Opinion

5 pikat kyçe që kanë nxitur tensionet Kosovë-Serbi, sipas Boiken Abazit

5 pikat kyçe që kanë nxitur tensionet Kosovë-Serbi, sipas

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, Boiken Abazi, ka renditur 5 pikat kyçe që kanë nxitur tensionet mes Serbisë dhe Kosovës.

Abazi shpjegon pse mendon se si Serbia, ashtu edhe Rusia po presin zgjedhjet në SHBA për veprimet e mëtejshme dhe pse nuk duhet pritur ajo ditë.

Postimi i Boiken Abazit

1. Serbia nuk ka për ta njohur pavarësinë e Kosovës në një të ardhme të afërt. Serbia dëshiron të presë zgjedhjet presidenciale në Amerikë për të parë nëse një administratë e re amerikane krijon një situatë më të favorshme gjeopolitike për Rusinë dhe Serbinë, në mënyrë që të çojë para intersat e saj në Ballkan. Edhe Putini dëshiron të presë zgjedhjet presidenciale në ShBA, për të parë nëse do krijohet nje situatë më e favorshme gjeopolitike në lidhje me luftën gjenocidiale që ka nisur në Ukrainë.

2. Partia "Lista serbe", krijuar e drejtuar nga Beogradi, është produkt i negociatave të Hashim Thaçit. Hyrja e saj në institucione nuk integroi serbët e Kosovës, por planet e Vuçiqit per minimin e shtetit të Kosovës edhe nga brenda. Dalja e saj prej institucioneve me urdhër të Beogradit ka rrëzuar iluzionin se ajo parti ishte integruar brenda institucioneve. Para saj, parti të tjera të serbëve që e njihnin pavarësinë e Kosovës ishin më të fuqishme, dhe mund e duhet të punohet që parti të tilla bashkëpunuese të fuqizohen sërish tani që "Lista serbe" ka dalë nga institucionet.

3. Ndërkombëtarët aleatë me Kosovën duhet të nxjerrin mësime nga gabimet e kryera në të kaluarën me Serbinë, siç kanë nxjerr mësime me Rusinë. Një Serbi që vazhdon e ledhatohet nga Perëndimi, ndërkohë që koordinohet me Rusinë dhe Kinën, nuk është rrezik vetëm për Ballkanin, por edhe për Perëndimin. Në Perëndim e dinë këtë, por ende nuk kanë vendosur ta sanksionojnë Serbinë. Pa u sanksionuar e shtrënguar Serbia, ajo do përbëjë një kërcënim edhe më të madh për sigurinë.

4. Politikanët shqiptarë që nuk i kërkojnë Perëndimit të sanksionojë Serbinë, por i kërkojnë Qeverisë Kurti të tërhiqet e të pranojë kërkesat e Serbisë, bëjnë, dashje-padashje, lojën e Serbisë dhe Rusisë.

5. Fitorja e Ukrainës ndaj luftës gjenocidiale të Kremlinit, dhe fitorja e Kosovës ndaj agresionit të vazhdueshëm nga Beogradi, janë dy çështje që sot nuk janë aq të ndara nga njëra-tjetra. Ndalja e Rusisë në Ukrainë dhe e Serbisë në Kosovë, e më gjerë në Ballkan, mund dhe duhet te realizohet paralelisht, para zgjedhjeve të radhës presidenciale në ShBA.