Lexo Enver Robellin

Mbi gabimet e Edi Ramës dhe sulmet nganjëherë histerike kundër tij nga çarshia digjitale e Kosovës

Mbi gabimet e Edi Ramës dhe sulmet nganjëherë histerike

Nga Enver Robelli:

Edi Rama ka bërë mjaft gabime ndaj Kosovës, por jo krejt barra duhet t'i ngarkohet atij. Thelbi i problemit gjendet në Prishtinë - te klasa e deritanishme politike e Kosovës.

Është bërë modë që Edi Rama të goditet si me qenë një thes për të ushtruar boks. Kush del në qytet (lexo: në Facebook), i jep një boks thesit (lexo: Ramës). Me dorëza e pa dorëza – me rëndësi të goditet. Ky sport po praktikohet edhe më shumë këto ditë, pas takimit në Ohër mes Edi Ramës, Aleksandër Vuçiqit dhe Zoran Zaevit. Kryetari i Serbisë, kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Maqedonisë po diskutojnë mbi heqjen, siç thuhet, të pengesave për qarkullimin e lirë të mallrave dhe personave mes vendeve të tyre.

Qëllimi i tre politikanëve udhëheqës në Tiranë, Beograd e Shkup është krijimi i një zone të tregtisë së lirë sipas modelit të Schengenit. Bosnjë-Hercegovina ka shfaqur interesim për këtë projekt, Mali i Zi e ka hedhur poshtë. Kosova nuk ka pranuar të marrë pjesë. Disa argumente janë përmendur nga politikanët në Prishtinë dhe nga vëzhguesit e zhvillimeve politike. I pari: Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës, andaj nisma e tillë nuk ka kuptim. Argumenti tjetër: Kosova në asnjë rrethanë nuk dëshiron të zëvendësojë perspektivën euroatlantike me çfarëdo iniciative rajonale. Së treti: në samitin e parë të kësaj nisme Kosova është anashkaluar nga Serbia. Argumenti i katërt: si mund të flasë Serbia për tregti të lirë e lëvizje të lirë të qytetarëve në Ballkanin Perëndimor ndërkohë që me agresivitet të madh vazhdon të sabotojë mëvetësinë e Kosovës – në arenën ndërkombëtare dhe përmes një partie të serbëve në Kosovë që e ka themeluar vetë dhe që funksionin si Kalë Troje brenda institucioneve të Kosovës?

Këto janë argumente që nuk mund të hidhen poshtë lehtësisht. Në vend se t’i merrte parasysh këto argumente, Rama nga Ohri lëshoi fermanin, duke akuzuar Kosovën se e përjashtoi veten nga ky proces, pastaj në një intervistë që më shumë ishte monolog në Top Channel ai tha se Kosova për shkak të interesve të brendshme politike po e rrezikon politikën e jashtme të Tiranës, mandej, kur u pyet lidhur me qëndrimin e shefit të VV-së, Albin Kurtit, se Shqipëria së pari duhet të heqë kufirin me Kosovën, e më vonë të fokusohet te rajoni, Edi Rama dha një përgjigje që shkakton huti. Ai tha: «Si heq kufirin Albin Kurti nëse Serbia nuk është pjesë e këtij procesi apo do hapi luftë dhe kush Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian apo Kuba do japi pëlqimin për heqjen e kufirit pa marrëveshje me gjithë të tjerët. Do të ishte vetëm një marrëzi».

Mediat në rajon (përfshirë ato në Serbi) e lexuan kështu deklaratën e Ramës: kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk mund të bie pa pëlqimin e Serbisë. Përse të pyetet Beogradi për kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë një dekadë pas pavarësimit të Kosovës dhe njohjes nga rreth 110 shtete? Mund të thotë Rama që kufirin nuk mund ta hapim për shkak të rezistencës së fuqive të mëdha dhe njerëzit do të kishin një tablo më të qartë, ndoshta edhe do të kuptonin më mirë arsyen pse në Morinë-Vërmicë ende duhet të tregosh letërnjoftimin. (Ndonëse as kjo nuk është një dramë e madhe, në të shumtën e rasteve policia e Shqipërisë dhe e Kosovës kryejnë punën me efikasitet mbresëlënës). Arsyet përse nuk ka bashkëpunim më të madh mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk janë vetëm pengesat doganore e kufitare. Arsyet janë më të thella. Ndikimi i oligarkëve në politikë mbetet i madh. Dhe ku keni parë politikan që ia heq me qejf monopolet një oligarkie nga e cila ushqehet? Kjo pyetje e pakëndshme nuk i drejtohet vetëm Edi Ramës. Duhet t’i përgjigjen kësaj pyetjeje edhe politikanët e Prishtinës, të cilët qe 20 vjet kanë krijuar një raport të ngushtë biznesi me importuesit më të mëdhenj të prodhimeve nga Republika e Serbisë.

Kryeministri i Shqipërisë meriton të kritikohet për shumë mbrapshti – përkrahja nga prapavija (e shpeshehrë hapur) që i bëri prekjes së kufijve të Kosovës, duke u bërë kumbarë i Vuçiqit dhe Thaçit – ishte gabim, fjalimi i tij polarizues në Kuvendin e Kosovës si rishkrues i historisë së çlirimit të Kosovës – ishte gabim, akuzat paushalle ndaj VV-së se pas protestave të studentëve në Tiranë dhe qytete të tjera qëndron VV – gabim i radhës, përpjekja e tij për të lozur rolin e «babait (padronit?) të kombit» – një mbivlerësim i fuqisë së tij.

