Opinion

Armët, çeliku dhe sëmundjet, përcaktuan epërsinë e evropianëve mbi pjesën tjetër të botës

Armët, çeliku dhe sëmundjet, përcaktuan epërsinë
Nga Andrea Muratore

Evolucioni i qytetërimeve? Diktohet nga balancat politike dhe ushtarake. Formësohet në vazhdën e aftësisë së njerëzve për të pasur qasje tek lëndët e para dhe burimet. Por mbi të gjitha, përcaktohet nga rezistenca e popujve ndaj ndryshimeve sistematike të diktuara nga natyra.

Përqendrimi i ndikimit të zonave të ndryshme të botës tek historia, është sipas studiuesit, etologut dhe sociologut Xhared Daimond, i kombinuar midis 3 faktorëve:aftësisë teknike për të zotëruar armët ekonomike, industriale dhe ushtarake për të krijuar dhe ruajtur zhvillimin; qasjen tek lëndët e para funksionale për ta fuqizuar këtë teknikë, me metalet dhe çelikun qëështë i aftë të bëjnë diferencën për një kohë të gjatë; dhe nga rezistenca ndaj patogjenëve dhe aftësia për t’i përdorur sëmundjet, qëllimisht ose jo, për të goditur popujt armiqësorë.

Ky është me pak fjalë thelbi i librit “Armët, çeliku, sëmundjet”, fitues i çmimit Pulitzer nëvitin 1998, me të cilën Daimond prezantoi një teori evolucionare të specieve njerëzore bazuar në këta përcaktorë të saktë. Autori e nis librin me një pyetje ambicioze:“Ne të gjithë e dimë se popujt e pjesëve të ndryshme të botës kanë pasur histori shumë të ndryshme. Gjatë 13.000 viteve që kanë kaluar nga fundi i epokës së fundit akullnajore, kanë lindur në disa raste shoqëri të vërteta industriale, në disa raste shoqëri bujqësore pa një kulturë e shkruar, ndërsa në të tjera fise gjahtarësh-mbledhës të pajisur vetëm me vegla guri”.

“Këto pabarazi kanë pasur një rëndësi thelbësore në punët e planetit, sepse popujt e industrializuar që zotëronin një kulturë të shkruar, i kanë pushtuar ose shfarosur gjithë të tjerët. Këto dallime janë baza më evidente e gjithë historisë së botës, por shkaqet e tyre mbeten shumë larg nga të qenit të qarta. Atëherë, nga e kanë origjinën?- pyet ai.

Për Daimond përgjigja qëndron tek triptiku armë-çelik-sëmundje, duke u nisur nga përcaktimi i parë historik i përparimit njerëzor:revolucioni bujqësor dhe blegtoral, që në rajone të mëdha çoi në vendosjen progresive të popujve në fundin e epokës së Neolitit në zonat pjellore të Anadollit, Mesopotamisë, Indisë, Egjiptit, Kinës dhe dy Amerikave.

Gjeografia dhe mjedisi, e kanë formësuar shpejtësinë e përhapjes së bujqësisë, dhe së bashku me të, edhe afrimin midis kafshëve dhe njerëzve. “Vetëm një numër çuditërisht i vogël gjitarësh barngrënës tokësorë janë zbutur në historinë njerëzore”- vëren eksperti.

“Për të qenë të saktë, 14 prej tyre. Pesë janë përhapur në të gjithë botën (delet, dhitë, lopët, derrat dhe kuajt) dhe 9 kanë arritur njëfarë rëndësie vetëm në zonën e origjinës nga devetë tek lamat. Epoka e gjitarëve të mëdhenj shtëpiakë filloi me delet, dhitë dhe derrat 8000 vjet më parë, dhe mbaroi me devetë 2500 vjet më parë, pastaj asgjë më shumë.

Gati që të gjitha sukseset në këtë fushë janë përqendruar në kontinentin Euroaziatik, dhe kjo ka përfaqësuar një fakt me rëndësi të madhe në historinë e njerëzimit. Bujqësia dhe blegtoria bënë të mundur lindjen e komuniteteve të para të qëndrueshme, i kanë ndihmuar ato ndër shekujt q të menaxhojë proceset e zoonozës, pra transmetimin viral të patogjenëve nga kafshët tek njerëzit, duke i bërë popujt evropianë më rezistentë se ata të Amerikës Latine.

Ndërkohë gjeografia ka luajtur një rol vendimtar në përhapjen e njohurive teknologjike. Duhet theksuar se popujt e botës mund t’i pranojnë shpikjet e fqinjëve të tyre me lehtësi më të madhe ose më të vogël në proporcion me lidhjen e tyre tokësore me ta. Shoqëritë bujqësore të qëndrueshme krijuan bashkësitë e para të organizuara. Kompleksiteti i shteteve lindi pikërisht nga nevoja për të organizuar prodhimin, dhe evoluoi për të krijuar institucione, objektiva strategjikë, perspektiva ekspansioniste.

Diamond i jep gjeografisë rolin kryesor në përcaktimin e proceseve historike. “Pse nuk prodhoheshin vegla metalike në Australi, pse nuk mbërriti aty shkrimi, dhe pse nuk u krijuan shoqëri komplekse?”– pyet ai në libër.

Sepse këto përparime janë të rezervuara për disa popullata të mëdha fermerësh, ndërsa aborigjenët mbetën gjithmonë gjuetarë-mbledhës, duke mos gjetur hapësirë ??për të zhvilluar një kulturë bujqësore në një tokë, ku “thatësia, steriliteti dhe pasiguria klimatike e kufizuan numrin e banorëve në disa qindra mijëra, në dallim nga dhjetëra miliona banorë në Kinë”.

Shembullin më ekstrem e gjejmë tek tazmanianët, qy mbetën për 10 mijë vjet të izoluar nga bota, si pasojë e rritjes së nivelit të detit pas Epokës Akullnajore. Kur evropianët mbërritën atje në vitin 1642, panë se tazmanianët zotëronin kulturën materiale më elementare në botë, pa teknologji, pa asgjë të papërshtatshme për përdorim armësh, dhe të pa ekspozuar ndaj patogjenëve evropianë.

Popullsia vendase vdiq në kontaktin e parë me sëmundjet e kolonizatorëve. Përzierja e armëve-çelikut-sëmundjeve, ose shuma e epërsisë ushtarake, efikasitetit më të madh teknologjik dhe aftësisë maksimale për t’i rezistuar patogjenëve, ishte për Daimond guri i themelit për zgjerimin kolonial të evropianëve midis shekujve XV-XIX.

Në fakt, Diamond u jep një rëndësi gjithnjë e më të madhe këtyre tre elementëve, duke e cilësuar sëmundjen si ndryshuese e vërtetë të situatës:”Fruthi, lija, gripi, tifoja, murtaja dhe sëmundje të tjera shfarosën popujt e kontinenteve të tëra, dhe ishin aleatë të fuqishëm të evropianëve”- shpjegon ai.

Veç kësaj, Daimond thotë se perandoritë si ajo e Romës, ishin në gjendje të menaxhonin më mirë marrëdhëniet midis hapësirës, madhësisë së fuqisë dhe menaxhimit të burimeve. Qytetërime të tjera, siç ishte ai kinez, zgjodhën të dënoheshin me vetë–izolimin, duke humbur avantazhe të rëndësishme teknologjike midis shekujve XV-XVII.

Burimi: Bota.al