MY TIRANA

Nis edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar “Dardan Fest 2021”

Nis edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit

Në sallën e re 'Tonin Harapi', te Liceu Artistik, do të nisi në datat 26-28 tetor edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar “Dardan Fest 2021”.

Pas muajve të gjatë e të vështirë të pandemisë, kineastë nga vende të ndryshme të botës, bëhen bashkë në Tiranë, për të rrefyer historitë e vendeve nga vijnë, përmes filmit dokumentar dhe atij artistik.

Fokusi i Festivalit ngelet urbanizimi dhe civilizimi, dy elementë të rëndësishëm mbi të cilët zhvillohet sot bota.

Prej 100 filmave pjesëmarrës, janë përzgjedhur të jenë pjesë e kësaj gare përfaqësues nga Italia, Amerika, Irani, Serbia, Shqipëria etj. Festivali që realizohet nga Dardan Studio, me sponsor gjeneral Raiffeisen Bank dhe Bashkinë e Tiranës, synon të drejtojë vëmendjen jo vetëm bota e kinematografisë, arkitekturës, a zhvillimit të cilitdo zhanri artistik, por së pari të jetë një dritare mundësish që angazhon të rinjtë në krijime që i shërbejnë qytetērimit, kulturës e historisë.

Nis edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit

Sipas producentes dhe bashkëthemelueses së Festivalit, Raelva Shabanaj, edhe informimi rreth urbanizimit si pjesë e zhvillimit të paevitueshëm të qyteteve në mbarë botën, është në fokusin e organizatorëve.

"Ndryshe nga viti i shkuar, këtë herë kemi zgjeruar fushën e temave të pranimit sepse konsiderojmë që gjithçka, edhe trajtimi i problemeve sociale dhe evidentimi i tyre përmes kinematografisë, i shërben në fund civilizimit. Filmi ka qenë dhe ngelet edukues dhe nëse bëhet në mënyrën e duhur, rruga ku duam të mbërrijmë, si shoqëri, bëhet më e lehtë. Prandaj, përtej urbanizimit, problemet sociale kanë qenë në optikën tonë në këtë edicion të dytë të festivalit. Duke synuar audiencë të targetgrupeve të ndryshëm, shpresojmë që mesazhet të mbërrijnë në të gjitha nivelet" - ka thënë Shabanaj.

Drejtori i Festivalit, Agim Poçari shpjegon se edhe këtë vit, pavarësisht izolimit në të cilin jetoi bota, vihet re një tendencë e madhe filmash ku temat sociale, sidomos dhuna në familje, mbizotërojnë.

"Është sërish Irani që është prezantuar me problematika sociale, por këtë herë regjisorët nuk kanë lënë jashtë as dhembshurinë e dashurinë e kafshëve që po trajtohet si fenomen që përfshin edhe vendin tonë.Në natën e tretë të festivalit do të shfaqim një film shqiptar me metrazh të gjatë, për ta përfshirë publikun në atë lloj nostalgjie prej së cilës nuk është ndarë asnjëherë. Ky festival do të jetë gjithashtu një shans promovimi për studentët dhe autorët profesionistë.Shkëmbimi i mësimdhënies dhe metodave të rritjes së krijimtarisë midis studentëve shqiptarë dhe të huaj apo krijimi i mundësive për bashkëpunim dhe bashkëprodhim midis krijuesve vendas dhe të huaj është i dobishëm për të gjithë". -ka thënë Poçari.

Tiranapost.al.Z.B