Por, ka diçka histerike në sulmet ndaj Edi Ramës. Për shembull: akuza se ai është bërë bashkë me një serb dhe një maqedonas dhe dëshiron të krijojë «Jugosllavinë e re». Ata që besojnë në marrëzi të tilla, le të pyesin së pari veten: përse Kosova në bisedimet e Brukselit pranoi që gjatë udhëtimeve nëpër Serbi qytetarët e Kosovës nuk guxojnë t’ia tregojnë pasaportën policit serb, por vetëm letërnjoftimin duke iu nënshtruar një procedure shtypëse burokratike të regjistrimit? Edhe për këtë do ta fajësoni tash Edi Ramën? A negocioi ai apo kosovarët e Hashim Thaçit në Bruksel? A i ka fajet Edi Rama që shoferët e Kosovës në kufi duhet të heqin targat e Republikës së Kosovës sepse nuk i pranon Serbia? Edhe për këtë fajet i ka Edi Rama? Hajde ta akuzojmë që Serbia nuk i pranon prodhimet me shënimin «Made in Kosovo»? A ishte Edi Rama apo Ramush Haradinaj që thoshte se si kryeministër «nuk kam kohë të merrem me negociatat me Serbinë»?

Akuzat kundër Edi Ramës në disa qarqe në Kosovë kanë marrë përmasa histerike. Dhe kjo është mënyra më e lehtë dhe më e palejueshme për të mbuluar serinë e gabimeve që klasa politike e Kosovës ka bërë në raport me Serbinë sidomos në dekadën e fundit. Kur Hashim Thaçi doli me idenë e tij për ndryshimin e kufijve, gati të gjithë në Prishtinë u bënë sikur janë të tronditur, por në këtë tronditje kishte shumë hipokrizi, sepse krejt procesi i negociatave me Serbinë i ishte lënë në dorë Thaçit, ngase bisedat me Serbinë nuk janë temë popullore në Kosovë, nuk mund të fitosh poenë patriotikë, andaj shumëkush gëzohej që me këtë punë po merret Thaçi. Kush largohet nga përgjegjësia, të mos ankohet pastaj për befasitë e pakëndshme.

Histeria në Kosovë ndaj asaj që po quhet «Mini-Schengen» ka të bëjë edhe me dëshpërimin e madh për shkak të mungesës së rezultateve konkrete nga negociatat me Serbinë. U bënë aq shumë kompromise dhe Serbia po arrin gjithnjë e më shumë të demontojë pavarësinë e Kosovës. Tërheqja e njohjeve nuk është vetëm përrallë e Ivica Daçiqit. Tërheqja e njohjeve është fakt – dhe rezultat i një diplomacie të dobët të udhëhequr nga një cirkusant rreth oxhakut të të cilit bashkohen Rama, Thaçi, Haradinaj, e nganjëherë aty shkon edhe udhëheqja e LDK-së, me atë veturën Fiat Punto.

Edi Rama bën mirë të tërhiqet nga kjo nismë për heqjen e kufijve dhe barrierave për lëvizjen e mallrave për aq kohë sa Serbia zhvillon politikë antieuropiane. Si mund të flet dikush në Beograd për lëvizje të lirë të qytetarëve, ndërkohë që në çdo pikë kufitare të Serbisë sheh shqiptarë të Kosovës me formularë A4 në duar duke u lajmëruar apo çlajmëruar te policia serbe? Krejt kjo nismë me «Mini-Schengen» që ka marrë hov këto ditë duket si një lojë me kuti shkrepësesh. Rama dhe Zaev të dëshpëruar që nuk u hapën negociatat për anëtarësim në BE, duan të tregohen si nxënës të mirë te Emmanuel Macroni me shpresën se presidenti francez do të tregohet zemërgjerë. Mesazhi nga Rama dhe Zaev është ky: ne po i thellojmë integrimet rajonale duke prirë me shembull të mirë dhe për këtë BE duhet të na shpërblejë. Vuçiq ka agjendë tjetër: hapja e tregjeve të Maqedonisë dhe Shqipërisë për prodhimet serbe është shans për ekonominë serbe.

Këtu qëndron frika e jo pak shqiptarëve: dominimi ekonomik serb në rajon. Frika nuk është ilaç i duhur për të ndërtuar të ardhmen. Serbia nuk i ka faj as Prishtinës, as Tiranës që ka siguruar dhe po siguron investime masive nga Perëndimi dhe Lindja. Diçka kanë mundur të bëjnë edhe politikanët tanë po të mos kishin shikuar vetëm thellësinë e xhepave të tyre, po të mos ishin marrë me shitjen për pak para të resursve kryesore, me privatizimin kriminal, mungesën shumëvjeçare të investimeve në ekonomi dhe në fushën e turizmit. Kryeproblemi mbetet ky: kriminalizimi i poreve kryesore të shtetit dhe shoqërisë. Pse nuk po e thotë një fjalë të vetme një qeveritar i Tiranës lidhur me lajmin se avioni i një bosi malazez të drogës në janar 2019 fluturoi nga Shqipëria në Gjenevë, pastaj në Basel? Pyetje të vështira janë këto. Shumë të vështira. Edhe për Edi Ramën./ Dialogplus/ Tiranapost.al.