Opinion

Instrumentet dhe politikat anti-krizë që po aplikojnë vendet e BE-së/ Po Shqipëria?!

Instrumentet dhe politikat anti-krizë që po aplikojnë vendet e

Nga Adrian Civici/ Dy muaj mbas shpërthimit në Evropë të pandemisë së koronavirusit, duket se ka ardhur momenti për një “inventar” të plotë të masave e politikave mbështetëse ekonomike e financiare që BE-ja, por dhe vende të veçanta anëtare të saj kanë ndërmarrë. Sa të suksesshme dhe efiçente kanë qenë ato? Çfarë rezultatesh kanë dhënë dhe sa i janë përgjigjur situatës ekonomike dhe sfidave të çdo vendi? Tashmë, “masat speciale europiane” janë bërë objekte analizash e shembujsh për vende e rajone të tjera të botës, natyrisht, jo për nga përmasat financiare, por veçanërisht për larminë dhe kapilaritetin e tyre, edhe për Shqipërinë.

Në nivel evropian, instrumentet kryesore dhe fjalët çelës janë : “Recovery Fund”, “MES”, “SURE (Support to mitigate unemployment risks in emergency), BEI, “Bazooka BQE”, “Coronabond”. Në total, bëhet fjalë për një fond prej më shumë se 2000 miliardë euro në funksion të mbështetjes ekonomike e sociale anti-krizë në nivel evropian, pa përmendur këtu paketat specifike financiare nacionale të mbështetjes të aplikuara nga vende të veçanta.

Le të sqarojmë më konkretisht përmbajtjen, qëllimet dhe filozofinë e çdo pakete financiare të aplikuar apo diskutuar deri tani;

“Recovery fund”

Proces që pritet të konkretizohet në datën 6 maj. Në këtë datë, pritet që Komisioni Evropian i kryesuar nga Ursula von der Leyen të aprovojë propozimin për krijimin e një fondi special që pritet të mobilizojë mbi 1000 miliard euro, duke përdorur si garanci bilancin evropian të viteve 2021-2027 të përforcuar edhe me garanci nga shtete të veçanta të BE-së.

Fillimisht, mendohej se ky fond do të ishte rreth 2000 miliardë euro, por rezistenca e vendeve nordike dhe Austrisë, duket se do ta mbajë në nivelin e 1000 miliardë euro. Vendet “mesdhetare”, Italia, Spanja, Franca, Portugalia, Greqia, etj., kërkojnë që ky fond të shërbejë “për transferimin direkt të burimeve financiare drejt vendeve më të goditura nga koronavirusi – një pjesë si hua afatgjata me përqindje shumë të ulta interesi, ndërsa pjesa tjetër në formën e “fondeve të humbura” që do të thotë se nuk do të paguhen asnjëherë – ; ndërkohë që vende si Hollanda, Austria, Danimarka, Suedia, Finlanda “preferojnë sistemin e huasë së pastër” që duhet të shlyhet në vitet në vazhdim. Të gjithë janë në pritje të 6 majit, për të parë vendimin final të Komisionit Evropian.

MES – Mekanizmi Europian i Stabilitetit, i cilësuar edhe si Fondi i Shpëtimit të Shteteve anëtare, që menaxhohet nga Eurogrup-i, Ministrat e financës së eurozonës. Ky fond – i ratifikuar nga Këshilli Evropian në vitin 2011 dhe i aplikuar për herë të parë në vitin 2012 me objektiv “mbajtjen e stabilitetit financiar të eurozonës” ose vendeve të veçanta që gjenden në situatë krize – është përdorur me sukses për të shpëtuar vende në krizë si Spanja, Greqia, Qipro. Aktualisht, bashkë me SURE dhe BQE, bëhet fjalë për dizbursimin e 750 miliard eurove të tjera në funksion të vendeve të prekura nga kriza e koronavirusit. Bëhet fjalë për hua me përqindje shumë të ulta interesi, pa kushte shtrënguese dhelehtësisht të aksesueshme nga shtete të veçanta.

