Aktualitet

Ligji për arsimin parashkollor: Kriteret e mësuesve dhe roli i bashkisë

Ndryshime të tjera pritet të bëhen në sistemin arsimor parauniversitar. Projektligji ?Disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 69/2012 për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar?, pasi ka marrë miratimin e qeverisë pritet të miratohet edhe në parlament.

Nëpërmjet këtij ligji, përcaktohen kualifikimet që duhet të kenë mësuesit për çdo cikël të arsimit parauniversitar. Mësuesi për arsimin parashkollor duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë ?Bachelor?. Mësuesit e arsimit fillor duhet të kenë diplomën e ciklit të dytë ?Master profesional?, ndërsa mësuesit e arsimit 9-vjeçar dhe ata të gjimnazeve duhet të kenë ?Master shkencor? me 120 kredite në fushën që lidhet me programin e studimit të ciklit të parë Bachelor. Të gjithë këta mësues, përfshirë edhe ata që punojnë në institucionet e arsimit për profile të orientuara, duhet të kenë kaluar me sukses provimin e shtetit.

Gjithashtu në ndryshimet e këtij projektligji parashikohet që drejtorët e institucioneve të arsimit parashkollor emërohen dhe shkarkohen nga kryetari i bashkisë përkatëse, sipas procedurave të përcaktuara në udhëzimin e Ministrit të Arsimit. Kandidati për drejtor dhe nëndrejtor i institucionit arsimor duhet të ketë, të paktën, kategorinë ?mësues i kualifikuar? dhe të jetë i certifikuar për drejtimin dhe administrimin e institucionit arsimor, ndërsa organizimi dhe zhvillimi i procesit të certifikimit të drejtuesve të institucionit arsimor përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Lidhur me provimet kombëtare, në projektligj parashikohet se ?Në vlerësimin e arritjeve nxënësit do të vlerësohen për njohuritë dhe për kompetencat e fituara në arsimin fillor. Nxënësit e pakicave kombëtare vlerësohen në lëndët gjuhë amtare, gjuhë shqipe, matematikë dhe, sipas dëshirës, edhe në një gjuhë të huaj. Organizimi dhe zhvillimi i vlerësimit të arritjeve të nxënësve në arsimin fillor dhe të provimeve.?/ E.U, Tiranapost.al