Modë

Konfirmohet zhvillimi i Javës së Modës në Nju Jork, pavarësisht variantit Omicron

Konfirmohet zhvillimi i Javës së Modës në Nju Jork,

Këshilli i Dizajnerëve të Modës të Amerikës dhe IMG kanë publikuar orarin zyrtar për sezonin e vjeshtës 2022 të Javës së Modës në Nju Jork.

Në eventin e modës që do të zhvillohet nga 11 shkurti deri më 16 shkurt të këtij viti do të prezantojnë koleksionet e tyre Tom Ford, Coach, Proenza Schouler, Michael Kors, do të rikthehen në pasarela emra të njohur si Anna Sui, Area, Dion Lee dhe disa emra të rinj të botës së modës.

Steven Kolb, shefi ekzekutiv i CFDA tha për Vogue “Industria amerikane e modës ka treguar elasticitet të madh gjatë kësaj kohe të vështirë. Ndërsa varianti Omicron vazhdon të paraqesë sfida në çdo nivel, mezi pres të shoh mënyrat në të cilat dizajnerët vazhdojnë të prezantojnë koleksionet e tyre në mënyra kreative dhe inovative, duke pasur parasysh sigurinë e të gjithë aktorëve të javës së modës.”

Pyetja kryesore është nëse shfaqjet e planifikuara do të zhvillohen personalisht apo dixhitale.

Kur shfaqjet të zhvillohen me audiencë në pasarela, CFDA dhe IMG premtojnë të ndjekin masat paraprake për COVID.

Kolb tha, “Ne do të ndjekim protokollet e COVID që u vendosën në shtator që kërkojnë vaksinim të detyrueshëm, mbajtjen e maskave në ambiente të mbyllura dhe zvogëlimin e madhësisë së audiencës. Ne vazhdojmë të jemi në kontakt me zyrtarët lokalë dhe shtetërorë të shëndetësisë ndërsa monitorojmë variantin Omicron.”