Opinion

A do t`i japë kjo krizë fund epokës së paaftësisë?

A do t`i japë kjo krizë fund epokës së paaftësisë?

Nga Luciano Fontana/ Një nga mësimet e shumta që na jep COVID-19 është ai i përulësisë. Disa udhëheqës ndërkombëtarë e kanë nënvlerësuar prej kohësh këtë pandemi, duke e krahasuar me një grip të zakonshëm, madje u tallën me ato vende që morën masa drastike për ta frenuar. Këta liderë kanë pasur gjithmonë një qasje populiste dhe kanë rritur zgjedhjet e tyre duke injoruar ato të të tjerëve. Sot, për fat të keq, numërojnë dhjetra, qindra e mijëra të prekur dhe të vdekur. Shpresoj që kur të përfundojë kjo dramë, qytetarët dhe pushtetarët të jenë më të përulur.

Ndoshta Gjermania dhe Franca kanë menduar në fillim se kjo ishte diçka vetëm e Kinës dhe pastaj e Italisë, por jo. Ky virus nuk njeh kufij, nuk dallon popujt dhe tani po i vë të gjithë në provë. Edhe qeveritë më skeptike janë detyruar të marrin masa.

Vdekja, vuajtja dhe urgjenca shëndetësore janë fatkeqësisht të zakonshme. Trump dhe Johnson (ky i fundit i prekur personalisht nga koronavirusi) duhej të ndryshonin rrënjësisht pozicionin e tyre. Reagimet sipërfaqësore herë pas here shfaqen, por janë gjithnjë e më të rralla. Sigurisht që askush prej nesh nuk mund ta imagjinonte, madje as në mendimet e tij më të errëta, një krizë të këtij lloji. Sidoqoftë, shkalla e mosgatishmërisë dhe improvizimit ishte shumë e lartë.

Unë mendoj se është edhe efekti i asaj që ka ndodhur në dekadat e fundit me lulëzimin e liderëve që duhej të pëlqeheshin, të merrnin shumë ‘like’, në vend që të përgatiteshin dhe të kishin një strategji të fortë për të ardhmen e vendit të tyre. Tani le të shohim me admirim dhe të varemi plotësisht nga mjekët dhe shkencëtarët, të kuptojmë më në fund sesa të rëndësishme janë trajnimet dhe hulumtimet në këto fusha. Është një mësim për të mos bërë më gabime, për të kuptuar se cilat janë përparësitë e vërteta për vendin, për qytetarët dhe për qeveritë e tyre.

*Burimi Corriere.it