E vetmja rrugë drejt paqes me Rusinë? Një perde e re e hekurt në kufirin lindor të Ukrainës
Nga Klaus Geiger/ Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u lejua të ndërhyjë për 3 minuta, por ai foli për 20 minuta. Në fjalimin e tij në samitin e G20 në nëntorin e vitit të kaluar, presidenti ukrainas shpalosi në detaje më të mëdha se kurrë më parë, se si mund të arrihet paqja me Rusinë, dhe madje edhe si të ruhet ajo.
Argumenti i tij kryesor: “Ukraina nuk është anëtare e asnjërës prej aleancave. Dhe Rusia ishte në gjendje ta fillonte këtë luftë pikërisht sepse Ukraina mbeti në zonën gri, midis botës euroatlantike dhe imperializmit rus. Aktualisht ne nuk kemi as garanci sigurie… Për këtë arsye kemi nevojë për garanci sigurie efektive”.
Kancelari gjerman Olaf Scholz u bëri jehonë këtyre fjalëve gjatë një fjalimi që mbajti në Bundestag kohët e fundit. “Në samitin e G20, presidenti Zelensky paraqiti sugjerimet e tij se si të arrihet një paqe e qëndrueshme dhe e drejtë. Ne do ta ndihmojmë Ukrainën që ta arrijë një paqe të tillë. Dhe kjo është arsyeja pse po bisedojmë me Kievin dhe partnerët e tjerë për garancitë e ardhshme të sigurisë për Ukrainën”- deklaroi ndër të tjera Scholz.
Scholz nuk specifikoi saktësisht se çfarë lloj “garancie sigurie” do të ishe kjo. Por presidenti ukrainas ishte shumë specifik në fjalimin e tij në samitin e G20-ës. Ai iu referua një projekt-marrëveshje të quajtur Pakti i Sigurisë së Kievit, të cilin qeveria e tij e kishte përgatitur gjatë vitit të kaluar, duke u këshilluar me ish-Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Anders FoghRasmussen.
Kievi beson se ky dokument duhet të nënshkruhet në një konferencë ndërkombëtare, dhe se ai duhet të përbëjë bazën e një aleance afatgjatë të sigurisë midis Ukrainës dhe Perëndimit. Garancitë e sugjeruara të sigurisë janë të dyfishta. Së pari, aleatët e Ukrainës duhet të ofrojnë armë për një periudhë afatgjatë, për të penguar një sulm të ri të Rusisë.
Së dyti, garantuesit e kësaj marrëveshje, duhet të angazhohen zyrtarisht t’i qëndrojnë pranë Ukrainës në rastin e një pushtimi rus. Ata duhet të angazhohen “të përdorin të gjithë elementët e fuqisë së tyre kombëtare dhe kolektive për t’i dhënë mundësinë Ukrainës të ndalë sulmin, dhe këtu mund të përfshihen mjetet diplomatike, ekonomike por edhe ushtarake”.
Këto garanci sigurie, të cilat përfshijnë ndihmën ushtarake do të përbënin në thelb zgjerimin e NATO-s deri në kufirin lindor të Ukrainës. Është thjeshtë logjike që Olaf Scholz dhe udhëheqës të tjerë perëndimorë po i përgjigjen tani idesë për të ofruar garanci të tilla sigurie.
Pas dy dekadash të sundimit të Vladimir Putinit, të gjithë duhet të pranojnë se paqja me Rusinë nuk është më e mundur. Marrëveshjet me Moskën janë realisht të kota, sepse ndaj saj nuk ka fare besim.
Duke u kthyer pas në kohë, dokumenti i parë që e bënte sigurinë e Ukrainës të varej nga mbajtja e fjalës së saj nga Rusia ishte Memorandumi i Budapestit i vitit 1994. Përmes asaj marrëveshje, Ukraina hoqi dorë nga armët e saj bërthamore të epokës sovjetike dhe në këmbim, Rusia dhe Perëndimi ranë dakord t’i garantonin vendit integritetin e tij territorial.
Por kur Rusia e shkeli këtë memorandum në vitin 2014, Ukraina mbeti e pambrojtur.
Më pas erdhi Marrëveshja e Minskut e vitit 2015, e cila dështoi për shkak të pandershmërisë së paturpshme të Moskës.
Procesi i Minskut duhej të rivendoste gradualisht integritetin territorial të Ukrainës pas pushtimit të Krimesë dhe një pjese të Ukrainës Lindor nga Rusia në vitin 2014. Në fakt për vite me radhë përfaqësuesit e Moskës pohuan me një buzëqeshje cinike, se Rusia nuk ishte e përfshirë zyrtarisht në një konflikt në Ukrainë.
