Aktualitet

Nis me ‘luftë’ gjyqi për shkarkimin e Presidentit Donald Trump. Çfarë thonë avokatët e tij

Nis me ‘luftë’ gjyqi për shkarkimin e Presidentit Donald

Gjyqi në Senatin amerikan për shkarkimin e mundshëm të Presidentit Donald Trump nisi këtë të martë me një përplasje të fort mbi rregullat që do të ndiqen, një përplasje mes demokratëve dhe republikanëve.

Është një moment dramatik në historinë e politikës amerikane: Senati tani do të gjykojë për herë të tretë një presidenti amerikan, në këtë rast Trump, para një jurie prej 100 senatorësh - 53 prej tyre nga partia që presidenti ka udhëhequr për 3 vite.

Ai akuzohet për abuzimin me pushtetin e tij duke ndaluar ndihmën ushtarake në Ukraina në një përpjekje për të detyruar një hetim të Joe Biden dhe për pengimin e Kongresit duke refuzuar të bashkëpunojë me hetimin e tij në Ukrainë.

Një nga hapat e para të procesit në senatin me shumicë republikane është votimi i programit të propozuar nga udhëheqësi Mitch McConnell për gjyqin.

Rezoluta e senatorit McConnell do t’u jepte ligjvënësve demokratë që do të jenë në rolin e prokurorëve si edhe ekipit ligjor të Presidentit Trump nga 24 orë gjatë dy ditëve të ardhshme për të paraqitur argumentat e tyre.

Në projekt-rezolutë nuk thuhet nëse do të thirren dëshmitarë dhe nëse do të lejohet paraqitja e provave të reja.

Avokatët e presidentit Trump po sulmojnë argumentat e procesit të shkarkimit ndaj tij duke i quajtur ato një "perversion të rrezikshëm të Kushtetutës”. Ata thanë se ai nuk bëri "absolutisht asgjë të keqe" kur i kërkoi Ukrainës të ndërmerrte hetime ndaj rivalit të tij, gjë që, sipas demokratëve, synonte ta ndihmonte presidentin për të përfituar politikisht.

Avokatët thanë se ligjvënësit demokratë që kërkojnë me ngulm shkarkimin e Presidentit, nuk synojnë të gjejnë të vërtetën rreth veprimeve të Presidentit Trump në Ukrainë, por e bëjnë këtë në një farë mënyre për të skualifikuar zgjedhjen e zotit Trump në vitin 2016 dhe për të ndërhyrë në fushatën e tij për t’u rizgjedhur në garën e këtij viti.

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi dy akuza ndaj zotit Trump. Sipas njërës prej tyre, ai abuzoi me postin e presidentit duke i bërë presion presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy që të hetonte një nga rivalët kryesorë të Presidentit Trump për zgjedhjet e vitit 2020, ish-nënpresidentin, Joe Biden. Akuza e dytë është se ai pengoi hetimin e Kongresit.

Ligjvënësit demokratë kanë thënë se "dëshmitë provojnë në mënyrë të pakundërshtueshme" se zoti Trump është fajtor për të dyja akuzat e ngritura në procesin kundër tij.

Avokatët e zotit Trump, në dosjen e tyre prej 110 faqesh, pohojnë se Presidenti Trump po zhvillonte normalisht politikë të jashtme në bisedat me presidentin Zelenskiy.

Ata thonë se ai nuk ka kryer asnjë krim, edhe pse shpallja fajtor dhe shkarkimi i një presidenti të SHBA nuk varet nga një shkelje specifike e një ligji penal. Përkundrazi, gjithçka varet nga ajo se si të 100 anëtarët e Senatit, duke luajtor rolin e jurisë, interpretojnë standardin e shpalljen fajtor siç përcaktohet në Kushtetutë, nëse një president ka kryer "krime të larta dhe shkelje".

Pavarësisht nga argumentet ligjore pro dhe kundër zotit Trump, ai me siguri do të shpallet i pafajshëm nga Senati me shumicë republikane, ku për shkarkimin e tij do të duhet të votonin dy të tretat e senatorëve.

Shtëpia e Bardhë parashikon se Presidenti do të shpallet i pafajshëm brenda dy javësh, por gjyqi mund të zgjasë shumë më shumë se kaq, nëse demokratët arrijnë të bindin katër republikanë të bashkohen me ta në kërkesën për të ftuar në gjyq si dëshmitarë disa nga ish-ndihmësit kryesorë të presidentit Trump./ Referuar VOA dhe Daily Mail/ Tiranapost.al