Opinion

Coronavirus, test apo jo test?

Coronavirus, test apo jo test?

Nga Endri Xhafo

Që kur coronavirus erdhi në Shqipëri nuk kam pasur një mendim të qartë nëse duhen apo jo sa më shumë teste, ndonëse kishim shembullin e Koresë së Jugut, që e bëri këtë gjë në shkallë të gjerë. Tek e fundit unë nuk jam mjek, as epidemiolog! Si gazetar kam menduar se numri i ulët i testeve te ne në raport me vendet e tjera lidhet me mangësitë. Dhe mangësi për analiza ndoshta ka. Tamponë, kapacitete laboratorike, etj. Përderisa as KM, që e pyeta dje, dhe as ministrja e shëndetësisë, që e pyeta javën e kaluar, nuk më thanë sa tamponë ka në gjendje dhe sa është kapaciteti maksimal ditor i bërjes së analizave, apo pse nuk po aplikohet edhe imazheria me CT scan përveç tamponit - madje KM më tha se "këto informacione nuk jepen në kohë lufte si kjo që jemi", - atëherë natyrshëm mund të mendoj se jo të gjithë ata me temperaturë apo histori udhëtimi do të mund të kenë një test kur të telefonojnë në numrin 127!

Ideja m'u faneps e qartë (besoj), kur u vura përballë mundësisë për ta bërë vetë testin. Jo se kam temperaturë, kollë të thatë apo këputje. Përkundrazi! Stërvitja e fundit për maratonën e Vjenës (që u anulua) më ka bërë më "fit" se kurrë më parë; parametrat biologjikë dhe imuniteti duhet të kenë marrë një shtytje të mirë, kurse suplementet vitaminikë dhe mineralë kanë kompensuar ç'kam humbur rrugës, me stërvitjen. Shkurt, qoftë me të ndjerë, qoftë me "check-up", jam top. Por, në momentin e parë, thashë me vete "o sa mirë, të paktën ta marr vesh"! Numri i lartë i VIP-ave të infektuar me SARS-CoV-2, që e reklamojnë këtë gjë në Instagram, e ka kthyer këtë gati në një fenomen mode. Si ai simboli i vockël blu në cep të një "verified account". Mirëpo duke e menduar pak më gjatë, u ftillova që kjo historia e testit dhe e virusit bashkë me të, nuk është çështje VIP-llëku!

Dikush që rezulton i prekur me virus duhet të izolohet për 2 javë, ndonëse, siç thonë mjekët, ai mund të bëjë pjesë te ai 80% i popullsisë që do ta kalojë lehtshëm, e shumta si rrufë. Pra, duke qenë i aftë për punë, ai nuk do të punojë! Pas 2 javëve të para, nëse 2 teste të njëpasnjëshëm e nxjerrin negativ, personit do t'i duhet të qëndrojë edhe 2 javë të tjera i vetëkarantinuar, si masë paraprake mbrojtëse (me ç'po shohim nga rastet "e shëruara"). Megjithëse nuk është e qartë nëse ky dy javësh ekstra do të jetë vetëm për ata që u sëmurën me Covid-19, apo për këdo të infektuar nga virusi SARS-CoV-2. Se ti mund ta kapësh virusin, por nuk sëmuresh! Historia e 80%-shit që përmend më sipër. Gjithsesi, në rastin më të mirë do të kemi 2 javë dhe në rastin më të keq 4 javë inaktivitet total! Por mos harroni: Nëse një person rezulton pozitiv me virus, edhe pse jo i sëmurë, për masë paraprake izolohet i gjithë rrethi i tij i ngushtë familjar, pa iu bëra analiza! Edhe ata 14 ditë. Mirëpo nëse shkalla e prekjes është ajo që po na thonë mjekët, pra 60-70% e popullsisë, i bie që 100% të karantinohen! Është çështje llogarish!

Në momentin e parë kur mendova se mund të jem i prekur dhe do të më duhet të rri në shtëpi për të paktën dy javë, pyeta veten: "Kush do të më paguajë"? Punëdhënësi? Nuk e besoj. Nuk ka pse. Sigurimet shëndetësore? Në fakt për këtë duhet ta kisha pyetur KM-në. Se nëse një i prekur me virus detyrohet të rrijë në shtëpi, atëherë ai duhet të konsiderohet si çdo i sëmurë tjetër që i dërgon raportin punëdhënësit. Por sot që flasim, skema e sigurimeve shëndetësore nuk është futur në lojë për të paguar të izoluarit, ndonëse me të drejtë Dhoma e Tregtisë dhe e Industrisë së Tiranës e kërkoi këtë që në fillim.
Mirëpo tek e mendoj hollë-hollë, nuk më duhet as pagesa e cunguar e sigurimeve. Nëse kam virus SARS-CoV-2, por nuk jam i sëmurë me Covid-19, unë mund të vazhdoj jetën time normalisht. Ndaj mendoj se jo vetëm shteti, por asnjë privat që e ka mundësinë të bëjë analiza, nuk ka pse i bën! Bërja e analizave për një grup apo popullatë të caktuar që nuk ka asnjë shenjë, nuk garanton se ata që do të rezultojnë të paprekur sot, nuk do të preken pas 24 orësh! Imunologu Genc Sulçebe na sjell një shembull gati-gati laboratorik, se si disa persona që rezultuan të paprekur në valën e parë të testeve masive, rezultuan të prekur në valën e dytë, edhe pse të infektuarit e parë u izoluan. Pse? Sepse të prekurit e valës së dytë, gjatë valës së parë të testeve, thjesht kishin qenë asimptomatikë! Kjo ngjarje, që profesori e cilëson "eksperiment unik epidemiologjik", ka ndodhur në Vo' Euganeo, një qytezë me 3300 banorë në rajonin e Venetos në Itali, ku u depistuan të gjithë banorët pas zbulimit të rastit të parë. Sigurisht, mjekët do të duhet të mendojnë dhe të gjejnë se sa zgjat kjo periudhë pa simptoma, që nuk detektohet as nga analiza. Por kjo pastaj është çështje shkencore. Mua më mjafton për të më bindur për një gjë:
Nuk më duhet testi kur nuk kam asnjë shenjë. Se mund ta kem virusin, por nuk jam i sëmurë. Se mund të bëj pjesë te ai 80% i popullsisë që do ta kaloj lehtshëm dhe kjo nuk ka pse më pengon të jetoj, qoftë edhe me kufizimet e përbashkëta të distancimit social. Testi i duhet dikujt që virusi i ka shkaktuar sëmundje, për ta marrë në spital dhe për t'ia mjekuar sëmundjen, me ato ilaçe që njihen sot për sot.

Si i bëhet për të mos e përhapur virusin? Siç kemi bërë deri sot: Me distancim social, duke mos i folur tjetrit në vesh, duke ia lënë mamasë ushqimet te dera pa i dhënë dorën, duke larë duart sa më shpesh, me sapun e ujë të ngrohtë!