Në disa mënyra, të dyja palët e penguan Procesin e Minskut. Por arsyeja kryesore e dështimit të tij ishte këmbëngulja e Rusisë për të mohuar realitetin. Gjermania dhe Franca besonin se mund të vepronin si ndërmjetës të ndershëm, por Moska po vepronte me keqbesim. Kur Putini e hoqi Minskun nga tavolina, Ukraina mbeti vetëm.
Garancitë e sigurisë
Rusia ka historinë e saj të premtimeve të shkelura. Kremlini ka pohuar vazhdimisht se Perëndimi po shpërfill interesat ruse të sigurisë. Dhe kjo nuk është e pavërtetë. SHBA-ja i premtoi Bashkimit Sovjetik, të paktën gojarisht, se si kompensim për ribashkimin e Gjerman-së, NATO nuk do të zgjerohej drejt lindjes.
Për vite me radhë, presidenti amerikan Bill Clinton ia përsëriti këtë premtim presidentit rus Boris Yelstin, ndërsa në të njëjtën kohë negocionte për anëtarësimin në NATO për Poloninë, Republikën Çeke dhe Hungarinë.
Jehona e kësaj historie mund të dëgjohej deri në fundin e vitit 2021, 2 muaj para pushtimit, kur Putini kërkoi “garanci sigurie” nga NATO: se nuk do të kishte anëtarë të rinj, se infrastruktura e NATO-s do të kthehej siç ishte në vitin 1997, dhe se armët bërthamore amerikane do të zhvendoseshin nga Evropa.
Kremlini kërkoi anulimin e zgjerimit të NATO-s drejt lindjes, gjë që do të dobësonte ndjeshëm anëtarët lindorë dhe do ta linte të pambrojtur Ukrainën. NATO refuzoi dhe Putinimarshoi trupat e tij në Ukrainë. Pas rënies së Perdes së Hekurt, Perëndimi nuk ishte i sinqertë me Rusinë.
Mund të ketë qenë një shans i humbur. Por nuk ka kuptim të ndalemi tani tek këto çështje pasi nuk ka më asnjë shans për të arritur një marrëveshje me Rusinë e Putinit. Ashtu si SHBA-ja mbrojti Gjermaninë, Gjermania ka tani përgjegjësinë të garantojë ekzistencën e Ukrainës.
Vladimir Putin e sheh ribashkimin e Gjermanisë dhe zgjerimin e NATO-s drejt lindjes si një lloj tradhtie. Dhe përmes politikave të tij revanshiste, ai synon që ta shtyjë Perden e Hekurt sa më shumë që të jetë e mundur drejt Perëndimit.
Rusia e sotme është një shtet totalitar, imperialist. Putini nuk i përmbahet më logjikës së Luftës së Ftohtë, por asaj të Luftës së Dytë Botërore. Ai dëshiron që ta rikthejë Ukrainën në perandorinë e tij dhe të përdorë luftën e tij të paligjshme për të ri-vizatuar kufijtë e njohur ndërkombëtarisht.
Në kushtet aktuale një paqe e qëndrueshme mund të nënkuptojë vetëm një Luftë të re të Ftohtë. Vetëm një Perde e Hekurt në kufirin lindor të Ukrainës – e krijuar përmes garancive të forta të sigurisë – mund ta ndalojë Putinin. Ekziston një alternativë: të sakrifikosh Ukrainën dhe ta lejosh atë të bëhet protektorat i Putinit. Ky nuk është një rezultat i pranueshëm për Gjermaninë, e cila ia detyron lirinë dhe prosperitetin e saj premtimeve amerikane për të mbrojtur Evropën.
Për të qenë të sigurt nga Stalini, Gjermania Perëndimore zgjodhi lidhjen e ngushtë me Perëndimin, duke përfshirë garancitë e sigurisë nga SHBA, e cila vazhdon të mbrojë vendin nga Putin. Ashtu si SHBA-ja e mbrojti Gjermaninë, tani Gjermania ka përgjegjësinë të garantojë ekzistencën e Ukrainës. Kjo do të nënkuptonte një Luftë të re të Ftohtë. Por ky do të ishte një hap përpara. Dhe do të sillte atë që mungon tani: sigurinë për Ukrainën dhe stabilitetin për Evropën.
Publikuar fillimisht te bota.al