Opinion

Alketa Vejsiu, editorial për koronavirusin: I vetmi rast ku s’më pëlqen shpejtësia dhe thirrja ime për mediat

Alketa Vejsiu, editorial për koronavirusin: I vetmi rast ku s’më

Ju kujtohen kohët kur nuk e rrufisnim informacionin me oreksin që na ka hapur media dixhitale?

Ishte jetë pa telefona, lajmi bënte 24 orë ciklin e tij, derisa shtypshkronjat të kishin shtypur gazetat e ditës në orët e para të mëngjesit - kishte adrenalinë në redaksi për lajmin e ditës; një përshëndetje për shitësin tek kioskat ku shiteshin gazetat dhe një kafe mëngjesi ku artikujt lexoheshin me erën e freskët të shtypshkronjës, ishin një kënaqësi e veçantë (sot, gjithmonë e më pak në numër, mediat ia kanë dalë të mbijetojnë edhe në print); gazetarët ishin më shumë në terren dhe më pak në riciklimin e të njëjtit lajm nga karrigia e tryezës së tyre të punës...

Ishte gjithçka pak e ngadaltë… megjithëse unë e pëlqej energjinë dhe gjërat që ndodhin shpejt, ka plot gjëra të cilat duhen shijuar ngadalë.

Përfshirë sfidën e profesionit të gazetarisë, që sikundër disa profesione të tjera, është gjithmonë në linjën e parë të shërbimit të qytetarëve edhe në kohë të vështira.

Dhe pikërisht në kohë të vështira për cilindo nga ne, lind detyra që të informojmë me përgjegjësi, por edhe të inkurajojmë, të mos krijojme panik, të frymëzojmë, të çlodhim frikën kolektive që merr shpeshherë peng logjikën.

Sot, gjithçka rrjedh rrëmbyeshëm dhe shpejt, çdo gjë e vogël zmadhohet nga lupa e një telefoni... Një lajm i zakonshëm, vetëm për shkak të përhapjes së menjëhershme virale nga reporterët online (media apo njerëz të zakonshëm) bëhet “i jashtëzakonshëm”.

Krejt papritur, në komunitete të ndryshme mund të gjesh 40 njerëz që flasin në të njëjtën kohë për të njëjtën temë. Ja kështu u bë Corona edhe në Shqipëri sot, kurora e jetës sonë, hiti i ditës.

Së vetmes që i është bërë nder është patjetër birra që ka të njëjtin emër (të gjithë e dimë që ajo s’ka virus brenda), ndërsa gjithkujt i janë tronditur themelet e ekzistencës. Të gjithë frikësohemi nga misteri i dy gjërave; parashikimi i së ardhmes dhe vdekja. Ky virus që po na vjen rrotull, për fat të keq, i mbart të dyja këto mistere.

Sot, megjithatë, Corona më bëri ta shoh situatën me një optikë tjetër. Duket si surreale kjo histori, por ky patogjen i vogël i padukshëm mund të mposhtet.

Sot, Corona më kujtoi Garcia Marques dhe “Dashuri në kohërat e kolerës”; sot pata dëshirë ta rilexoj atë libër që e kam shijuar si një romancë të jashtëzakonshme të letërisë botërore në kohët e gjimnazit.

Nga kujtimi i atij libri që m’u zgjua, po skicoja një jetë tjetër, si dikur.

Por edhe nga thirrja e përsëritur e fqinjëve italianë “qëndroni në shtëpi!”.

Kujtohuni pak për kohët kur, edhe pse televizori ishte bardh e zi, uleshim dhe prisnin ndonjë show televiziv me kërshëri. Ekrani i televizionit ishte bota jonë, ishte liria jonë me ngjyra, ishte një kënaqësi bazike, por prodhonte emocione të mira dhe gëzim.

Ju kujtohet kur, në fund të javës, ftonim ndonjë të afërm e secili kishte bërë gatimin e tij tipik, sallatën ruse, pak pulë me oriz, dikush sillte mish e dikush sillte peshk. Kjo ishte festa jonë në familje.