SURE – Mbështetje për zvogëlimin e rrezikut të papunësisë në raste emergjence (Support to mitigate unemployment risks in emergency). Nëpërmjet këtij mekanizmi pritet të mblidhen rreth 100 miliard euro në tregjet financiare evropiane nëpërmjet një sistemi të garancisë vullnetare nga vende të veçanta, të cilat do përdoren nga shtetet më të prekura për të financuar pagesat për papunësinë dhe çliruar bizneset dhe sipërrmarjet nga ky detyrim, për aq kohë sa ato të jenë të mbyllura. Në të njëjtën linjë është dhe BEI (Banka Europiane e Investimeve) e cila nëpërmjet të njëjtës skemë, mendon të mbledhë 200 miliardë euro duke krijuar një fond garancie prej 25 miliard euro, pjesë e kapitalit të BEI. Këto fonde do destinohen për financimin e projekteve të sipërrmarjeve e bizneseve.

BQE (Banka Qëndrore Europiane) po vepron në kuadrin e politikës monetare konvencionale e jo-konvencionale, sepse rregullat e BE-së e ndalojnë BQE që të financojë direkt vende të veçanta. Në kuadrin e objektivit të saj për kontrollin e inflacionit dhe stabilitetin e çmimeve, BQE po reagon në mbështetje të masave të përgjithshme anti-krizë, nëpërmjet hedhjes masive të likuiditetit në sistem, duke transferuar likuiditet në sistemin bankar – rreth 1000 miliard euro – dhe krijimin e kushteve që këto para të shkojnë në ekonominë reale. Një përfitim indirekt për sipërrmarjet dhe individët për të patur mundësi më të mëdha për kredi të bollshme e norma interesi të ulta. Kjo “Bazukë e BQE” e lajmërur në kuadrin e një edicioni special i programit të blerjes së titujve (Pandemic Emergency Purchase Programme), fillimisht në shumën e 750 miliard euro, pastaj e zgjeruar deri në 1000 miliard euro, deri në fund të vitit 2020.

Ndërkohë, sipas Christinne Lagarde, Presidente e BQE, ”nëpërmjet operacioneve të rifinancimit, BQE po bën të mundur disponibilitetin e 3000 miliard euro-ve me përqindje interesi më të ulta se 0.75%”. Nëpërmjet blerjes së titujve në treg, BQE po i krijon mundësi shteteve të ndryshme që të financohen në shuma të mëdha me përqindje shumë të ulta interesi. Nga ana tjetër, në kriteret e mbikqyrjes bankare janë lehtësuar dhe detyrimet e bankave në lidhje me mjaftueshmërinë e kapitalit të tyre, provigjonet, etj.

Ndërkohë, vendet anëtare të BE nuk kanë rënë dakort për krijimin dhe aplikimin e instrumentit të “Coronabond-it”, i cili do të ishte një mundësi më shumë, sidomos për vendet më të prekura nga kriza, për të financuar shpenzimet për mbështetjen sanitare e shëndetësore, aktivitetin ekonomik, mbështetjen e papunësisë, etj. Coronabondi mund të emetohet nga BEI (Banka Europiane e Investimeve), ose direkt nga Komisioni Europian, por ky instrument u kundërshtua nga vende si Hollanda, Finlanda dhe Gjermania, ndërkohë që në favor të tij u shpreh Italia, Franca, Spanja.

Megjithatë, ka akoma mendime se “vendet e jugut” si Franca, Italia, Spanja, Portugalia mund ta krijojnë vetë instrumentin e coronabondit pa patur nevojë për pjesëmarrjen e Gjermanisë apo vendeve të tjera “të veriut”. Këto vende mendojnë se “urgjenca e krizës nuk ka kohë për të pritur finalizimin e solidaritetit europian…se, në nivelin aktual të diskutimeve dhe vendimeve, Recovery fund është akoma i paqartë në modalitetet dhe kohën e zbatimit të tij … “.

