MY TIRANA

Parku i Ri në Kashar do kthehet në park teknologjie për Tiranën

Parku i Ri në Kashar do kthehet në park teknologjie për

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në mbrëmjen gala të ndarjes së çmimeve të Edicionit të Nëntë të Albanian ICT Awards, evenimentit të vlerësimit më të lartë individual në sektorin e ICT, u shpreh se Tirana është shumë pranë ambicies dhe objektivit për të qenë kryeqyteti digjital i Ballkanit.


“Kur dikush më pyeti para 5 vitesh kur mora detyrën, “cili është vizioni për Tiranën?” - thashë, - “brenda 10 viteve ne do të bëhemi kryeqyteti digjital i Ballkanit”. Jemi afër dhe besoj që vitin tjetër kur Tirana do jetë Kryeqyteti Europian i Rinisë dhe kur të hapim edhe Piramidën do jemi shumë më pranë këtij qëllimi,” tha Veliaj.


Duke përgëzuar sipërmarrjet që dikur ishin thjesht një startup, ndërsa sot janë sponsor të Edicionit të Nëntë të ICT Awards, Veliaj, njoftoi për një tjetër vendim të rëndësishëm në fushën e teknologjisë për kryeqytetin.

“Kemi marrë një vendim që Parkun e Ri në Kashar, ku ne kemi 50 hektarë, ta kthejmë të gjithin në një park teknologjie për qytetin e Tiranës,” deklaroi kryebashkiaku Veliaj.


ICTS media organizoi për herë të nëntë edicionin e ndarjes së çmimeve për Idetë, Startupet dhe individët nga mbarë trojet shqiptare. Në mbrëmjen gala e cila çdo vit mbledh së bashku profesionistë, ekspertë, akademikë, drejtues, vendimmarrës dhe politikëbërës në sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit u ndanë 6 çmime: Inovacioni i Vitit, Ylli në Ngritje i Vitit, Startup i vitit, Covid-19 Response Award, ICT Diploma e Vitit dhe Security of the Year.

*Tiranapost.al