Opinion

E ardhmja e një opozite me lider historik 'non grata'

E ardhmja e një opozite me lider historik 'non grata'

Nertil Jole/ 19 Maji 2021 nuk është thjesht një datë kalendarike, nga ato që Sali Berisha nuk do ta harrojë dot kurrë. Ajo është së pari një ditë që fatkeqësisht nuk e nderoi imazhin e Shqipërisë, që në tre dekada pluralizëm ka patur një rrugëtim shumë të vështirë drejt forcimit të demokracisë dhe konsolidimit të institucioneve të shtetit.

Nuk ka sot vlerë të bëjmë retrospektivën e ngjarjeve të tranzicionit shqiptar. Simbolikisht, mund ta konsiderojmë se ky tranzicion u përmbyll në 19 Maj 2021 ora 14:04, kur Sekretari i Shtetit Amerikan bëri publike deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit, për shpalljen “non-grata” të ish Presidentit dhe ish Kryeministrit shqiptar.

Arsyet për këtë vendimmarrje ishin të parashtruara qartësisht në një deklaratë të botuar në faqen zyrtare të DASH, deklaratë e cila sigurisht nuk është një sajesë që Z. Antony Blinken e ka “gatuar” në zyrën e kryeministrit Rama, siç aludoi i shpalluri “non-grata”. Ai është padyshim një qëndrim zyrtar i kryediplomatit amerikan, mbështetur në dëshmi dhe informacione të mbledhura ndër vite. Këto të fundit janë vlerësuar të mjaftueshme nga DASH për ta përfshirë atë në listën e rreth 200 pushtetarëve të vendeve të ndryshme të botës, që konsiderohen të padëshirueshëm përjetësisht, edhe familjarisht, për të hyrë në SHBA.

Sigurisht që ky konkluzion e minon reputacionin e ish-liderit historik të Partisë Demokratike, sepse ia shemb sikur të ishte një kala prej rëre, gjithë karrierën e tij 30 vjeçare si një protagonist kryesor i skenës politike në vend. Jo vetëm kaq, por ky zhvillim i ka humbur atij edhe shansin e të drejtën aq domethënëse që duhet të ketë çdo personalitet publik, akoma më shumë një personazh që ka mbajtur pozicionet më të larta shtetërore, për ta mbyllur jetën publike me mençuri dhe dinjitet.

Reagimi i tij “post-factum” nuk rrezikon thjesht edhe më tej fatin e tij personal. Më kryesorja, që përben edhe interes shoqëror, ai qëndrim i çartur rrezikon të minojë edhe të ardhmen e forcës më të madhe opozitare në vend, e cila ende pas 30 vitesh nuk po çlirohet dot prej “kthetrave” të tij. Madje, as sot që ai është në pozitën e vet më të dobët.

Momenti në të cilin mori vendimin DASH, mendoj se nuk është i rastësishëm. Ai përkon në mes të periudhës për zgjedhjen e lidershipit të ri të Partisë Demokratike, që ka humbur pesë beteja elektorale radhazi. Më shumë se sa reagimet e secilit për vendimin kuptimplotë të Sekretarit të Shtetit Amerikan dhe arsyet domethënëse të vulosura prej tij, kam kërshëri për ngjarjet që do të pasojnë brenda forcës kryesore opozitare.

Akoma mungon një reagim i qartë i kryetarit të opozitës, që shquhet edhe si nje idhtar i dekriminalizimit, për pozicionin që duhet të mbajë ai dhe vetë Partia Demokratike, për një deputet të grupit të vet parlamentar i shpallur “non grata” nga SHBA. Pafuqia e tij e pakrahasueshme për të mbajtur një qëndrim publik dhe zyrtar prej lideri, ndoshta mund ta ndihmojë atë edhe këtë herë për të siguruar një rikonfirmim në krye të partisë, por është e sigurt që në të njëjtën kohë e dobëson shumë aleancën e kësaj force politike me partnerin më strategjik të Shqipërisë.

Kjo nuk duhet intepretuar apo kuptuar si një aleancë e ngushtë individësh për interesa vetjake me disa diplomatë të huaj, por si një aleancë e gjerë demokratike pro-perëndimore, në funksion të shfrytëzimit dhe maksimizimit të të gjitha energjive dhe potencialeve që vijnë si mbështetje nga vendet më të zhvilluara të botës, për të reformuar dhe emancipuar edhe më tej shoqërinë tonë, duke shtruar rrugën e një progresi të pakthyeshem për rrënjosjen e kulturës “rule of law”, si instrumenti më kryesor për një zhvillim të qëndrueshëm në çdo fushë të jetës.

Partia Demokratike është padyshim pjesë shumë e rëndësishme e realitetit politik e social në vend, dhe si e tillë, ajo duhet të reformohet dhe ripërtërihet me drejtues dhe përfaqësues politikë që përqafojnë një mendësi demokratike dhe filozofi europeiste, si partitë motra në Bashkimin Europian. Më shumë se asnjëherë tjetër kjo forcë politike ka nevojë për një lidership të ri, që do dijë të ngrihet në lartësinë e përgjegjësisë që e kërkon koha, por patjetër edhe besimi i marrë nga shqiptarët në zgjedhjet e 25 Prillit.

Shqipëria e ka sot të domosdoshme të bashkojë të gjithë aktorët dhe të gjitha energjitë për të shpejtuar ritmin drejt proceseve integruese, dhe të ketë në parlament një opozitë të merituar që bart vlera dhe sheh drejt së ardhmes, për t’u fuqizuar jo thjesht si një alternativë politike përballë kundërshtarëve të konfirmuar tre herë rradhazi si mazhorancë qeverisëse, por edhe si një forcë politike realisht kontributore, që me misionin dhe veprimtarinë e saj bashkëpunon për interesat madhore të vendit dhe bën oponencë përmbajtësore, duke qënë një garanci për mbrojtjen e interesit publik dhe duke shtuar në mjedisin tonë politik më shumë ide dhe fuqi transformuese.