Mjaft interesante dhe specifike janë dhe masat e marra nga vende të veçanta anëtare të BE-së në kuadrin e mbështetjes së ekonomisë reale të tyre të goditur rëndë nga kriza e koronavirusit. Sipas informacioneve specifike nga disa vende të BE-së, gjendja e paketave mbështetëse financiare dhe mekanizmat e përdorur në disa shtete europiane paraqitet si më poshtë:

Në Francë, Shteti ndërtoi një paketë stimuluese për ekonominë që konsiston në një zvogëlim ose reduktim prej 45 miliardë euro të shumës së kontributeve sociale që duhet të paguanin bizneset dhe individët, shtyrje me 3-9 muaj të detyrimeve të ndryshme fiskale e tatimore, krijimin e një fondi solidariteti për bizneset e ndryshme prodhuese, tregëtare e shërbimeve; krijimin e një fondi garancie sociale për të papunët prej 300 miliard euro; Banka e Investimeve Publike mbështeti nëpërmjet një fondi garancie kreditë për sipërrmarjet për një periudhë 12-18 mujore dhe investimet për një periudhë prej 3-7 vitesh; ofrimin e financimeve 3-5 vjeçare pa garanci koletarali; krijimin e një fondi të veçantë për mbështetjen dhe garantimin e eksporteve (assurance export) si dhe financimin direkt të realizimit të tyre; krijimin e ekipeve të specializuara dhe obesrvatorëve të veçantë për informimin dhe ndihmën e biznesit me të dhëna specifike, planesh biznesi, studime fizibiliteti, gjetje partneriteti sidomos për bizneset e sektorëve strategjikë dhe ato me impakt të fortë social, etj.

Gjermania

Gjermania, nëpërmjet Fondit për Stabilizimin Ekonomik dhe Institutit Kreditues për Rindërtimin (KFV) disbursoi 800 miliard euro për mbështetjen e biznesit të madh dhe rritjen e fondit të garancisë për huatë publike; krijimi i një fondi special për mbështetjen e start-up; aprovimin e një Programi Asistence urgjente prej 50 miliardë euro në ndihmë të biznesit të vogël dhe vetëpunësuarve, profesioneve të lira dhe fermerëve; krijimin e një fondi special për mbrojtjen e bizneseve dhe punonjësve nga papunësia apo reduktimi i orëve të punës; krijimi i një fondi special për garantimin e eksporteve, kreditimin e operacioneve të eksport-importeve; vendosja e një moratoriumi 4 mujor për pagesat e taksave dhe tatimeve të bizneseve që nuk punojnë apo janë me kohë pune shumë të reduktuar; për një shumë prej 42 miliardë euro, masa të forta për të rritur likuiditetin e kompanive që goditen drejtpërdrejt nga efektet e epidemisë së koronavirusit, etj.

Holanda

Holanda vuri në dispozicion të bizneseve që planifikonin një humbje prej 20% të të ardhurave të tyre, një fond prej 10 miliardë euro për mbështetjen e pagave të punonjësve; shtyu për një periudhë disa mujore detyrimet fiskale e tatimore të bizneseve të prekura nga kriza, detyrime të barabarta me një shumë prej 150 milion euro; krijoi një fond garancie krediti për SME me një garanci prej 90% për kreditë 1 – 2 vjeçare; punonjësit e mbetur papunë, bashkë me punonjësit e profesioneve të lira përfitojnë një pagë shtesë për një periudhë tre mujore nëpërmjet një fondi special prej 2 miliardë euro; krijimi i një fondi të përbashkët ndërmjet Shtetit dhe Bankave për përballimin e humbjeve të kredive me risk për ato biznese që deri në muajin shkurt 2020 kishin qenë paguese të rregullta të tyre; vendosjen e një moratoriumi 3-6 mujor për pagesat e principalit dhe interesave për bizneset e rregullta që nuk kishin patur asnjë problem deri në 28 shkurt 2020; krijimin e një pakete speciale mbështetëse për ndërrmarjet eksportuese.

