Sa nje kafe nga Iva

Mbajeni për vete Greyn, jua ndërroj me një Koala!

Mbajeni për vete Greyn, jua ndërroj me një Koala!

“Filmi kishte vetëm një të metë të madhe”, më thotë një nga gjashtë shoqet, me të cilat kemi zënë një rresht kolltukësh në sallën e kinemasë “që Ajo nuk kisha unë”.Mesa duket këtë kuptim ka pasur psherëtima e një grupi tjetër si puna jonë, në radhën përpara. Dhe me siguri me miliona vajza e gra në të gjitha vendet ku është shfaqur “Pesëdhjetë hije më të errëta” kanë psherëtirë në të njëjtën mënyrë: ah që Anastasia nuk ishin ato!

Sepse këtu është mbështetur suksesi i filmit: tek ëndrra e grave dhe vajzave për të gjetur Christian Greyn, burrin e përsosur. Është çik si i komplikuar ky lloj burri, nuk ngjan me asnjë nga ata të zonjave në sallë, nuk ngjan as me burrat e mikeshave dhe të njohurave të tyre: është shumë, po shumë i bukur, me tiparet e duhura mashkullore, që nuk e lënë as të duket gay, por as aq mashkull sa të duket si lac. Normalisht është i palestruar shumë, por jo aq sa tricepsi t’i dalë mbi këmishët jashtëzakonisht të bukura e të pastra klasike, që qëndrojnë nën kostume të mrekullueshëm, as prerje të mëdha shumë amerikane, as të ngushta prej spitullaqësh italianë. Pastaj normalisht një i tillë, që ka të tilla kostume, kuptohet dhe që është jashtëzakonisht i pasur, ka kompani të vetën milionere, që e ka ndërtuar vetë edhe pse nuk është as tridhjetë vjeç. Nuk është i pasur i stilit të Richard Gere, që të jep kartën e kreditit dhe të lë të bësh qejf me të në Rodeo Drive, por është nga ata të pasurit që kanë apartamente të hatashme në katin e fundit e makina superluksoze dhe normal, siç duhet, ka edhe jaht edhe helikopter dhe që të blen të gjitha gjërat që ty të duhen e s’të duhen, që nga kompjuteri e telefoni tek makina dhe rrobat e ditës apo të darkës, që nuk ke nevojë të lodhesh për t’i marrë nëpër dyqane se të mbushin dollapët vetë. Dhe për t’i pasur të gjitha këto, nuk duhet t’i lutesh fare, as të bësh marifete për t’i pasur, se ai t’i blen vetë, madje sa më shumë t’i thuash që edhe pse varfanjake je e zonja e vetes dhe këto gjëra nuk të hyjnë fare në sy, aq më shumë t’i blen ai. Sigurisht që një burrë i tillë perfekt thotë gjithmonë atë që duhet, se je e vetmja, që gjithë jetën ka pritur të takojë dikë si ty, se femra si ty janë diçka e rrallë në këtë planet etj etj dhe të gjitha këto i thotë ndërsa të mbron nga ata që të ngacmojnë, të mbështet kudo dhe të shpëton nga çdo e keqe. Dhe qershia mbi tortë: është i hatashëm në seks. Aq sa të shpjerë në orgazëm një vajzë të virgjër (se pse ajo ka mbetur e virgjër deri 25 vjeç dhe se pse pranon të bëjë seks menjëherë ky është një tjetër mister, që nuk shpjegohet dot në film).

E si të mos mjaftonin gjithë këto të mira, ai bën dhe atë që nuk bën asnjë mashkull mbi tokë: ndryshon për hir të dashurisë. Nëse në serinë e parë ishte sadomazokist, në serinë e dytë heq dorë nga kjo gjë, vetëm për hir të dashurisë për Anën. Dhe këtë nuk e bën nëpër disa vjet këmbëngulje dhe përgjërimi të saj, e bën ashtu tak-fak, si të gjitha gratë ëndërrojnë që burri i tyre do ndryshojë. E keni parasysh kur i themi shoqeve që është ashtu e kështu por që sa të jemi bashkë më këmbënguljen tënde ai do ndryshojë dhe pas ca vitesh heqim dorë, se ai nuk ka ndryshuar fare? Epo mirë, ja që ky bën të kundërtën, ndryshon për pak javë dhe pastaj është fiks burri i ëndrrave.

Një kërkim i thjeshtë mbi autoren angleze të zbulon që e martuar në moshën 24 vjeçare në nënë e dy djemve, ajo është si të gjitha gratë e vajzat që kanë mbushur kinematë për të parë filmin e bazuar mbi romanin e saj. Kushdo prej tyre me një talent diçka tek mesatarja, nëse do ulej të thurte ca ngjarje për njerëz që nuk i njeh dhe vende në të cilat nuk ka shkelur kurrë, me siguri një të tillë mashkull do ëndërronte te vinte protagonist. Ok, le t’ja njohim këtë meritën e seksit sadomazokist, se jo kushdo do guxonte ta mendonte dhe ta ndërtonte, se në fund të fundit kjo e bëri librin e më pas filmin kaq të suksesshëm. Sepse në kinema njerëzit shkojnë për të endërruar, dhe të bësh për vete një burrë si Grey është një goxha ëndërr. Edhe për mua dhe mikeshat e mia, që për dy orë kanë harruar burrat që kanë në shtëpi dhe kanë psherëtirë sa herë që Grey ka buzëqeshur, ka thënë fraza filmash dhe ka dhuruar fustane apo unaza diamanti me gurin sa një lajthi.

Gjithsesi teksa analizoj me shoqet pjesë nga filmi, nuk le pa përmendur që javën e shkuar në të njëjtën kinema në “Sheraton” kam parë filmin e animuar “Sing” në 3D dhe jam zbavitur sa kurrë më parë, madje në disa pjesë dhe kam kënduar me zë të lartë në kinema, dhe bashkë më mua të tjera zonja që në fund të filmit dukeshin më të entuziazmuara sesa të vegjlit, me pretekstin e të cilëve ishim të gjitha në atë sallë. "Ooooo po ai film është më frymëzuesi që kam parë ndonjëherë”, thotë gjithë entuziazëm e njëjta shoqe, që në fillim është ankuar pse nuk është ajo Anastasia…

E pra, Grey vetëm frymëzim që nuk është për mua. Më duket fantazia naive e një gruaje, që kur nuk ka halle e gëzime prej vërteti, rri e thurr ëndrra budallaqe se si duhej të ishin burrat. Ja që më duken më frymëzuese dhe reale ato kafshëzat e vogla që këndojnë me gjithë shpirt tek “Sing”. Koala e vogël më bëri shumë, po shumë të lumtur.