Keni dëgjuar për atë ritual aq të bukur të jetës që hebrenjtë e quajnë “shabat”? Shabat nis kur dielli perëndon të premten. Njerëzit mblidhen çdo fundjavë me familjen, puthin bukën dhe falënderojnë Zotin për çdo të mirë, pine lëng rrushi si bekim për verën që shoqëron vaktin, shtrohet një menu me shumë zgjedhje për të rikompensuar ato vlera ushqyese që trupi nuk ka marrë gjatë javës, flitet me fëmijët për ngjarjet më të gëzuara e më të trishtuara të javës; në këtë ritual telefonët degdisen në ndonjë raft të kyçur dhe njerëzit janë bashkë për të celebruar dashurinë dhe jetën.

Ju kujtohet, besoj, edhe "Dashuria në kohët e kolerës", ku në një anije në rrjedhën e një lumi Fiorentino Ariza dhe Fermina Daza u takuan, u rigjetën për t’u dashuruar fort aty ku e kishin lënë pas gjysmë shekulli. Për të na kujtuar që dashuria është si kolera kur gjendet, por e humbasim, kur na mungon... ther tamam si ajo sëmundje, shkakton dhimbje të thella e të forta që prekin muskujt, nervat, zemrën.

Por është edhe çlirim, është manifestini më i bukur i lirisë, është përmbushje, është pasion.

Romancën në këtë novelë dy protagonistët kryesorë e gjetën në moshë të thyer me 50’ vite distancë në mes, por e gjetën dhe e rijetuan jo si një dashuri platonike, as si një dashuri të fabrikuar të rriturish plot me kompromiset që sjell jeta e çdo dite, por thjesht si një “vertigo” për liri totale, brenda kabinës së një varke, ku ndjesia është ajo e “dashurisë që pushton jetën, por edhe vdekjen…”

Dashnorët e vërtetë të jetës ekzistojnë jashtë kohës, jashtë shoqërisë konvencionale, ata pushtohen duke lënë veten të lirë në një emocion që është më i madh se ata, aq i pushtetshëm sa dhe irracional, aty diku në fund të jetës ku Dashuria u duk si rifillim (referuar librit).

Aty ku Corona duket si rifillim i një momenti për të dashur më shumë veten, jetën dhe tjetrin. Atë/ Njeriun tonë të dashur, që kur na mungon si Corona, na bën të mos marrim frymë, dhe atë që, si ilaçi i Coronës (dashuria), na bën që të mbushim mushkëritë me ajër.

Jetojmë në kohën e koronavirusit, një virus për të cilin s'ka ende një antivirus, sepse as mjekësia dhe asnjë mendje gjeniale s'mund të parashikojë misterin më të madh të jetës: të ardhmen.

Ndaj, e vetmja rrugë shpëtimi për ta mundur është sërish dashuria!

Mbase thirrja që vjen nga Italia fqinje “të rrimë në shtëpi” nuk është një izolim me sakrifica. Është një ftesë e bukur për të qëndruar me ata që duam pak më shumë, për të parë filma, për të luajtur me letra, për të dëgjuar muzikë, për të lexuar një libër të mirë, për të shpenzuar kohë në kuzhinë, për të gatuar ca krepa, ca petulla a një kek me mollë për fëmijët tanë.

“Jeta nuk është ajo që ke jetuar, është ajo që të kujtohet dhe ashtu siç të kujtohet për ta rrëfyer”,- shkruan diku Gabriel Garcia Marquez, ndaj le të rrimë më shumë në shtëpi jo të frikësuar, por të lumtur, që t’u rikthehemi disa ritualeve të thjeshta që të japin mundësinë të bësh të gjitha gjestet e dashurisë që në vrapimin e një jete frenetike i harrojmë.

“Të rrimë në shtëpi” është bukur!

Në këtë ditë, kur për të parën herë Corona është një kërcënim që dobësohet derisa vdes, kur njerëzit zgjedhin të qëndrojnë në shtëpi duke përdorur DASHURINË si mburojë.

Në kohët më të errëta të njerëzimit, në luftërat më të ashpra, në ngjarjet më të tmerrshme, njerëzit janë dashuruar, kanë bërë dashuri.

Nëse do të jetë e gjatë koha që mund të na duhet për të qëndruar në shtëpi, le të lexojmë ose shohim filmin e “Dashuri në kohët e kolerës” ose le të shkruajmë një novelë të kohës sonë me titull “Dashuri në kohën e Coronavirusit”...