Aktualitet

“Më vrave, qen”. Fjalët e fundit që viktima Agron Xhezairi i tha vrasësit

“Më vrave, qen”. Fjalët e fundit që viktima Agron

Agron Xhezairi që u ekzekutua në hyrje të banesës së tij në Ksamil i ka thënë fjalët e fundit autorit që e qëlloi për vdekje.

“Më vrave, qen”, i ka thënë 53-vjeçari autorit që qëlloi me breshëri ndaj tij, shkruan gazeta ‘Panorama’. Viktima u qëllua dy herë. Herë e parë ai tentoi të ngrihej që të futej në banesë, por autori u afrua dhe e qëlloi përsëri duke e lënë të vdekur në vend.

E gjithë skena e krimit u pa nga kunata e viktimës, e cila kishte shkuar atë mbrëmje për vizitë në shtëpinë e familjes Xhezairi. Autorët, ende të paidentifikuar, ishin fshehur në një ndërtesë të pabanuar dhe pritën momentin deri sa Agron Xhezairi doli në oborr për të përcjellë kunatën.

53-vjeçari një muaj më parë i kishte shpëtuar një atentati me tritol poshtë makinës së tij. Për këtë arsye, kohët e fundit kishte marrë edhe një qen që e mbante të lidhur tek makina për ruajtje.

Ndërkohë, që prej së dielës kur ndodhi atentati, policia e Sarandës nuk ka ende një autor të dyshuar për vrasjen, kurse hetimet janë fokusuar në pistën e hakmarrjes. Kjo për shkak se Albi Xhezairi, djali i viktimës, është autor i dyshuar i vrasjes së Aleksandër Bardhit, vëllait të ish-kryeplakut të fshatit Shëndëlli.