Gjykata Kushtetuese miraton marrëveshjen me Italinë për emigrantët
Gjykata Kushtetuese, ka miratuar marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët. Sipas gjykatës kjo marrëveshje është në përputhje me Kushtetuese, ndërsa vendimi zyrtar pritet që të bëhet publik në orën 15:30.
Më 13 Dhjetor të vitit 2023, Gjykata Kushtetuese vendosi që të pezullojë marrëveshjen vetëm pak orë përpara se Kuvendi të votonte për miratim. Kjo për shkak të kërkesës së depozituar në gjykatë nga 30 deputetë të grupit Berisha-Bardhi lidhur me marrëveshjen Itali-Shqipëri, e cila konsiderohej nga ata anti-kushtetuese.
Marrëveshja e firmosur në Romë në 6 nëntor të vitit të kaluar, mes kryeministrave të të dy vendeve, përfshin emigrantët që nisen nga Afrika e Veriut dhe kapen në det nga anijet italiane. Ajo parashikon ngritjen e një pike në Shëngjin ku do të kryhen procedurat e verifikimit të emigrantëve dhe një qendre në Gjadër, ku ata do të mbahen të izoluar, deri në përfundim të procedurave për pranimin ose jo të azilit. Përgjegjësia mbi çdo veprimtari do të jetë e Italisë, së cilës i njihet dhe juridiksioni i plotë mbi qendrën e pritjes.