Showbiz

Olsi Leka, violonçelisti i parë i orkestrës nacionale belge, që evropianët e ruajnë si ujët e pakët

Olsi Leka, violonçelisti i parë i orkestrës nacionale belge,

Nëse ju ka rënë rasti të dëgjoni a lexoni ndonjë nga intervistat e muzikantëve shqiptarë (e kemi fjalën për ata të vërtetët), me siguri do t'ju ketë rënë në sy një fill i dukshëm që lidh historitë e të gjithëve: të destinuar të kenë fëmijëri shumë të ngjashme. Kanë jetuar në Tiranë apo në një qytet tjetër, e kanë pasur shtëpinë në pallat apo me oborr, e kanë pasur babain kompozitor apo elektricist, të gjithë i kanë kaluar vitet e fëmijërisë mbyllur në dhomë duke studiuar, me një vesh mbi instrumentin e me një vesh përpjetë nga zërat e shokëve që vinin nga oborri. Dhe oborret e Shqipërisë së viteve '80 kanë qenë jo pak tundues!

[caption id="attachment_293617" align="aligncenter" width="1600"]Olsi Leka, në konkursin "violonçelisti i ri" ku ka fituar çmim të parë[/caption]

Të njëjtën deja vu përjeton edhe kur Olsi Leka të rrëfen ato vitet e tij të para, kur pranoi të bënte një shkollë muzike e të studionte për violonçel jo se kjo ishte ndonjë ëndërr e madhe e tija, por sepse të atit i pat mbetur peng që nuk arriti dot të studionte për kitarë. Histori tjetër kjo, e vjetër sa bota. Fatmirësisht, me gjithë pendesat e vogla, inatet, lodhjet prej 6 orëve studim në ditë, babait të tij nuk iu desh të përballej me ndonjë kryengritje kushedi sesa të madhe të të birit, gjë që do kish qenë fare e pritshme për një djalosh veç 13 vjeç, që nuk bënte gjë tjetër veçse studionte e studionte e studionte. Olsi s'kish pse ngrinte furtunë. E ndjente edhe vetë se talenti që kishte ai për të luajtur në violonçel nuk ishte dhe aq rrobë e zakonshme. Mbaroi liceun me ide fare të qarta që kjo ishte rruga e tij e asnjë tjetër, por me të ardhme fare të paqartë në Tiranën e trazuar të '97-ës.

[caption id="attachment_293618" align="aligncenter" width="1027"]Olsi Leka, në një klasë të liceut, përpara provimeve që i quanin saxhio[/caption]

"Isha angazhuar me një grup artistësh ende nxënës, krijuar nga maestro Zhani Ciko, Virtuozët e Rinj, me të cilët kishim fatin të shkonim edhe nëpër turne jashtë. Pikërisht në një prej këtyre koncerteve u paraqita në Konservatorin e Brukselit

tek pedagogu i violonçelit për një audicion dhe kur ai më tha se kisha nivel shumë të mirë dhe më ftoi të studioja në klasën e tij, unë u ktheva në Shqipëri me ide shumë të qarta se çfarë duhet të bëja".

[caption id="attachment_293623" align="aligncenter" width="1201"]Olsi Leka foto e vitit '97, disa muaj para se të largohej nga Shqiperia, gjatë një koncerti në piramidën e Tiranës[/caption]

Dhe çfarë bëri? Studioi edhe më fort, filloi të mësonte frëngjishten dhe nuk mori parasysh asnjë alternativë tjetër studimi në Shqipëri. E pati fare të thjeshtë të dilte i pari në konkursin e konservatorit të Brukselit po aq sa e pati të vështirë të arrinte t'i hipte avionit nga Shqipëria, mes dokumentesh pa fund, vizash, konsullatash, ambasadash, avionësh të humbur e fluturimesh të anuluara, histori tipike shqiptare të atyre viteve, që ia varën të ardhmen në fije të perit. Por kjo e Olsit është një nga ato historitë e shqiptarëve të suksesshëm, të stërvitur mirë me absurditete made in Albania, ama të talentuar sa s'ka më dhe falë Zotit edhe me fat.

"Pa mbaruar ende studimet, mësova se ishte një vend bosh në orkestrën nacionale belge. Konkurrova, fitova dhe që prej asaj dite, këtu e 14 vjet të shkuara, vazhdoj të jem violonçel i parë i kësaj orkestre. E sapo mbarova studimet, universiteti më ftoi që të jepja mësim. Ishte pak e çuditshme për mua që në po të njëjtën klasë ku kisha studiuar tani të isha profesori".

Në fillim asistent e pastaj pedagog në Konservatorin e Brukselit e pastaj në Konservatorin Mbretëror të Anversës, Olsi Leka është një nga ata muzikantë që në Evropë i ruajnë si ujët e paktë. Në koncertet me muzikë dhome në qytetet kryesore të gjithë Evropës por edhe më larg, mblidhen aq shumë dëgjues e shijues të mirë të muzikës klasike. Fiks në një nga këto koncerte, Olsi ka historinë e rrallë të violonçelit të tij.

"Sapo kisha mbaruar koncertin, kur më afrohet një person që nuk e njihja e më thotë, i entuziazmuar, se kishte dëshirë të më ftonte për një takim. I thashë 'po', pa e ditur qëllimin e tij.

