Opinion

Disa shtete kanë hequr orën policore, por ja pse Shqipëria nuk duhet të bëjë të njëjtën gjë

Disa shtete kanë hequr orën policore, por ja pse Shqipëria nuk

Kryeministri Edi Rama me anë të një statusi në Twitter ka reaguar përkundrejt zërave në rrjetet sociale për heqjen e plotë të orës policore, e cila është zgjatur deri në orën 23:00 ditën e djeshme nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Argumenti në mbrojtje të heqjes së orarit kufizues është fakti që shtete të tjera nuk e aplikojnë.

Por, ajo çka këto argumenta neglizhojnë është se pjesa dërrmuese e shteteve në perëndim ishin në një lockdown të plotë, që përfshinte dhe të gjithë sipërmarrjen, një mbyllje ekstreme kjo që u përjetua në Shqipëri për 6-8 javë, në kohën e shpërthimit të pandemisë në vitin 2020.

Në terma konkretë, Mbretëria e Bashkuar kishte mbyllur çdo sipërmarrje, me përjashtim të atyre esencialeve (supermarkete dhe farmaci) deri në maj, ndërkohë që hapja e tanishme është e pjesshme dhe mund të frekuentohet vetëm ambjentet e jashtme të lokaleve dhe restoranteve. Pritet që hapja e plotë e sipërmarrjeve (që aplikohet në Shqipëri prej tashmë një viti), të ndodhë në datën 21 Qershor, një skenar që vihet në dyshim nga fakti se ka pasur shtim drastik të rasteve të reja me variantin indian të koronavirusit, çka ka shtyrë administratën Johnson të lerë të hapur mundësinë e spostimit së afatit të kufizimeve. Raportohet se për shkak të rregullave strike të “lockdown” më shumë se 50 mijë familjarë nuk mund të shkonin në funeralet e të afërmve të tyre.

Italia krijoi një sistem me tre fasha, ku zonat më të infektuara gëzonin më pak liri se zonat e tjera, por efektivisht me shpërthimin e valës së tretë, i gjithë vendi kaloi në “zonën e kuqe” dhe shkoi në “lockdown” të plotë. Mbyllja jo vetëm që ndalonte grumbillimet dhe vizitat, por edhe udhëtimet ndërurbane, pra njerëzit nuk mund të iknin nga qyteti apo lokaliteti i tyre, pavarësisht nevojave që mund të kishin.

Greqia, kaloi në një mbyllje të plotë në muajin shkurt, në zonën e saj më të populluar (ku jetojnë 6 milion nga 11 milion banorët e shtetit fqinj) Atikë, që u shoqërua me mbylljen e shkollave dhe pamundësoi çdo veprimtari publike, përfshirë këtu edhe shërbesat fetare. Ndërkohë, ende masa të rrepta zbatohen në ambjentet e mbyllura dhe ekonomia nuk është rikthyer në normalitet.

Franca vetëm 1 muaj më parë u rikthye në “lockdown” të plotë dhe mbylli të gjitha sipërmarrjet dhe institucionet. Ndërkohë, Zvicra, Austria, Belgjika dhe Danimarka ndonëse nuk kanë pasur orë policore kanë pritur muajin maj për të rihapur restorantet dhe baret, duke i kufizuar me ambjentet jashtë.

Mjafton kjo panoramë telegrafike për të kuptuar se përse është e pamundur që Shqipëria të krahasohet me shtetet e tjera perëndimore, në kushtet kur sipërmarrjet kanë operuar dhe jeta ka vazhduar normalisht. Masat e tjera kufizuese për ndalimin e grumbullimeve publike dhe ora policore kanë garantuar, që vendi të renditet tashmë në krye të klasifikimit të Europës për numrin e ulët të infektueshmërisë. Kur diçka provohet dhe jep rezultat, do të ishte e pamend që të braktiset si praktikë. Me shumë më pak "dhimbje" dhe kosto për ekonominë, Shqipëria arriti rezultate, që nuk u arritën as me mbylljet ekstreme që ishin "luks" që mund t'i mbijetonin vetëm shtetet më të zhvilluara nga pikëpamja financiare dhe ndonëse disa nga këto shtete nuk aplikojnë orën policore, kanë masa të tjera shtrënguese të cilat kanë që prej muajit maj 2020 që nuk i imponohen shqiptarëve.

Tiranapost.al