YouPost

Letra drithëruese dhe e sinqertë e një studenteje në inbox-in e Tiranapost

Esencë editori/ E shkruar me një shqipe të pasur, me sinqeritet, drejtëpërdrejtësi, pa mbajtur anën e kurrkujt, por duke mbrojtur një monument siç është libri për një student. Me kërkesë të Edonës po e postojmë dhe mirëpresim çdo opinion pro dhe kundër, mjaft të jenë studentë si Edona.
Letra drithëruese dhe e sinqertë e një studenteje në

Nga një studente, për studentët!

Me thënë të drejtën, edhe pse larg Shqipërie, në një vend disa orë larg aromës mëmë, në Poloninë e largët dhe të afërt (në zemrën time) teksa mësoja se si gjuha polake kishte një ndërthurje të shkronjës r dhe z dhe që kur bëheshin bashkë lexoheshin zh, lexova se kolegët e mi dhe jo vetëm, ishin ngritur në protestë dhe po ?luftonin? për disa kauza. Zemra ime u bë mal. Atë ditë më priste një ditë e ngarkuar. Mësimi niste në orën 8:00 dhe përfundonte në orën 18:00.

Nga një vajzë që nuk pëlqente aspak gjërat e ëmbla, kroasantët u bënë miqtë e mi më të mirë, në ditët kur një hicaspak kafedashëse, do t'a merrte forcën në sheqerosje. Por, unë ndihesha shumë e fortë atë ditë. Më dukej sikur merrja forcën nga cdo mik i imi që postonte dicka për të treguar se ishin aty, për të kërkuar me bërtitje fort për të drejtat e tyre. Mezi prisja që të mbaroja dhe të ikja në konvikt (po, edhe une isha në konvikt dhe jam kaq krenare për këtë) dhe të merrja në skype shoqen time, e cila si cdo ditë do të më jepte cdo informacion të ditës, se cfarë u tha e nuk u tha në protestë. Shumë u gëzova kur me foli për "8 pikat" e tyre, për të cilat, për hir të së vërtetës, përfitova dhe unë si një studente ekselente që për momentin ishte në një program shkëmbimi në një vend tjetër.

Patjetër që u ndjeva mirë kur disa u aprovuan, të tjera ndoshta bënë sikur u aprovuan e kështu me rradhë. Por, si një studente që më është dashur të bëj cdo gjë vetë, që kam mësuar cdo natë deri në orët e para të mëngjesit që mesatarja ime të paktën të mbetej në një kufi të lartë; që kam rendur në zyra pedagogësh kur më është dhënë pa të drejtë një note; që kam paguar shumë për të kryer studimet e mia; që nuk kam pasur kurrë akomodimin e duhur në ambientet universitare, që kam parë mikeshat e mia të studimit tek vinin nga qytete të tjera se dreqi e mori, ne se kemi takatin të kemi universitete nëpër qytete e rrethina të tjera, që...shumë e shumë të tjera dhe që përfundojnë tek jo më pak e rëndësishmja, duart e një punëtori të ndershëm e kryelartë si babai im, që më mësoi se bekimi me i madh që mund të më jepte, ishte studimi. Por, më fal babi, ti dështove. Unë mbarova 9 vjecaren në një shkollë që cdo javë shpërthente uji brenda tualeteve dhe klasat përmbyteshin; në një gjimnaz me titullin "mbret i Tiranës", por drejtorët ndërroheshin cdo muaj sipas partisë dhe klasat tona dukeshin sikur do shembeshin nga momenti në moment; kur universiteti im që (falë Zotit) njihet ndërkombëtarisht nuk më jep infrastrukturën e duhur që unë kur të iki jashtë vendit e të bëj mësim në shtete të tjera, të mos habitem kur ambienti i kondicionuar është dhe në tualetet e tyre.

Sot, teksa rastësisht po lexoja në telefonin tim (e përsëris në telefonin tim, mik i ngushtë i joni sot), lexoj diku që studentët ishin ngritur sërish në protestë dhe se në Tiranë po bëhej një manifestim i asaj që quhet bashkim studentor dhe në kuader të saj, po digjeshin libra. LIBRA, e persëris LIBRA! Për një moment, më erdhi si deja vu një mesazh i sime motrër që drejton një 9 vjecare në kryeqytet, kur më tregonte për një fushatë që kishte nisur për të mbledhur sa më shumë libra e për t'ia dhuruar bibliotekës së varfër të shkollës. M'u kujtuan po ashtu, edhe disa sekuenca të një programi televiziv, ku disa fëmijë kërkonin një sasi të madhe librash, se për t'a ai ishte miku më i mirë dhe se prej tij thonin ata, mësoje shumë.

Hey miq, kolegë (këtë edukatë thirrjeje për ata që ishin në të njejtin nivel akademik si unë, e mësova në Varshavë kur pedagogët n?a thanë se vlerësimi më i madh i një individi që është në njohje të vehtes, është t'a konsiderosh atë të barabartë me vehten), shoqe e shokë të mi që sot jeni aty dhe bërtisni për disa të drejta që i niset gjysëm viti më parë, mjaft!!!

Kjo nuk është një proteste, as ndonjë revoltë ku kërkohen të drejta. Ajo që po bëni ju, quhet thjesht ofendim ndaj atij që pak ose shumë, n?a mësoi dicka. E kam fjalën për librin...Atë që dikur na e "ofronin me detyrim" për t'a lexuar dhe të nesërmen për t'i thënë përmbajtjen përpara klasës, atë që më vonë na e lanë në harresë duke na frustruar me idenë e kalimit në shkollë të lartë, e që më pas u pasua nga kopje e printime të bëra, tipike e një studenti "të shkretë" që mund të linte bakshish në lokale, por nuk mund të kishte luksin e blerjes së një libri. Kjo nuk quhet protestë, aspak.

Librin, atë shokun imagjinar të vetëm që kishim në vogëli, merreni me vete dhe uluni të gjithë, pushtoni cdo shesh e cdo copëz vendi, harroni cdo buri makine e shoferi të indinjuar që kërkon t'u hapen rrugët...por, mos e digjni. Bëjini ata që janë më lart se ne, që zotërojnë një karrige dhe një post, të mendojnë se fuqia më e madhe jona, është libri. është ai miku shumë/pakfaqesh aty që këmbëkryq me ju, ju jep fuqinë per të qënë e ardhmja e këtij vendi...

E për t'a mbyllur, më fal babi, përsëri...me fal se ti e bërë mirë detyrën tënde, por thjesht në vendin e gabuar!

Edona Qerimi /Tiranapost.al/