! Tani jemi figurina të një cikloni teknologjik dhe në një garë të pamatë me kohën, me dietat, kulturat e palestrave, etjen për sukses, në një garë mes njeriut që jemi dhe atë që mendojmë se duam të jemi. Njeriu i sotëm është si telefoni që mban në dorë, ndryshon, tjetërsohet nga darka në mëngjes. Gdhihet me opsione të reja, i tradhtuar, kampion, ministër, ish- kryeministër, CEO, kirurg plastik, me makinë të re, me martesë të re. Gdhihet burrë i keq, grua e dobët, engjëll dhe djall, i dashuruar dhe i ndarë. Jeta vjen me dragonjtë e saj dhe varet prej nesh që disa t'i shohim si princër e princesha, të tjerë si kafshën e frikshme. Tërmeti i 26 nëntorit dhe vazhdimi i lëkundjeve në tokën shqiptare na mësoi se dragonjtë s'varen vetëm nga mënyra si i vështrojmë ne ata, ndonjëherë përpara kemi thjesht një dragua. Pastaj, siç thotë poeti Rilke, e bukura dhe terrori duhen jetuar prapëseprapë...

Nuk ka ndjenja finale në jetë dhe jo çdo gjë varet nga optimizmi, as nga inteligjenca emocionale, apo më keq akoma nga paratë. Fat, jo rrallë duhet çikë fat!

Pa lidhje gurutë dhe mentorët e recetave për sukses; shihe dhe zotëroje!

Dokrra. Po e do, bëhet! Dokrra prapë.

Duhet vetëm të punosh në jetë e të jesh i talentuar. Madje me raste as kjo s'mjafton!

E keqja dhe e mira kanë ligjësitë e tyre. As na kanë pyetur e marrë mend ndonjëherë. Nuk ekziston mësuesi i jetës, megjithë dëshpërimin për ta gjetur atë në praktikat pozitiviste, që në fund të fundit nuk janë të rrezikshme, veç pak qesharake.

Po si ta jetojmë jetën, si ta zotërojmë e ngërthejmë në kraharorin tonë, tani që kemi kaq shumë leksione rreth saj, sa hapim sytë në mëngjes na shfaqen dhjetëra fraza, nga Sokrati deri tek budallai i lagjes...?Si mund t’i shpëtojmë rregullave të shoqërisë dhe teknologjisë? Si i dilet të torturohemi më pak për konfirmimin e botës? A mund të shpëtojmë nga mallkimi për të pasur projekte të mëdha me jetën kur thjesht mund të shijojmë grimcat e saj fatlume të gjërave të vogla: Kur flemë të dielën dhe nuk dëgjojmë lëvizje makinash në lagje... Kur ndjejmë aromën e kafesë apo marrim një SMS të bukur... Kur lahemi në det dhe s’e vrasim mendjen nëse trupi ynë nuk është lastar. Kur shijojmë një biskotë me kafenë dhe shohim kaltërsitë dhe pemët. Jeta kalon shpejt. Më duket sikur kam qenë 20 vjeçe pardje. Edhe pse po i afrohem si në një lojë të 40-tave. Nuk zgjatet asgjë me imponim, as rinia. Recetën e jetës, nuk e kam mësuar dot, po nuk do këshilloja kurrë klishetë, sa herë i kam tentuar jam dëmtuar! Pastaj kjo historia e dietave?! Një tmerr!

Ka shumë shpëlarje truri sot. Disa e shohin të keqen tek mishi, disa tek djathi, disa mendojnë se domatja iu prish jetën dhe heqin dorë. Zgjedhin një jetë me refuzime në kërkim të lumturisë. Tmerr, krejt e kundërta!

Ka që besojnë se dashuria e gjen vetë rrugën, se paratë mund të zbresin si pilaf nga qielli. Edhe ndodh, por një në një milion. Në dekadën që vjen uroj të jetojmë të gjithë më shumë me zemër, të mësojmë gjuhë të huaja, po sidomos gjuhën e zemrës dhe sidomos të përpiqemi të jemi njerëz normalë.

Jeta në burgun e famës dhe suksesit është sfilitëse. Punë e madhe shumë po nuk i realizuam të gjitha ëndrrat. Në shumicën e rasteve ne realizojmë ëndrrat e të tjerëve për ne, të prindërve, të partnerit, të fëmijëve dhe të botës. Duhet zgjuarsi për të kuptuar ëndrrën tënde. Do kurajë për të pranuar veten tënde. Tani, që të gjjthë po ndryshojnë fytyrën. Liri? Po, sigurisht, por sa keq.

Sot pashë një vajzë modele me buzë të holla në Instagram. Para 10 vitesh sytë e saj të mëdhenj, pak të largët dhe goja aq e vogël, nuk do e bënin interesante në sytë e mi apo të dikujt tjetër. Por ajo shfaqet si gur i çmuar në murin e Instagramit, pikërisht se bota tani është plot vajza më buzë të mëdha. Botës po i teret fantazia dhe sa do na duhet ajo.

Sot i thashë një mikeshe që ja vlente të lidhej me Bradley Cooper. Dhe ajo ra menjëherë dakord, por pak më vonë më shkroi se i dukej budalla. Më pëlqejnë bisedat me lëndë fantazie dhe humori. Pastaj biseda mbetet nyja e vetme për t’i lejuar vetes fantazinë, një luks mendor që deri më sot e ka vetëm qenia njerëzore!

Të dashur lexues të Tiranapost.al!

Bëni çfarë të keni dëshirë me jetën tuaj, bëni plane, bëhuni dikush ose vendosni të mos bëheni me patjetër dikush. Lexoni libra të mirë dhe lëreni në mes një libër të dobët. Dorëzohu para dikujt që nuk të do më. Ik! Ku? Në kinema dhe shiko film duke ngrënë kokoshka derisa kripa të të thajë buzët. Truri është pilot, kërkon vetëm komandën e të zotit.

Ndjeni e fantazoni në dekadën e re. Veç shpirti e mendja nuk janë me kohë, si telefonët apo fshesa e korrentit.

Ju lutem mos harroni të bisedoni me njerëzit që pëlqeni. Nuk ka asgjë para bisedës dhe mirëkuptimit. Ia kalon çdo ekzagjerimi letrar për seksin, pasurinë dhe bukurinë. Për fat e kemi të gjithë në dorë këtë.

Shëndet dhe jetën e gjatë!

Përzemërsisht, Mira.

*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected]/ Tiranapost.al