Italia

Italia aprovoi një plan special nacional prej 75-80 miliard euro që përmbante disa lloje ndihme apo ndërhyrjesh: subvencione direkte dhe lehtësira fiskale për bizneset dhe individët, veçanërisht për bizneset e vogla; garanci shtetërore për kreditë bankare të bizneseve; hua publike me kushte shumë lehtësuese për sipërmarrjet; orientim dhe garanci për bankat që të ndihmonin që huatë të shkonin në ekonominë reale dhe sektorët strategjikë të ekonomisë; garanci siguruese për kreditë që merren për mbështetjen e eksporteve; mbështetje speciale financiare me fonde publike për sipërmarrjet inovatore dhe startup; mbështetje financiare speciale për gjithë sipërmarrjet e angazhuara në prodhimin e materialeve mjekësore e farmaceutike si dhe agroindustrisë; mbështetje e gjërë shtetërore për pagesat e papunësisë për të gjithë punonjësit që janë të detyruar të mbyllen në shtëpi, për të punësuarit part-time, familjet dhe gjithë shtresat sociale në nevojë në kuadrin e programit të “amortizatorëve socialë”; furnizim me likuiditet për një numër të konsiderueshëm SME; akordimi i një shume prej 500 euro për çdo familje dhe 600 euro/muaj për të vetëpunësuarit e profesionet e lira; 100 euro shtesë për çdo pagë për një periudhë disa mujore; akordimi i një fondi special për shërbimet e emergjencës “direkt në shtëpi” në familjet e të moshuarve, të sëmurëve, etj.; krijimi i një pakete financiare speciale destinuar për turizmin, tregëtinë dhe infrastrukturën; kredi të garantuara deri në 25000 euro për bizneset e vogla dhe profesionet e lira; 100 milion euro për mbështetjen e bujqësisë dhe peshkimit, etj.

Spanja

Në Spanjë, qeveria ka miratuar një “plan urgjence ekonomike” prej 200 miliard euro; nëpërmjet një fondi garancie publike prej 100 milion euro, bëri një ndërprerje të detyrimeve fiskale 6 mujore për SME dhe të vetëpunësuarit; krijimin e një fondi garancie për kreditë e SME, qofshin këto kredi të kaluara apo kredi të reja; krijimi i një pakete speciale për mbështetjen e eksporteve; krijimin e një fondi të veçantë për pagesat e papunësisë, papunësie plotë apo e pjesshme të përfshira. Kjo kategori u përjashtua për një periudhë 4-6 mujore nga shumë detyrime fiskale e tatimore apo detyrime të tjera; garantimi i një ”të ardhure universale” për gjithë punonjësit për një periudhë 6-12 mujore; bëri një alokim buxhetor prej 5 miliard euro për tu përdorur si shpenzime publike në funksion të mbështetjes ekonomike e sociale, si dhe 1 miliard euro të tjera si “fond kontigjence”; një fond prej 25 miliard euro ju dha rajoneve të ndryshme të vendit për tu përdorur për nevoja eskluzivisht sociale për grupet vulnerabël; 300 milion euro për kujdesin në shtëpi të personave të moshuar apo invalidë; shpallja e një moratoriumi 1-mujor përpagesat e kredive hipotekore; garantimin e furnizimit me energji elektrike, gaz dhe ujë për të gjitha familjet, pavarësisht mundësisë apo pamundësisë së shumë prej tyre për të mos i paguar në kohë detyrimet e tyre për këto shërbime; etj.

Anglia

Anglia krijoinjë fond prej 500 milion sterlina për tju ardhur në ndihmë familjeve dhe individëve në vështirësi ekonomike; ndërprerjen disa mujore të detyrimeve fiskale e tatimore; krijimin e një fondi special prej 30 miliard stërlinash si stimulim fiskal për SME; dhënia e një ndihme direkte prej 10000 stërlinash për bizneset e vogla dhe individët e vetëpunësuar; krijimi i një fondi garancie prej 330 miliard stërlina për kredinë për SME; krijimi i një fondi special për mbështetjen e pagave dhe likuiditetit për bizneset në mënyrë që të mos pushonin punëtorë nga puna; sipërmarrjet kanë të drejtë të përfitojnë subvencione speciale për të paguar punonjësit e tyre edhe në rastet kur ata janë të detyruar të rrinë në shtëpi të bllokuar nga karantina. Këto subvencione mbulojnë 80% të pagës së punonjësve me një nivel tavan jo më të madh se 2500 stërlinash (2700 euro); Banka e Anglisë e uli normën bazë të interesit për stërlinën nga 0.75 në 0.25%; Qeveria britanike aplikoi 3 paketa specifike ndihme : Paketa A dedikuar nevojave në sektorin e shëndetësisë; Paketa B dedikuar mbrojtjes sociale; Paketa C dedikuar biznesit, etj..

