Opinion

3 mesazhe nga ata që na mbrojnë shëndetin

3 mesazhe nga ata që na mbrojnë shëndetin

Mirela Kumbaro

Sot është Dita Botërore e Shëndetit. Dhe para syve më dalin fytyrat pa fytyra nën uniformat mbrojtëse, të të gjithë atyre, mjekëve, infermierëve, sanitarëve, ndihmësave dhe administratorëve që punojnë në Shëndetësi.

Çdo vit përmendet kjo ditë në këtë datë, por zor se del njeri nga ne që nuk punojmë në Shëndetësi e të thotë se jemi kujtuar për njerëzit që kujdesen për shëndetin tonë.

Ra kjo pandemi për t’i kthyer sytë nga ata që sot luftojnë në vijën e parë të frontit, në grykë të topit, sy më sy me flamën, që flama të mos na prekë ne.

U shkrova nga një mesazh disa miqve të mi që punojnë në spital, në sektorë të ndryshëm të Shëndetësisë që përballen sot me COVID19. Fjalët e mëdha në një ditë si kjo janë pa bereqet. Thjesht i pyeta si mbahen, si ndjehen. Do ndaj me ju 3 prej përgjigjeve të tyre pa ua përmendur emrat, që i japin kuptim për mua Ditës së Shëndetit:
1. “Mirë deri tani. Deri vonë në punë. Po qe se mjeku ka frikë të sëmuret duhet të varë bluzën e bardhë e të ikë” dhe qeshi.
2. “Kur je në spital e harron rrezikun, jemi mësuar me të. Po virus i tmerrshëm është, aman rrini në shtëpi. Unë jam mirë, po ia kam merakun Najadës që është non stop në vijën e parë.”
3. « Deri tani mirë. Shkoj në darkë në shtëpi, pasi të kenë fjetur fëmijët, futem direkt për dezinfektim dhe direkt në dhomën që kanë lënë vetëm për mua në shtëpi dhe të nesërmen dal për në punë para se ata të zgjohen. Shihemi vetëm në facetime me kalamajtë. Pak e çuditshme situata dhe me shumë gjasë do të na lerë gjurmë kjo mënyrë jetese në vijim. Ta mundim njëherë pa do ia dalim dhe më vonë.”