Opinion

Big Brother përballë X Factor dhe çfarë tregon për ne si shoqëri!

Në këtë shënim nuk marrim përsipër të gjykojmë shijet e audiencës apo të mbrojmë një palë. Qëllimi është për të parë dy realitete. Një spektakël që kërkon të zbulojë talente dhe një tjetër që merr “talente” dhe i shohim teksa zihen apo bien në dashuri, pak rëndësi ka. Janë që të dyja formula që kanë pasur sukses në botë. Në Shqipëri Reality Show i Big Brother i merr të gjitha numrat dhe dominon debatin në rrjet. Në spektakël talentesh kjo duket shumë e vështirë, përballë bishës së thashethemit dhe jetës së tjetrit. Është e kuptueshme, por jo e paetiketueshme dhe një reflektim për të gjjthë ju që flisni e jepni moral në rrjet, për ju që kur shikoni një shqiptar që bëhet i madh e i suksesshëm, turreni t`i bashkoheni shqiptarisë e bëheni krenarë. Por çfarë bëjmë ne për talentet? A i mbështesim ato kur janë duke shpërthyer, duke luftuar? Joo, fatkeqësisht Jo. Por s`është asnjëherë vonë.

Big Brother përballë X Factor dhe çfarë tregon për ne

Ato nuk transmetohen në të njëjtën ditë. Big Brother ka dy prime në javë të martë dhe të shtunë, kurse X Factor çdo të premte. Megjithatë zhurma e Big Brother është shumë më e madhe, audienca gjithashtu. Mjafton të shohësh vëmendjen që portalet i japin secilit program, ndjekësit në Instagram apo edhe të mbash vesh në tavolinat rreth e rrotull në kafene.

Big Brother përballë X Factor dhe çfarë tregon për ne

Big Brother përballë X Factor dhe çfarë tregon për ne

Mos na thoni tani që s`mbani vesh tek të tjerët, sepse të shikosh Big Brother është pikërisht kjo gjë. Të ndjekësh një grup njerëzish që rrinë, hanë, pijnë, tymosin, lahen, flenë, puthen dhe mbi të gjitha zihen. Zihen për cigaret, zihen “përse më pe” e deri për të mbathurat. Si kryedebati i ditëve të fundit mes dy aktorëve në Big. Disa thonë se ky debat është fake.

E ndërkohë që ndjekim këtë skenë, ndoshta edhe të stisur, humbasim skenën e vërtetë. Atë të X Factor, që u rikthye pas 7 viteve mungesë.

Të rinj e të reja plot talent dhe ëndrra, ngjiten çdo javë në skenë. Aty ka show, ka art, por ka edhe histori e momente prekëse. Ka të rinj si Kev, krijues, këngëtar, superyll që ka humbur babain 6 muaj më parë, por problemet i ka lënë në shtëpi. Është Anisa, mbase një Aurela Gaçe e ardhshme. Por jo. Asnjëri nuk është mjaftueshëm të thyejë audiencën e të parit nga vrima e çelësit të BBVip. Aty ku në fakt jo të gjithë janë Vip.

Vipat e vërtetë janë në skenën e X Factor. Aty mund të jetë një Rita Ora, një Dua Lipa, një Bebe Rexha, një nga këto që na bëjnë krenarë pastaj kur ikin jashtë e postojnë foto me duart si shqiponjë. E në fakt ne nuk do t`i njohim edhe pse i kemi pasur kaq pranë. Ne ishim të zënë duke konsumuar kohën e jo duke e investuar atë.

Se në fund fare, në rastin më të mirë, askush s`do mbajë mend debatet e BBVip, por Elhaida Danin e dalë nga The Voice of Italy apo Arilena Arën e dalë nga X Factor, sot në juri!