MY TIRANA

Veliaj fal tarifën për hapësirën publike për bizneset e vogla. Ja kush përfiton

Veliaj fal tarifën për hapësirën publike për bizneset e

Bashkia e Tiranës ka vendosur që t’u vijë sërish në ndihmë bizneseve të vogla, të cilat janë prekur nga situata e krijuar prej pandemisë. Këshilli Bashkiak miratoi sot vendimin për përjashtimin nga pagesa e detyrimit të tarifës së zënies së hapësirës publike për periudhën prill – shtator 2021, për të gjitha subjektet që ushtrojnë aktivitetin e bar, restauranteve dhe hoteleve të klasifikuara si biznes i vogël. Gjithashtu, u vendos dhe shtyrja e afatit të pagesës së taksave dhe tarifave vendore për të gjitha subjektet, deri më 20 maj 2021.

“Siç kemi premtuar, sot i propozojmë Këshillit Bashkiak një projekt vendim për lehtësirat fiskale ndaj biznesit, në kuadër të masave për përballimin e pasojave të Covid-19. Do të thotë që ne do të falim të gjitha tarifat vendore për hapësirën publike të të gjitha bizneseve të bareve, restoranteve, lokaleve, kafeneve që konsiderohen biznes i vogël për periudhën Prill-Shtator 2021. Pra, duam që edhe mbasi të mbarojë vaksinimi i popullsisë gjatë muajve të verës, të punohet pa i paguar tarifat bashkiake, që të kenë mundësi të rikuperojnë kohën që nuk u punua dhe nuk pati fluks në këto lokale dhe restorante. Për të gjithë të tjerët e kemi shtyrë afatin e pagesës së taksave dhe tarifave vendore deri në 20 Maj të vitit 2021. Pra, i kemi dhënë kohë edhe bizneseve të tjera që mos të nxitojnë. Mund ta bëjnë këtë gjatë muajit Maj”, theksoi Veliaj.

Si pasojë e situatës së krijuar nga Covid-19 dhe në vazhdimësi të ndryshimeve në Paketën Fiskale, Bashkia Tiranë ka miratuar një sërë masash për ti ardhur në ndihmë sektorit të bar-restorante dhe hotele, masa lehtësuese të miratuara me vendime të këshillit Bashkiak.

*Tiranapost.al.