25 Rreshtat e Mirës

Një vit për t'u ndarë!

Një vit për t'u ndarë!

Viti 2019 nisë më djegien e mandateve nga PD dhe LSI dhe shkarkimin e beftë të 4 ministrave të kabinetit Rama, ku më i përfoluri ishte ‘gjeniu’ Cakaj, një djalë i ri 27-vjeçar nga Kosova, që kryeministri i besoi politikën e jashtme. Gafë apo intuitë?! Në fund të vitit jemi afër gafës.

Në shkurt të 2019-s opozita shpreson tek vendimi ekstrem dhe se duke qëndruar jashtë Parlamentit, në rrugë do gjente rrugën për të ardhur në pushtet. U përhap me shpejtësi në opinion ‘shpresa’ e disa protagonistëve për një ’97-të të dytë.

Protestat vazhduan për muaj në Tiranë duke ndezur bulevardin me dritat e celularëve, një pamje e bukur si ato në Rumani, por asgjë më shumë. Parlamenti ndërkaq vijon me fundin e listave të Bashës dhe Kryemadhit, ku kryesisht kemi të bëjmë më analfabetë. Gafë? E kujt?

Opozita nuk arriti dot të bindë Edi Ramën dhe sidomos ndërkombëtarët, SHBA e BE për kauzën e saj. Bota mbanë anën e Edi Ramës duke e mbështetur këtë të fundit në mbajtjen e zgjedhjeve mono, me argumentin se një lëshim peri shkatërronte të gjithë rajonin dhe mësonte çdo opozitë të dilte në rrugë.

Shqipëria shënon precedentin e parë në historinë e pluralizmin duke shkuar në zgjedhje të kuqe. Edi Rama nga sikleti doli me veshje argëtuese, pantallona të shkurtra, çorape të gjata me këpucë dhe xhaketë.

Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, apo Berisha dhe Meta në sfond nuk iu besojnë syve. Skenari për dhunë dhe luftë në zgjedhjet lokale të qershorit, dështon gjithashtu. Merita i shkon, jo policisë shqiptare apo reflektimit opozitar, por kërbaçit amerikan. Ambasada amerikane lëshon një deklaratë të fortë disa ditë para zgjedhjeve, dhe i dërgon mesazhe protagonistëve për pasojat deri në bllokimin nga Amerika të kujtdo që provokon incidente.

Zgjedhjet monopartiake zhvillohen. Kur gjithçka shkonte pas planit, disa kryebashkiakë si Valdrin Pjetri i Shkodrës, apo Kajmaku i Vorës kanë gënjyer në formularin e dekriminalizimit. Shkodra është një patate e nxehtë në dorë të kryeministrit, i cili po thoshte se do ta bënte atë si Vlorën.

Largimi i Pjetrit apo dhe Kajmakut shihen si gafa të rënda politike dhe hapin një debat për mënyrën e futjes së kandidatëve nga orekset e njerëzve pranë Ramës apo interesat. Aneksimi ndaj ish-ministrit të tij dhe koordinatorit të Shkodrës, Ditmir Bushati, i jep këtij të fundit, popullaritet, për shkakun e vetëm se shihet si një intelektual dhe kritik ndaj shefit të tij.

Kryeministri në fund të vitit pranon dështimin me Shkodrën. Gafë? E kujt?

Telashet me Ilir Metën njohin kurba të reja dhe kulminacione gjatë gjithë vitit.

Letra ‘dashurie’, kunja dhe kode nëpër statuse, dhe sidomos një ngërç i madh institucional për Gjykatën Kushtetuese. Lufta bëhet për kandidatë preferencial.

Gjykata që do krijohet do të duhet të marrë vendime për disa çështje ndër të parat vendimin e presidentit për të shtyrë datën e zgjedhjeve. Gafë? E kujt?

Në fund të vitit pas një kalvari të gjatë, ngrihet ‘përbindëshi’ SPAK. Kreu i tij me tre gjuhë të huaja, flet shqip dhe shkurt: do punojmë s’do merremi me llafe.

Po në fundvit zgjidhet edhe kryeprokurori i ri, Olsian Çela, i cili bëri për vete opinionin më fjalinë: ligji për të fuqishmit dhe jo vetëm për të dobëtit!

Kur nervat duken të lëshuara dhe aciditeti politik ka shkuar ku s’mban më, tërmeti i 26 nëntorit transformon vendin.

51 jetë të humbura, Durrësi i ngjan një apokalipsi dhe Tirana jeton në ferrin ë lëkundjeve të forta që vijnë nge Adriatiku.

Ndërtesat e rrëzuara janë veç gafa pronarësh, ndërtuesish dhe studiosh projektimi.

Në dimrin e 2019-s fatkeqësia i ulë të gjithë me këmbë në tokë dhe në vend flitet më shumë për jetën dhe pendesën e ditëve të humbura në sherr.

A ishte tërmeti një sinjal? Një fatkeqësi ku do ringrihemi njerëz më të mirë, do zbatojmë të gjithë rregullat dhe do kemi frikë nga ligji? A ishte tërmeti një shenjë që të futemi në rrugë të Zotit, në binarët e shtetit, dhe ta kujtojmë vitin 2019 për gafat e tij?

*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected]/ Tiranapost.al