Opinion

Fatos Lubonja, nuk mbron as Berishën as Bashën! E sheh si teprim të amerikanëve dhe poshtërim të opozitës

Fatos Lubonja, nuk mbron as Berishën as Bashën! E sheh si teprim

Vendimin e Bashës për të përjashtuar Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD-së, analisti Fatos Lubonja e quan një vetë-poshtërim të PD-së dhe një teprim të amerikanëve: Nëse vërtetë ka pasur presion ndaj Bashës për ta larguar Berishën, kjo do ishte e tmerrshme.

Në intervistë, Lubonja tha se Basha u tregua kontradiktor në deklaratën e tij mbrëmë kur renditi meritat e Liderit historik të PD-së të shpallur non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit, por nga ana tjetër la të kuptojë se u ndje i detyruar nga amerikanët që ta largojë: Nëse vërtetë Berisha është i përfshirë në korrupsion siç thotë SHBA, atëherë Basha të merret me sistemin: Nuk ka shqiptar që nuk e di se Berisha është i përfshirë, por jo të thuash se Berisha do përjashtohet se e kërkon Amerika, thotë Lubonja i cili shton se Berisha në fakt duhet të ishte larguar vetë shumë vite më parë.

Fatos Lubonja:

Duhet kohë e gjatë t'i ndash të gjitha. Besoj se është një ndjesi që i përmbledh bashkë, një ndjesi e keqe, poshtërim. Një vetë-poshtërim i opozitës më është dukur ky akt, se nuk është një gjë që bëhet nga vullneti opozitar që kërkojnë të ndryshojnë PD nga gabimet e shumta dhe vetë Berisha në krye, por një veprim që merret se e kërkojnë amerikanet.

Po mirë këta njerëz a mendojnë... se vetë deklarata e Bashës ishte kontradiktore: Përpos meritave, ai thoshte se ai duhet të ikë se ma kërkojnë amerikanët. Ose je lider që ke një vizion tjetër do të luftosh korrupsionin, se Berisha është akuzuar për korrupsion. Nuk ka shqiptar që nuk e di që Berisha ka bërë korrupsion me oligarkët që sot janë rreshtuar me Ramën. Nëse ti dhe amerikanet mendoni se duhet të ikë vërtet se ka bashkëpunuar me ata që ndajnë paratë, atëherë merru me sistemin. S'është folur fare për këtë. Është një shije poshtërimi që padyshim që ngre autoritetin e Ramës dhe njëkohësisht poshtërim dhe i shqiptarëve se ne kemi nevojë për një opozitë normale. Se del sikur amerikanët na bëjnë drejtësi, aq me pak që kanë dështuar tani me Afganistanin. Por ka dhe një të mirë siç thuhej në kohën e komunizmit: Turbullo, kthjello, është turbullim për t’u kthjelluar. Flitet edhe për një presion për sanksione ndaj Bashës. Ky do ishte një turp për vetë amerikanët.

*Tiranapost.al.