Polonia

Polonia adoptoi një plan special prej 50 miliard euro (212 miliard zloti) për mbështetjen e 5 sektorëve më të rëndësishëm të ekonomisë; krijimin e një fondi prej 30 miliardë zloti për mbështetjen e tregut të punës dhe pagesat e papunësisë;  73 miliard zloti për ndihmën ndaj bizneseve, krijimin e fondit të ristrukturimit të kredive, fondit të garancisë sovrane për kreditë e reja, pagesën e sigurimeve shoqërore për punonjësit e ndërrmarjeve në vështirësi si pasojë e krizës, investime direkte për rritjen e kapitalit të bizneseve sidomos në turizëm dhe transport, të gjykuar si sektorët më të prekur nga kriza; krijimin e një fondi special për mbështetjen e sektorit shëndetësor; 70 miliardë zloti për forcimin e sistemit bankar dhe zvogëlimin e rezervës së detyrueshme valutore për bankat, bllokim i egzekutimit të koletarileve të ndërrmarjeve e individëve në vështirësi nga kriza; 30 miliard zloti për të stimuluar fiskalisht ekonominë në periudhën e fillimit të ringritjes; mbështetje për bizneset në sektorin energjitik, digjitalizimin, mbrotjen e ambientit, bioteknollogjitë, etj.

Belgjika               

Në Belgjikë,qeveria qëndrore zvicerane akordoi një fond special buxhetor prej 10 miliard euro si mbështetje dhe mbrotje ekonomike për bizneset dhe individët. Në varësi me zgjatjen e krizës ky fond mund të dyfishohet,mbështetur dhe në një marrëveshje të qeverisë me bankat për të rritur fondin e garancisë bankare dhe kreditimit me kushte shumë lehtësuese. Qëllimi i kësaj pakete speciale ekonomike është mbrojtja e shëndetit të njerëzve dhe veçanërisht garantimi i punësimit dhe stabilitetit të funksionimit të bizneseve”. 1.5 miliard euro po përdoren për të kompesuar shtyrjen e detyrimeve fiskale e tatimore të bizneseve si dhe faljen e një pjese të tyre për bizneset që vlerësohen si më të prekurat nga kriza; 1.5 miliard euro si kompesim pagash për ato biznese që janë të mbyllura apo punojnë me kohë të reduktuar. Bëhet 70% e kompesimit të pagave; pagesa e pagave për të papunët për një kohëzgjatje 3-4 mujore në kuadrin e një programi të veçantë të quajtur “procedura korona”; dhënia e një suplementi prej 150 euro/muaj për çdo punonjës; Qeveria federale aktivizoi një sistem garancie prej 50 miliard euro për gjithë kreditë e reja të bizneseve dhe individëve për një periudhë 12 mujore; aprovoi një moratorium për kreditë tregëtare për një shtyrje 6 mujore të detyrimeve mujore të principalit, ndërkohë që normat e interesit duhet të vazhdojnë të paguhen normalisht; mbas mbarimit të periudhës së krizës, këto kredi mund të ristrukturohen sipas marrëveshjeve specifike me bankat; bankat anulluan të gjitha pagesat për shërbimet dhe ato administrative; etj.

