Aktualitet

Mëngjesi aspak dembel i së dielës. Biskotat që të zgjojnë nga gjumi

Derisa gjithë familja të zgjohet plotësisht, ti mund t’u përgatitësh surprizën e ëmbël të mëngjesit:

Biskota me kafe dhe çokollatë. Edhe t’i ëmbëlsosh me çokollatë edhe t’i zgjosh nga gjumi me kafe. Vetëm për pak minuta dhe shtëpia do mbushet me aromë fantastike. Të gjithë do mblidhen në tryezë

 

Përbërësit

190 g miell

35 g kakao

115 g sheqer

75 g sheqer kane

110 g gjalpë

150 g çokollatë e zezë

1 vezë

1 lugë kafe pluhur

1/2 lugë sodë buke

Sheqer pluhur

Kripë

 

Përgatitja

Bashko miellin, kakaon, sodën dhe kripën. Përzieji mirë. Shkri kafen në një lugë ujë të nxehtë. Në një enë tjetër përziej dy llojet e sheqerit. Shto gjalpin e prerë në copa dhe përzieje mirë, derisa të kesh një përbërje të formuar nga kokrra. Shto vezën dhe pastaj kafenë. Shto miellin, çokollatën dhe vazhdo ta punosh brumin me rrahëse elektrike, derisa të formohet një masë homogjene. Në një tavë shtro letër kuzhine dhe hidh masën e përgatitur me lugë duke formuar biskota të ndara nga njëra-tjetra. Piqi në furrë të nxehtë 150 gradë për 15 minuta. Hiqi nga furra dhe lëri të ftohen pasi t’i kesh nxjerrë nga tava. Para se t’i servirësh spërkati me sheqer.