Opinion

Deri ku mund të shkojë stagflacioni global i 2022-shit

Deri ku mund të shkojë stagflacioni global i 2022-shit

Goditja e dyfishtë e pandemisë dhe luftës ka bërë që inflacioni të rritet në mbarë botën. Sipas një analize nga revista prestigjoze Financial Times, Stagflacioni- i njohur gjithashtu si inflacion i dyfishtë- tani mund të jetë prezent në ekonomitë botërore. Ndryshe nga parashikimet e bëra nga ekspertët se viti 2022 do të ishte një periudhë e rimëkëmbjes së fortë ekonomike dhe se bizneset do të riktheheshin në funksionim të plotë pas Covid. Por këto parashikime u bënë pa marrë parasysh pushtimin Rus të Ukrainës. Tani ekspertët e ekonomisë janë më shumë skeptikë.

Çfarë është Stagflacioni?

Stagflacioni i referohet një situate recesioni-inflacioni në të cilën norma e inflacionit është e lartë, norma e rritjes ekonomike ngadalësohet dhe papunësia mbetet vazhdimisht e lartë. Perspektiva e rikthimit të stagflacionit ngjall frikë tek politikëbërësit sepse ka pak mjete monetare për ta trajtuar atë. Rritja e normave të interesit mund të ndihmojë në uljen e inflacionit, por rritja e kostove të huamarrjes do të ulte më tej rritjen ekonomike.

A mund të kthehemi në ditët e këqija të viteve 70’

Shumë ekspertë e krahasojnë vështirësinë e tanishme ekonomike me vitet 1970, kur embargoja arabe e naftës ndihmoi në krijimin e një periudhe të zgjatur të vështirësive ekonomike. Inflacioni u rrit në norma dyshifrore dhe ekonomitë në mbarë botën ngecën. Por analistë dhe ekonomistë të tjerë thonë se nuk presin një ripërsëritje të ditëve të këqija të viteve 70’ - një dekadë plagë ekonomike që shkaktoi dhimbje si për familjet ashtu edhe për bizneset. Inflacioni nuk është ende aq i lartë sa ishte atëherë; më shumë banka qendrore janë të pavarura; dhe mbështetja fiskale po mbron më të cenuarit.

Por parashikimet duken të ftohta. Konsensusi tani është që rritja ekonomike globale të jetë mesatarisht vetëm 3.3 për qind këtë vit, nga 4.1 që pritej në janar, para luftës. Inflacioni global parashikohet në 6.2 për qind, 2.25 pikë përqindjeje më i lartë se parashikimi i janarit.

Frika nga stagflacioni

Stagflacioni ka shumë rëndësi sepse pak ekonomistë bien dakord se si ta ndalojnë atë pasi të ketë filluar. Ai gjithashtu shkakton dhimbje të mëdha, potencialisht afatgjatë për bizneset dhe klasën e mesme dhe familjet me paga më të ulëta.

“Në aspektin ekonomik, rritja është në rënie dhe inflacioni është në rritje”, thonë analistët.

Lufta në Ukrainë dhe rritja e çmimeve

“Efektet e luftës po ndihen në mbarë botën pasi rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve po ndikon më të cenuarit, veçanërisht në Afrikë dhe Lindjen e Mesme”, tha David Malpass, president i Bankës Botërore.

Por ekspertët shpjegojnë se tronditja ekonomike e luftës po ndihet më së shumti në Evropë, veçanërisht në ato vende që varen shumë nga nafta dhe gazi rus. Rajoni evropian në tërësi është shumë i cenueshëm ndaj ndërprerjeve të furnizimit me energji, me 40 për qind të gazit të BE-së që vjen nga Rusia. Shumë ekspertë janë duke paralajmëruar se një ndalim i BE-së për gazin rus do të shkaktonte një nga tërmet në ekonomi.

“Të dhënat ekonomike shpesh kanë zhgënjyer pritshmëritë dhe rritja këtë vit mund të jetë më e ngadalshme se parashikimi ndërsa inflacioni mund të jetë më i lartë se sa pritej”, thotë Fondi Monetar Ndërkombëtar.