Aktualitet

Maldini ngre pikëpyetje mbi Piolin, por “djeg” alternativën Rangnick

Maldini ngre pikëpyetje mbi Piolin, por “djeg”

Pas humbjes shokuese në derbi, Milani do të zbresë në fushë nesër në mbrëmje për t’u përballur me Juventusin në sfidën e vlefshme për fazën gjysmëfinale të Kupës së Italisë, ndërsa në prag të këtij takimi ka folur për mediat edhe Paolo Maldini.

Drejtori teknik i kuqezinjve analizoi atë që ndodhi në derbi dhe theksoi se shkak për këtë moment është fakti që në përbërje të skuadrës ka shumë lojtarë të rinj dhe se vetëm Ibra e Kjaer nuk mund të bëjnë diferencën.

“Pioli ka bërë një punë të mirë me të rinjtë që kemi në ekip, por që duhet ta pranojmë se janë pak të shumtë dhe shpesh tregojmë mungesë eksperience. Në derbi bëmë një pjesë të parë perfekte, ashtu si asnjëherë më parë, ndërsa në të dytën nuk ditëm të mënaxhojmë avantazhin. Kemi marrë Ibrën dhe Kjaer, për të sjellë eksperiencë, por nuk mjafton për t’i rritur më shpejt këta djem”, deklaroi Maldini.

Kohët e fundit është folur shumë për një shkarkim të Piolit në fund të sezonit, gjë që Maldini nuk e pohon, ashtu si nuk e mohon, por nxiton të skarcojë nga lista e pasuesve të mundshëm gjermanin Ralf Rangnick.

“Pioli, ashtu si të gjithë ne, jemi të varur nga rezultatet. Tani jemi të përqendruar të bëjmë mirë deri në fund dhe më pas do të ulemi e të bëjmë vlerësimet për të ardhmen. Kam lexuar për Rangnick si një opsion, por si përgjegjës teknik mund të them me sinqeritet që nuk më duket i përshtatshëm për pankinën e Milanit”, deklaroi Maldini./XH.K