Kur u takuam, ai më shpjegoi se ishte i biri i një violonçelisti shumë të njohur belg, që kishte vdekur përpara disa vitesh, Eric Feldbusch, që ka qenë violonçelist, kompozitor, dirigjent si dhe drejtor i Konservatorit të Brukselit e Monse-s.

Ai më tha se kishte instrumentin e babait në shtëpi, që kishte vite pa u përdorur dhe se dëshironte që unë të luaja pak për të (në shenjë kujtimi për babanë), gjë që unë e bëra në një takim tjetër, më vonë.

Pas kësaj seance, ku unë zbulova një violonçel të një cilësie superiore e të rrallë, ai më shpjegoi se ky violonçel i ishte dhuruar babait të tij nga Mbretëresha Belge, Elisabeth, në vitet '70. Duke qenë se në ato vite Eric Feldbusch ishte në kulmin e karrierës së tij, mbrëteresha, në shenjë mbështetjeje si dhe mirënjohjeje për punën e arritur në fushën artit, i kishte dhuruar këtë violonçel të 1820-ës nga Lutajo i famshëm, Raffaele Gagliano.

Duke qenë se ky violonçel mbetet i lidhur me figurën e E.Feldbusch si dhe me historine e violonçelit belg, djali i tij më propozoi që të ma vinte në dispozicion. Pra, unë që prej asaj kohe luaj me këtë instrument". 

Por nëse violonçeli i tij është kaq shumë belg, Olsi vazhdon të jetë edhe pas kaq vitesh po aq shqiptar sa ka qenë. U prezantohet të gjithëve që duan ta njohin duke e theksuar mirë se nga vjen, por duke e ditur gjithashtu mirë se pasi ta kenë njohur, ata duan të dinë se ç'muzikë bëhet në Shqipëri dhe kjo është pyetja që Olsin e zë gjithmonë ngushtë. Kjo është arsyeja pse ka vendosur që këtej e tutje t'u japë të gjithëve një përgjigje konkrete për muzikën klasike shqiptare, që jo vetëm ekziston por është edhe shumë e bukur, t'u lërë në dorë një CD, që do të prodhohet së shpejti. "Ka një kuriozitet të publikut ndërkombëtar për muzikën tonë klasike, që është e panjohur dhe që ka mbetur në harresë sepse nuk u regjistrua kurrë. Ajo që dua të bëj është ta shpluhuros e të regjistroj veprat e kompozitorëve shqiptarë që kanë krijuar muzikë shumë të mirë klasike. Puna ka filluar, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës Shqiptare. CD do regjistrohet në Belgjikë ose në Gjermani dhe më në fund muzika jonë nuk do jetë më e panjohur".

S'ka si të jetë kur vetë Olsi, i rrethuar nga njohës të mirë të zhanrit klasik, do kujdeset që ata të prezantohen edhe me tingullin shqiptar. Por derisa ky projekt të vihet në vijë, Olsi ka në duar një tjetër CD, që sapo është prodhuar e që për promovimin e saj është çdo javë nëpër koncerte jashtë Belgjikës. Quhet "Reminiscence", një bashkëpunim mes Olsi Lekës, pianistit Peter Caelen dhe fotografit Frédéric Pauwel dhe është krijuar me rastin e 100-vjetorit të Luftës së Parë Botërore. Veprat e kompozitorëve të asaj kohe që kanë shkruar muzikë gjatë periudhës së luftës apo edhe që kanë marrë pjesë vetë në luftë, poezi të shkrimtarëve të luftës, letra ushtarësh dhe sidomos foto të tashme me gjurmë fare të freskëta të asaj kohe.

[caption id="" align="aligncenter" width="768"] Olsi Leka dhe pianisti Peter Caelen[/caption]

"Mund të duket sikur 100 vjet fshijnë gjithçka, por nëse sheh fotot habitesh sesa shumë gjurmë ka ende nga ajo luftë e sa e pranishme është ende mes nesh", të tregon Olsi, duke të shpjeguar se përzgjedhja e repertorit muzikor për violonçel dhe piano është simboli i ndjenjave, mendimeve dhe dashurisë së këtij brezi, ndërkohë që imazhet që ilustrojnë CD-në janë realizuar nga Frédéric PAUWELS, i cili udhëtoi përgjatë vijës së frontit perëndimor prej 700 kilometrash, duke filluar në Nieuwpoort, Belgjikë dhe duke përfunduar në Vosges, Francë.

Ai fotografoi plagët që lufta la në peisazhet përreth dhe rishikoi llogore, monumente të shumta dhe të ashtuquajturat "Fshatrat e vdekur të Francës", qytetet fantazmë të ndotura ku askush nuk mund të jetonte më kurrë pas luftës. Kjo është periudha e promovimit dhe Olsin rrallë e gjen në Bruksel. Takimin arritëm ta realizojmë në një paradite të ftohtë tetori, duke pirë çaj të nxehtë e duke iu kthyer edhe njëherë kohës kur ishte ende një çunak që babai e regjistroi në shkollën e muzikës për të përmbushur një peng të vjetër të rinisë.

*Ky post është publikuar në Tiranapost.al dhe është realizuar nga Klaudeta Skënderasi.