Opinion

Burrat dhe mizogjinia? Gratë e Big Brother po kujdesen vetë t'ia nxijnë njëra-tjetrës dhe atyre që i ndjekin nga shtëpia

Burrat dhe mizogjinia? Gratë e Big Brother po kujdesen vetë t'ia

Rrugaçe! Mbaje veten, bëhu femër! Shiko dashnorin! Goca e mamit! Lilipute!

Nuk janë shkëputur nga ndonjë fjalor zhargoni, janë marrë direkt dhe nga “shtëpia më e famshme në Shqipëri”. Shtëpia e Big Brother e mbushur plot me vajza e gra të njohura, të bukura, të veshura, të kuruara që ke qejf t`i shikosh, por fatkeqësisht jo t`i dëgjosh. Përtej fustaneve me xixa, make up-it të fortë, zbukurimit të look-ut, brenda jemi si një foto bardhezi, e ngelur në kohë.

Që kur ka filluar, ato janë në një luftë të ashpër verbale me njëra-tjetrën të tipit “Ç`je ti” e “ç`jam unë”. Thënë dhe stërthënë, Big Brother është një lojë nervash, padyshim, por sidomos në këtë edicion vajzat po kujdesen që t`ia bëjnë më të vështirë njëra-tjetrës duke zhveshur vetveten.

Se ne themi shpesh burrat dhe mizogjinia, por a mos këto vajza po e paragjykojnë, shajnë dhe dhunojnë verbalisht njëra-tjetrën vetë të parat?

Problemi nuk është tek emrat e përveçëm të protagonisteve, - të cilat meqë janë e jemi vajza, nuk po i përmendim. Ato e kanë zgjedhur rrugën e tyre dhe i kanë vënë punët në vijë. Janë vajza ekrani, disa me më pak e disa me më shumë popullaritet.

Problemi është tek ato që i dëgjojnë. Problemi është sesi programi më i ndjekur në vend rrezikon të shtojë paragjykimet, e në vend që të thyejë tabu po dëshmon se jemi shoqëri në regres.

V1: Nuk e di me çfarë burrash ke qenë që s`ka marrë dashuri në jetë

V2: Kam një fëmijë dhe e kam bërë me dashuri.

V1: Po je sot me babain e fëmijës?

V2: Ç`rëndësi ka? Pse ti që i ke prindërit të divorcuar je bërë pa dashuri?

V1: Jo, se prindërit e mi nuk janë martuar me shkuesi.

V – nuk është për Vip, që të kuptohemi. Është për “vajza”.

Ky nuk është një dialog që shenjëstron vetëm vajzat në fjalë, por të gjithë ata fëmijë që po rriten nga nëna single, nga prindër të ndarë dhe po ashtu të gjitha ato vajza që ende detyrohen të martohen me shkuesi. Është si t`u thuash edhe atyre se fëmijët që po rrisin, i kanë bërë pa dashuri.

Apo një dialog tjetër:

Vajza – Djalit që pëlqen: Shkove kërceve me atë që e ka kërcyer gjysma e rruzullit tokësor.

Po edhe nëse, çfarë pastaj? A ka televizioni një etikë, në mos njerëzillëku ka humbur? A duhet të ketë filtra, se jo çdo gjë që mendohet duhet të thuhet? A mban dikush përgjegjësinë për këto deklarata apo flasim një orë në prime, i lëmë të zihen edhe më keq dhe u bë programi!!!

Por ajo që po ndodh në këtë edicion nuk paralajmëron spektakël, skandale dhe tronditje, lot dhimbje dhe gëzimi, një vip që thyen tabu e vret një mentalitet me sinqeritetin, me historinë, me guximin. Ajo që po ndodh në këtë edicion: Një komunikim i dhunshëm, arrogant dhe sidomos i pasinqertë. Asnjë vajzë apo djalë sot nuk meriton simpatinë e publikut. Sa keq!

Me siguri nuk është e lehtë të gjesh Vip-a që ofrojnë përparimin dhe pranojnë të futen në një reality show, por deri në këtë pikë s’kishim parë.

Noçja, Adelajda, Einxhel, Beatrix, edhe plot vajza të tjera nga edicionet e shkuara kanë treguar dinjitet, secila sipas karakterit të vet.