Opinion

A do e pyesë bota veten pasi të zgjidhet problemi i koronavirusit?

A do e pyesë bota veten pasi të zgjidhet problemi i koronavirusit?

Në krahët e Atit ...

Emergjenca globale e koronavirusit po nxjerr në pah cdo ditë e më shumë brishtësinë tonë njerëzore përballë frikës dhe të panjohurës.
E pra sëmundjet letale vrasin çdo ditë njerëz në botë, luftërat po shfarosin qindra mijëra e miliona njerëz, aborti është një genocid i vërtetë, uria bën kërdinë, fatkeqësitë natyrore po ashtu.

A do ta pyesë bota veten pasi të zgjidhet problemi i koronavirusit?
A do të reflektojmë se nuk janë mbylljet e kufijve dhe ngritja e mureve zgjidhja e problemeve tona?
A do të bindemi se nuk është grumbullimi i pushtetit dhe i parave shëlbimi i jetëve tona?
A do të kuptojmë se në thelb të çdo gjëje qëndron dashuria për njëri - tjetrin?
A do të duam të gjithë bashkë të ndërtojmë një botë më të mirë e një shoqëri më të jetueshme?
A do të mendojmë për një çast se kemi një Zot mbi ne dhe për ne që na don pafundësisht?
A duam ta bëjmë dashurinë themelin e qytetërimeve tona?
A do të duam të çohemi çdo mëngjes me dëshirën e një jete të re që na befason?
E të mbyllim ditën me dëshirë për të pritur të nesërmen?

Nuk i di përgjigjet e shumë prej këtyre pyetjeve. Do të dëshiroja të ishin përgjgije pozitive: po, po, po!

Di edhe që kemi shumë frikë e që vendet e pasura janë ato më të frikësuarat, sepse kanë çka humbin. Vendet e luksit po tremben më së tepërmi. E pikërisht këto vende duhet ta pyesin veten më shumë se kushdo.

E të gjithë neve kjo frikë duhet të na bëjë më të fortë e më të vetëdijshëm e sidomos më njerëzorë e më të paqtë me njëri-tjetrin.
Frika vritet vetëm kur jemi bashkë. Ashtu sikurse një fëmijë në errësirë nuk ka frikë nëse i ati është me të, ashtu edhe ne kemi një Atë që është gjithmonë me ne edhe kur përreth ka frikë e pasiguri. Është një Atë që nuk na braktis, një Atë i mirë.

Prandaj sonte para se të flini thuajeni një lutje "Ati ynë" e braktisuni në krahët e tij plot dashuri.

Natën e mirë!

+ dom Gjergji