Aktualitet

Maja e çelur

Lulet lulëzuan

me të parë djellë

kushedi ç’duruan

që kur janë mbjellë:

që kur u përzien

me rër’ e me ujë,

dhe u lagn’ e u lyen

pa bujë e rrëmujë.

Pa zë psherëtimi,

zë e vaj të kotë,

i ngurroj thellimi

nënë dhen’ e ftohtë.

Edhe balt’ e ndotur,

edhe llum’ i ndyrë

i patnë përlotur

me ngjyrë e mënxyrë.

Ato piperonin

me një sulm i qetë

dhe mbinin e shkonin

që përposh përpjetë.

Që ngaj errësira

brenda në dhè thellë

ndillnin krejt të lira

dritën edhe qelltë.

Sa me rënd’ i mbante

rrënj’ e balt’ e nxirë

dh’ i tërhiqte e s’i ndante

për në fundësirë,

dhe sa m’i padukur

edhe sa m’i zjarrtë

ishte sulm’ i bukur

për në qiejt’ e lartë,

aq më lirë e fshehur,

dh’ aq më me ngadalë

rritnin pa pandehur

sulmin e pandalë:

Dhe ja, ndizet era

mbi barishte e bimë!

Ja! qesh pranëvera

nëpër ngashërime!

Ja! sa lul’ e qetë

çeli gjinë e sajë,

përmbi degë e fletë

atje lart në majë!

Lasgush Poradeci