Opinion

Austria fillon në Ballkan – me një duhmë të rëndë...

Ryshfet, korrupsion, gazetarë të blerë, portale shpifëse, anketa të manipuluara: tingëllon si në Ballkan, por duket se krejt kjo ka ndodhur edhe në Vjenë. Por për dallim nga Ballkani, në Austri ende ka prokurorë që nuk frikësohen të bastisin edhe zyrat e kancelarit. Edhe sa mund të qëndrojë në pushtet kancelari Sebastian Kurz, të cilin e çonte në qiell Richard Grenelli?

Austria fillon në Ballkan – me një duhmë të

Enver Robelli

? Një legjendë thotë se Ballkani fillon në Vjenë. Domethënë: në Ballkan ka korrupsion, ryshfetdhënie, keqpërdorime, manipulime, keqpërdorime. E çka jo tjetër! Thuhet se autor i fjalisë “Ballkani fillon në Vjenë” është sundimtari i Austrisë, princi Klemens Wenzel Lothar von Metternich. Historianët janë të bindur se princi Metternich nuk e ka thënë këtë fjali. Por, s’ka lidhje: e ka thënë apo jo, fjalia e bën xhiron nëpër media perëndimore që nga shekulli i 19-të.

? Tani legjenda austriake duhet të korrigjohet. Ballkani nuk fillon në Vjenë, as askund në Austri, por Austria fillon në Ballkan! Së paku sa i përket korrupsionit, ryshfetdhënies, mashtrimit, mediave të blera, “gazetarëve” dhe politikanëve me ambicie kriminale.

? Çfarë ka ndodhur? Sot hetuesit policorë (civilë dhe të armatosur) kanë bastisur selinë e partisë konservatore austriake ÖVP dhe selinë e kancelarit Sebastian Kurz.

? Kurz dhe bashkëpunëtorët e tij dyshohen se për ta sjellë në pushtet Kurzin kanë blerë raportime pozitive në media. Projekti ka ecur kështu: e kanë gjetur një portal, ia kanë paguar mbi 1 milion euro nga buxheti dhe portali pastaj ka botuar lloj-lloj bërlloku, për shembull anketa të rrejshme se Kurzi, më 2016 ende 29-vjeçar, është politikani më i popullarizuar në Austri. Austriakët dhe austriaket e kanë hëngër karremin. Kurz u bë kancelar. Bëri koalicion me radikalët e djathtë të FPÖ-së, një parti që në mesin e saj ka adhurues të nacionalistëve serbë, duartrokitës të gruas së Arkanit dhe simpatizantë të Adolf Hitlerit. Çfarë miksi! Por kjo qeveri nuk pati jetë të gjatë. U zbulua se dy politikanë të FPÖ-së kishin vajtur në një vilë në Ibiza të Spanjës, kishin takuar një grua që ishte prezantuar si bija e një oligarku rus dhe i kishin premtuar asaj se kur të vijnë në pushtet do t’ia shesin gjysmën e Austrisë, përfshirë edhe mediat. Sepse, siç kishte thënë njëri nga politikanët e FPÖ-së, “gazetarët janë kurvat më të mëdha të kësaj bote”. Kjo nuk është e vërtetë, por – fatkeqësisht - e vërtetë është që në gazetari arrijnë të depërtojnë edhe kurva (dhe kriminelë). Si në Ballkan. Pas publikimit të videos nga takimi në Ibiza, qeveria austriake ra nga pushteti. Skandalin e zbuluan mediat gjermane (“Süddeutsche Zeitung” dhe “Der Spiegel”).

? Në zgjedhjet pasuese parlamentare partia ÖVP e Sebastian Kurzit fitoi sërish. Lidhi koalicion me të Gjelbrit dhe Kurz sërish u bë kancelar. Pas bastisjeve të fundit mediat serioze austriake pyesin: edhe sa mund të qëndrojë në pushtet Kurzi? Edhe sa do ta mbajë atë në pushtet partia e gjelbër?

? Kurz është shquar si adhurues i madh i autokratëve të Ballkanit. Më 2016 e ka përkrahur në fushatën elektorale Nikolla Gruevksin e Maqedonisë, një autokrat që ka keqpërdorur pushtetin për vjedhje, terror ndaj opozitës dhe përgjim qytetarësh. Gruevski humbi zgjedhjet dhe iku te miku i tij hungarez Viktor Orban, edhe ky një adhurues i madh i autokratëve të Ballkanit. Ndër përkrahësit më të mëdhenj të Kurzit ka qenë kush tjetër pos Richard Grenelli. Argati i Donald Trumpit fluturoi në Vjenë për të festuar fitoren elektorale të Kurzit, i cili shihej si kundërshtar i Angela Merkelit në skenën e politikës europiane. Në fillim të shtatorit Kurz vajti në Beograd dhe nga duart e presidentit autokrat Aleksandar Vuçiq pranoi një dekoratë të lartë të shtetit serb. E lavdëroi Serbinë për përparimin e arritur, nuk tha asnjë fjalë kundër korrupsionit dhe krimit në Serbi.

? Ndoshta ndokujt në Kosovë i kujtohet afera e pasaportave biometrike. Po, kriminelë kosovarë të pushtetit dhe të afërt me pushtetin dyshohet se i kishin kërkuar para firmës austriake që do të shtypte pasaportat biometrike kosovare. Por ishte firma shtetërore austriake që dyshohet se pagoi ryshfet për të marrë tenderin e pasaportave. Si përherë barrën e bart i dobëti: në arbitrazh Kosova humbi 6,5 milionë euro. Austria fillon në Ballkan – me një duhmë të rëndë...

? E tash? Çka tani pas skandalit të fundit në Vjenë? Nuk përjashtohet mundësia të ketë zgjedhje të parakohshme. Së paku kështu supozojnë mediat gjermane si “Süddeutsche Zeitung”, të cilat janë afër zhvillimeve politike në Vjenë. Situata është dramatike për një vend të Bashkimit Europian: një kancelar që dyshohet se ka manipuluar opinionin publik dhe rrjedhimisht vullnetin demokratik të qytetareve dhe qytetarëve. Një kancelar që me para të taksapaguesve e blen popullaritetin e tij dhe me këtë metodë mbase ka arritur të futet në zyrën e kancelarit – a i duhet një politikan i tillë Austrisë? More, as ndonjë republike të bananeve në Ballkan nuk i duhet. Lëre më Austrisë.

*Tiranapost.al.