Aktualitet

Një jetë me dinjitet: Sot 25 vjet nga vdekja e gjykatësit Paolo Borsellino

“Nuk duhet të pushtoheni nga frika, sepse shndërrohet në pengesën më të madhe për të bërë përpara. Kush ka frikë, vdes çdo ditë. Kush e vret frikën, vdes vetëm një herë”, thoshte Paolo Borsellino.

19 korrik i vitit 1992. Ekzaktësisht 25 vite më parë në ?Via d?Angelo? u nda nga jeta në mënyrë tragjike Paolo Borsellino, dy muaj pas vrasjes së mikut dhe kolegut të tij Giovanni Falcone.

Borsellino sapo doli nga apartamenti i mamasë, të cilën kishte shkuar ta vizitonte. Në pragun e derës e priste një shpërthim, thuajse i zakonshëm në Palermon e lodhur prej vitesh të tëra mes të shtënave dhe të vdekurve.

Paolo Borsellino ishte gjykatësi ?politikan?, në kuptimin më të pastër të fjalës. Që i ri ishte aktivist i organizatës sociale italiane Fuan, por kjo nuk e pengoi që të ndërtonte një miqësi me ?rivalin? Falcone, i cili kishte bindje tërësisht të kundërta nga të tijat.

Karriera profesionale e Borsellinos filloi në moshën 23 vjeçare, në vitin 1963, kur ai u bë gjyqtari më i ri në Itali. Deri në vitin 1975 punoi në Mazara del Vallo dhe Monreale, ku filloi të ndiqte çështjet e para të mafies italiane së bashku me shefin e karabinierëve Emanuele Basile.

Duke hetuar për çështjen e mafiozëve të Altofontes dhe Corso dei Mille, Borsellino ndërtoi një marrëdhënie miqësie me gjyqtarin Rocco Chinnici, i vrarë nga një bombë përpara shtëpisë së tij. Në vitin 1980 Borsellinos iu vu në dispozicion një eskortë dhe ishte pikërisht ky momenti kur karriera e tij bëri hovin cilësor.

[caption id="attachment_92273" align="alignleft" width="593"]GIOVANNI FALCONE - PAOLO BORSELLINO Falcone dhe Borsellino.[/caption]

Në vendin e Chinnicit emërohet gjyqtari Caponnetto, i cili vendosë të marrë me vete profesionistët më të mirë për të formuar një grup pune që hetonte vetëm çështjet mafioze: kështu lindi poli antimafia për të cilin fliste e gjithë Italia për shkak të modernitetit dhe metodave të reja në të cilat e bazonin punën e tyre, duke përfshirë shkëmbimin e dokumenteve dhe mbledhjen e informacionit.

Në vitet 1985-1986 Borsellino punoi së bashku me anëtarët e tjerë të grupit për të përgatitur Maksi-Procesin, i cili i zhvilluar në vitet 1986 deri në vitin 1992 çoi prapa hekurave 342 mafiozë.

Në vazhdim, Borsellino pranoi transferimin në Marsala, duke shprehur habi për emërimin e munguar të Falcones në krye të Drejtorisë së Antimafias. Dhe është pikërisht me Falconen me të cilin Borsellino lidh miqësinë më të ngushtë të jetës. Të dy ndajnë shumë kohë bashkë, si në punë ashtu edhe në jetën private. Sipas dëshmisë së vëllait të Borsellinos, të dy përshëndeteshin në mënyrë origjinale: Falcone me grusht, ndërsa Borsellino me përshëndetjen romane.

Po, sepse besimi politik i Borsellinos tek e djathta gjithmonë ka qenë shumë i fortë, aq sa grupi parlamentar i Lëvizjes Sociale Italiane kandidoi gjykatësin për postin e presidentit të republikës, por në fund Borsellino mori vetëm 47 vota, ndërsa fitues u shpall Oscar Luigi Scalfaro.

Më pas ndodhi vdekja tragjike si pasojë e një bombe të vendosur në shtëpinë e së ëmës. Sot, 25 vite nga ajo ngjarje, historia e Falcones dhe Borsellinos është mbi të gjitha një frymëzim për të vendosur drejtësi, e mbi të gjitha një detyrim për të mos harruar gjithë sa bënë, jo vetëm për Italinë por për krejt vendet perëndimore duke ofruar shembullin e vetësakrifikimit në emër të drejtësisë./Tiranapost.al