Shqipëria

Në muajin mars miratohet “Plani A” ose paketa e parë financiare e ndihmës ekonomike me 7 pika dhe një vlerë prej 300 milionë euro e Qeverisë shqiptare, për të përballuar pasojat dhe luftën me koronavirusin në të gjitha frontet, shëndetësi, por edhe bizneset dhe individët: 2.5 miliardë lekë (20 mln euro) në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë, për pajisje e materiale mjekësore apo mbështetje të stafeve mjekësore; 100 milionëUSDpërmes instrumentit të një garancie sovrane për kompanitë që kanë vështirësi objektive për të paguar pagat e punonjësve; 6.5 miliardë lekë (53 mln euro) për nevojat më imediate: për shtresat më në nevojë, për biznesin e vogël, për papunësinë e mundshme për shkak të luftës (Ndihma financiare, që do të përfitojnë të vetëpunësuarit, punëtorët e papaguar të familjes dhe të punësuarit është e barabartë me pagën minimale në fuqi, 26 000 lekë në muaj; përfitojnë rritje ndihme personat në nevojë: pagesa e ndihmës ekonomike për subjektet përfituese, do të jetë sa dyfishi i shumës së llogaritur deri tani.Personat që edhe më parë kanë qenë të papunë përfitojnë një pagesë dyfish nga ajo që marrin deri tani); 2 miliardë lekë (16 mln euro) në dispozicion të Ministrisë së Mbrojtjes, për Operacionin Humanitar; 1 miliardë lekë (8 mln Euro) si fond rezervë për Këshillin e Ministrave, për ccdo urgjencë të paparashikueshme.

Fshihen përgjithmonë kamatvonesat për debitorët aktivë që kanë konsum energjie, familjarë apo biznes i vogël, me efekt financiar deri në 15 miliardë lekë (120 mln euro). Nga kjo masë përfitojnë 211 mijë e 24  abonentë; riskedulimin në 6 mujorin e dytë të vitit 2020 dhe në vazhdim, tëtatim fitimit për të gjithë biznesin deri në fashën nga 2 deri në 14 milionë lekë, ose nga 20 deri në 140 mijë dollarë xhiro. Shtyrja e dorëzimit të bilanceve për një periudhë deri në 1 qershor të këtij viti për bizneset që dorëzojnë bilancet në QKB online ose drejtë për drejtë.

Bankat e nivelit të dytë bien dakord me qeverinë për t’u dhënë kredi pronarëve të bizneseve që kanë hasur vështirësi ekonomike si pasojë e COVID-19, për të paguar pagat e punonjësve, pa asnjë rrezik pasi shteti del garant.

Të gjithë të punësuarit në bizneset e vogël, me një xhiro vjetore jo më të madhe se 14 milionë lekë të reja në vit, do të paguhen nga shteti për periudhën pas ndërprerjes së aktivitetit ekonomik/marrëdhënieve të punës për shkak të gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID19. Qeveria ka vendosur që pagesat e kësteve të parapagimit të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për tremujorin e parë dhe të dytë të vitit 2020do të shtyhen deri më 20 tetor 2020, ndërsa për tremujorin e tretë dhe të katërt të vitit 2020 brenda datës 20 dhjetor 2020.

Në prill 2020, Qeveria paraqiti paketën e zgjeruar të ndihmës ekonomike. Katërqind mijë lekë në dorë do marrin punonjësit që kanë humbur punën në sektorin e turizmit, në biznesin e madh me mbi 14 mln lekë të reja xhiro në vit dhe 100 mijë punonjës të tjerë të biznese të vogla që kanë punuar me xhiro minimale për shkak të mbylljes dhe nuk përfituan nga paketa e parë.“Kjo paketë është konceptuar si një pagesë e vetme dhe përmbledh disa kategori:10 mijë punonjës të turizmit, 66 mijë punonjës që janë larguar, pezulluar nga biznesi i madh mbi 14 mln lekë të reja xhiro në vit, 100 mijë punonjës në biznese të vogla që kanë punuar me xhiro minimale për shkak të mbylljes dhe nuk përfituan nga paketa e parë”.

Miratohet në parim Akti Normativ për Ndryshimet në Buxhetin e Vitit 2020 ku: alokohen 7.03 miliardë lekë fond shtesë për Paketën e Dytë Financiare për Qytetarët dhe Bizneset.

*Marrë nga Gazeta Fjala