Aktualitet

Media dhe vetëvrasjet. Ku gabojnë gazetarët në raportimin e tyre

Media dhe vetëvrasjet. Ku gabojnë gazetarët në raportimin e

Nga Andia Meksi

Psikoterapiste, Specialiste e shëndetit mendor pranë Institutit të Shëndetit Publik

Anëtare e shoqatës “Analiza e Grupit në Shipëri”

 Si profesioniste e shëndetit mendor më ndodh shpesh të ndeshem me raste të raportimit jo etik nga ana e gazetarëve të ngjarjeve që paraqesin probleme të shëndetit mendor në median e shkruar dhe vizive. Nuk kanë qënë të pakta rastet kur individë me probleme të shëndetit mendor të bëhen objekt talljeje dhe diskriminimi nga gazetarët (rasti i fundit u transmetua disa javë më parë në emisionin  “Fiks Fare”.) Ky rast e shumë të tjera të mëparshme tregon jo vetëm shkelje të etikës së profesionit të gazetarit, por dhe shkelje e të drejtave të njeriut.

Rastet që janë më flagrante dhe fatkeqësisht më të rënda përsa i përket impaktit negativ që ato kanë në shëndetin e popullatës dhe në mënyrë të drejtpërdrejt tek personat që kanë probleme të shëndetit mendor janë rastet e raportimit të vetëvrasjeve në media. Shumë studime dhe të dhëna statistikore tregojnë për një rritje të numrit të vetëvrasjeve (fenomenit “zinxhir të vetvrasjeve”) ose të vetëvrasjeve të imituara, pasi ato janë transmetuar në media. Gjithsesi, duhet thënë se pasqyrimi jo i duhur i vetëvrasjeve në media NUK është faktor kryesor i vetëvrasjeve.

Janë të shumta rastet e raportimeve të gabuara të vetvrasjeve të cilat në mënyrë të paditur raportohen në media. Ekspertët në këtë fushë kanë identifikuar disa elemente që përcaktojnë një raportimi të gabuar të vetvrasjeve në media. Në radhë të parë, është përdorimi i shpeshtë i fjalës vetëvrasje, vendosja e saj si kryelajm, shoqërimi i lajmit me fotografi të viktimës apo mjeteve të kryerjes së vetëvrasjes, përpjekja për të etiketuar viktimën si të sëmurë mendor apo për të kërkuar medoemos shkaqe rrethanore për aktin e vetëvrasjes; intervistimi i të afërmve apo familjarëve të viktimës, shoqërimi i lajmit me pamje të vendngjarjes, etj. Shpeshherë cënohet identiteti dhe dinjiteti i viktimës dhe familjarëve të tyre.

Ajo që e bën flagrante një rast të shkeljes së etikës së profesionit të gazetarit në rastet e raportimit të vetëvrasjeve janë përpjekjet për të “justfikuar” apo “lavdëruar” veprimin duke u dhënë edhe kuptime romantike apo duke bërë paralelizma me personazhe letrare të tilla si “Romeo dhe Xhulieta” e Shekspirit apo “Djaloshi Verter” i Gëtes. Paralelizma të tilla i gjen në titujt sensacional të artikujve. Shpesh bëhen paralelizma edhe me raste të mëparshme të vetëvrasjeve të cilat mund të kenë vetëm një ose disa elemente të ngjashme. Në këtë mënyrë, transmetohet tek publiku mesazhi se vetëvrasja është një veprim social normal dhe moralisht o pranuar.

Mediat kanë një rol mjaft të rëndësishëm në informimin dhe edukimin e popullatës në lidhje me problemet e shëndetit mendor. Në kushte ku ndërgjegjësimi dhe edukimi i popullsisë shqiptare në lidhje me shëndetin mendor është mjaft i ulët,  gazetarët duhet të jenë shumë të kujdesshëm në rastet që pasyrojnë dhe mesazhet që përcjellin në publik për shëndetin mendor në përgjithësi dhe vetëvrasjet në veçanti.

Mënyra më e mirë është që të ketë një politikë apo qasje editoriale ku të mos pasqyrohen vetëvrasjet për shkak të rrezikshmërisë që ato kanë. Shumë vende në botë e praktikojnë këtë qasje editoriale përveç rasteve kur viktima është një personazh publik. Në këto raste gazetaret konsultohen me ekspert të fushës për mënyrën e raportimit si dhe artikulli gjithmonë shoqërohet me ofrimin e adresave dhe kontaktet e shërbimeve të shëndetit mendor që ofrojnë ndihmë në raste të emergjencave.

Ja disa këshilla që duhet të merren parasysh nga gazetarët profesionist gjatë raportimit të vetëvrasjeve: Në radhë të parë duhet shmangur dhënia e të dhënave të detajuara të cilat mund të identifikojnë viktimën apo rrethanat konkrete që mund të kenë çuar në vetëvrasje. Së dyti, duhet menduar paraprakisht se kujt dhe në ç’mënyrë mund t’i shërbejë ky lajm publikut. Dikutoni paraprakisht me një ekspert mbi mënyrën e duhur të raportimit pa cënuar dinjitetin e viktimës, familjarëve dhe të afërmve. Mos u përpiqni që të etiketoni viktimën si një person që vuan nga probleme të shëndetit mendor kur nuk keni fakte të dokumentuara. Mos jepni pamje vizive të vendngjarjes apo mjeteve për vetëvrasje. Mos bëni paralelizma të një ngjarjeje më një tjetër. Shmangni përdorimin e fjalës “vetëvrasje” si titull të lajmit. Mos pasqyroni metodat e kryrjes së vetëvrasjes dhe më e rëndësishmja, flisni për mënyrat e parandalimit dhe trajtimit.

Vetëvrasja është një fenomen mjaft kompleks dhe i dhimbshëm për familjen dhe shoqërine ndaj duhet trajtuar me respekt, profesionalizëm dhe duke patur parasysh parimin e moscënueshmërisë së viktimës, familjes dhe shoqërisë gjatë ushtrimit të profesionit si gazetar në raportimin e ngjarjeve të tilla.

Për lexuesit e këtij artikulli që kanë probleme të shëndetit mendor apo që kanë një të afërm me probleme të shëndetit mendor, është e rëndësishme të mbani mend se vetëvrasjet janë të parandalueshme dhe të trajtueshme nëse ato adresohen në kohën e duhur. Flisni me një mik ose familjar të afërm për problemet tuaja ose kontaktoni një profesionist të shëndetit mendor pranë qëndrave shëndetësore.

Nëse doni të dini më shumë për depresionin dhe trajtimin e saj, lexoni në linkun https://ifightdepression.com/sq/ 

/Tiranapost.al.